You are currently browsing the archives for the Blogroll category.
- Blogroll (753)
- Poezi (2)
- SPORT (1)
- Tregime (4)
- Uncategorized (6)
- 19/05/2012: Hekuran Pashollari
- 16/05/2012: DHE ENGJEJT SIMULOJNE…!
- 16/05/2012: DHE ENGJEJT SIMULOJNE…!
- 15/05/2012: Requiem
- 15/05/2012: ÇAMËRÍA zhduket nga harta e greqisë, kurse né … qetë, qetë !
- 13/05/2012: 3 POETË TANKA NGA TRE POETË
- 12/05/2012: Xhemaledin: studim reformat ne Presheve
- 11/05/2012: CIKEL POETIK
- 09/05/2012: ME SYTE E SHPIRTIT, NË TRADITAT TONA ATDHETARE…
- 07/05/2012: MBRESA E SKICA, NGA SUEDIA
Blogroll
Archive for the Blogroll Category
Hekuran Pashollari
19/05/2012 by admin.
kontinentet-do-te-ribehen-perseri.pdf
Posted in Blogroll | No Comments »
DHE ENGJEJT SIMULOJNE…!
16/05/2012 by admin.
F A T M I R M U S A I
DHE ENGJEJT
SIMULOJNE…!
Tregime – Ese – Përsiatje
Botimet TOENA
INTERVISTË ME VETEN
- Kur dhe ku erdhe në këtë jetë?
- Më 29 mars 1955 në qytetin e Elbasanit.
- Ke ndonjë shkollë të lartë?
- E kam diplomën e degës së gjuhë-letërsisë shqipe në UT, të mbaruar në vitin l978.
- Me çfarë merresh sot?
- Jo pa pasion nxjerr bukën e gojës në shkollën “Jeronim De Rada” të qytetit të Elbasanit, për të mbajtur familjen time prej katër pjestarësh.
- Pyetja kishte të bënte me angazhimet në artin letrar!
- E nga ta dija unë? Atëherë: Me ndërprerje të gjata kohore, sepse ashtu na vajti filli i jetës, që nga viti 1977 e deri më sot kam botuar vetëm katër libra. Fillimisht një libër poetik, “Thirrja e jetës” dhe pas një viti, një trill studentor me vjersha për fëmijë, “Në rodhan”. Plot pas 28 vjetësh, në vitin 2001, erdhi vëllimi poetik “Sfidë” dhe, së fundmi, “Dhe engjëjt simulojnë…!”
- Çudi! Pse kjo heshtje 28-vjeçare pas librit të dytë?
- S’po them ndonjë gjë të re, po ja që e tillë qenka “teknologjia” ime e krijimit. Proçesin krijues në tavolonë e përjetoj si një vuajtje të ëmbël, përkushtim total e afatgjatë deri në përfundimin e librit që kam në dorë, pavarësisht nga koha maratonë e akumulimit. Kjo do të thotë që të mbyllesh për një a dy muaj në dhomë e të mos e shohësh shpesh dritën e diellit.
- Pse, të tjerët si e kanë “teknologjinë” e tyre krijuese?
- Ajo është punë për ta. Edhe unë, ku ta gjeja ta kisha komoditetin e
krijuesit profesionist, i cili ka orarin ditor “zyrtar” të proçesit krijues në tavolinë! Ndaj, gjithmonë kam thënë se krijimtarinë letrare e kam HOBI.
- Mund të na e shpjegoni këtë… HOBI?
- E pse jo! Së pari, të bashkëbisedoj lakuriq me vetveten dhe, së dyti, pse jo edhe me dhjetra apo disa qindra të tjerë që, mbase edhe rastësisht, do të këndelleshin t’i lëçisnin këto faqe të nxira… Më fal, po ju kush jeni që kërkoni të gërryeni kaq thellë brenda meje?
- Ende s’e ke kuptuar?! Unë jam Vetja Jote!
- Ëhë…! Na mbushe mendjen! Hiç fare s’ke pse më pyet mua! Veten time ta kam dhënë si në pëllëmbë të dorës tek “Ai” që bredh në të gjitha faqet e këtij libri. Ndaj, mos m’u hiq si engjëll, se “Edhe engjëjt simulojnë…!”
VETËTHËNIE
Libri “SFIDË” i botuar në 2001-shin, pas një kohe të gjatë akumulimi, për mua s’ishte thjeshtë një libër poetik. Brenda tij e ndjeja se egzistonte ajo magmë që herë pas here bënte presion të shpërthente e të dilte në sipërfaqe dhe, duke u ftohur, gradualisht kërkonte të ngrinte e të ngurtësohej në një konfiguracion reliefi prozaik nga më të çuditshmit e spontanët, ku fantazmagoroheshin të gjitha llojet e prozës, që nga tregimi i mirëfilltë e deri tek romani, që nga konceptimi klasik e deri tek amalgama e përsiatjeve gjithfarëshe.
Në këtë kuptim e ndjeja se “SFIDA”, përveçse të qenit magmë dhe esencë, si të thuash, njëkohësisht kishte një nevojë ngulmuese për hapësira të tjera jetike, ku të konfigurohej e transformuar deri në tjetërsim, në një tjetër lëndë, më e fortë dhe e qëndrueshme. Si magma e kthyer në tokë, ashtu dhe poezia do të mund të kthehej në prozë. Forma e kësaj toke-prozë do të ishte e paparagjykuar, ashtu si të vinte, në çastin kur kjo magmë poetike, gjatë rrëshq itjes të zinte e të ngadalësonte shpejtësinë (gjithnjë në raport të drejtë me ftohjen) dhe të ngrinte në formën e prozës poetike, tregimit, shtratit të romanit, esesë, meditimit, apo me termin gjithëpërfshirës “përsiatje”.
Po ç’rëndësi kanë të gjitha këto! Unë po përjetoja brenda meje atë çka grekët e mëdhenj e kanë thënë para 2000 vjetësh, se poezia qëndron në themel të çdo arti, ndaj, jo më kot fjalët “art” e “poezi” ishin në sinonimi të plotë.
Nga magma e “SFIDËS”, tek reliefi i përthyer shkëmbor i përsiatjeve “Dhe engjëjt simulojnë…!” Antikonformizmi si thelb, krijon kështu natyrshëm rrethin e tij të dytë. Që mund të pasohet nga rrathë të tjerë. Sepse s’ka asgjë të palëvizshme në këtë botë: Magma në brendësi të Tokës, a nuk vë në lëvizje pllakat tektonike dhe në mes të oqeaneve krijohen ishuj, fushat bëhen kodra e kodrat-male? Ashtu si po në të njëjtat përmasa ndodh edhe e kundërta?
Këto çka kumtova janë thjeshtë një dëshirë dhe konceptim tërësor. Mundësia e bërjes së tyre është tjetër gjë. Gjithësesi, unë do të kisha guximin ta quaja: Një ëndërr e organizuar!
AUTORI
VDEKJA E BLETËS
E ndjente se dora do t’i enjtej nga ai kafshim blete. Kështu i kishte ndodhur edhe më parë. Fillimisht një pickim i hidhur dhe një skuqje e lehtë, as sa një monedhë e vogël pesëdhjetë qindarkëshe, pikërisht në vendin ku agresorja
Ai hodhi sytë nga insekti agresor, të cilin e kishte kapur për krahësh me mollëzat e gishtërinjve të dorës së majtë. Kur ajo iu afrua veshulit të rrushit që kishte në dorën tjetër, thjeshtë për ta larguar, ai e kishte lëvizur instiktivisht atë. Dhe, siç duket, po instiktivisht edhe bletëza ia kishte ngulur thumbin-ushtë. Thua të ishte keqkuptim midis palëve? Edhe mundet.
Fillimisht, nën efektin e dhembjes, për pak sa s’e shtypi nën tabanin e sholltë të këpucës, por më pas ndërroi mendje. Jo, i tha asaj. Nuk ndahesh kaq lehtë me mua. Të shohim sa do t’u rezistosh torturave! Dhe ishte gati të fillonte nga shkulja e këmbëve, por një zë i largët thellë brenda vetes e ndali në momentin e fundit. Nuk vritet një bletë pse të hëngri, sikur i tha zëri. Është gjynah të vrasësh një bletë!
Ndërkohë e enjtura po i avancohej. Ai sikur e ndjente helmin t’i përhapej nëpër kapilarët e dorës. Përhapja do të ishte në varësi të forcës së tij. Dhe e krojtura, në vend që të zbutej, po i rritej më tej. Të dyja në raport të drejtë, kruajtja me enjtjen. Dhe s’dihej kur do ta merrnin vendimin për armëpushim. Gjithësesi, atij po i ikte inati i parë. Jo se i kishte pushuar dhimbja. Përkundrazi, trina e fryrë e dorës e acaronte më tepër ndaj kafshëzës fluturake, të cilën, edhe pse ai tashmë e kishte lënë të lirë mbi suprinën e një pllake manjolike, ajo, jo vetëm që nuk largohej në fluturim, por me zor hidhte disa hapa të vegjël, duke të krijuar më tepër përshtypjen e një zvarritjeje.
Për herë të parë atij i erdhi keq për të. Si harroi se bleta, po të thumboi, është njësoj sikur të ketë nënshkruar një vendim me vdekje për vetveten?! Ndaj u zvarritka kështu, mendoi ai. Mbase këto janë grahmat e fundit të jetës së saj. Ajo s’do të mund të kthehet më në pallatin madhështor të hojeve ku e presin mijërat e punëtoreve. Dhomëza e saj me portën gjashtëkëndëshe do të mbetet bosh dhe Mëma mbretëreshë do të urdhërojë një tjetër bletë të re ta mbushë hojin e saj me mjaltë. S’do të ketë më fluturime të gjata nëpër mijëra e mijëra lule nëpër kopshtet e qytetit dhe kthimi në koshere me trastat e këmbëve plot nektar…
A ka më paqësore se magjia e nektarit në hojet e mjalit, mendoi ai. Ndërsa unë e vrava këtë misionare të paqjes! Sepse u tremba, ashtu kot. Trembja ime i ngjalli asaj instiktin e vetëmbrojtjes dhe më shigjetoi me thumbin-ushtë. Ajo harxhoi kështu armën e saj të vetme, edhe pse e dinte se, pakëtaj, do të vdiste edhe vetë! Ashtu si Akili kur vrau Hektorin. Perënditë e patën paralajmëruar se pas vdekjes së Hektorit, s’do të ishte e largët dhe radha e tij. Por heroi kishte një motiv shumë më të madh se jeta e vet dhe, duke vrarë tjetrin, njëkohësisht edhe u vetëvra!
Me sytë e ngulur tek insekti i kaftë, ai vuri re se ajo s’po lëvizte më. Ndjehej sikur të kishte kryer një faj. Për inat e acarim ndaj saj, as që mund të flitej më. Madje, idhnimi tashmë ishte në raport të zhdrejtë me dhimbjen e enjtjes. Ai zgjati dorën, e mori trupin e saj dhe e vuri në mes të pëllëmbës. Ajo u rrotullua dhe këmbët e shumta i mbetën të palëvizura përpjetë. Mbaroi, tha ai. Vdiq! Nuk desha…, në fakt nuk desha…, as vetë nuk e di si ndodhi!
Me të në dorë, ai u ngrit në këmbë dhe bëri për nga kopshti i fqinjit ku gjendeshin gjithashtu koshere bletësh. Prej andej do të ketë ardhur, i tha vetes, por nuk bëri as disa hapa dhe u kthye pas. Ç’bëj dhe unë kështu, mendoi. Sikur të më shohë njeri, kushedi ç’do të mendojë. Edhe kjo më duhet! Por edhe ta hidhte bletën kuturu, nuk shkonte, të paktën në respekt të përsiatjeve që i solli, pavarësisht nga enjtja e dorës që, me sa dukej, po i pushonte. Në fund të fundit, nuk duhet të jetë pa gjë thënia se kafshimi i bletës të bën mirë, të sjell mbarësi.
Dhe pikërisht atëherë i lindi ideja më e pakundërshtueshme. Nuk e zgjati më, por me të në dorë, si në një ceremoni përshpirtjeje intime, ai u drejtua nga trëndafili më i madh i oborrit të tij. Ishte një trëndafil i bukur, i bardhë. Me kujdes ia hapi fletët e dendura dhe në thellësi të tyre vendosi bletëzën e kadifenjtë.
AMSHIM
Mbi tavolinë ndjehej trokitja ritmike e hokllaisë, një zhurmë aq e njohur që nga koha e fëmijërisë. Sidomos kur vinte fundi i hapjes së një pete dhe sipërfaqa arrinte kulmin e madhësisë, pikërisht atëherë goditjet e saj mbi tavolinë bëheshin më të forta e më të shpeshta dhe ai përftonte ndjesinë e duartrokitjeve. Kë po duartroket ajo që nga aneksi, ndërkohë që tëholl byrekun me spinaq, që atij i pëlqen aq shumë, medoi ai për të shoqen. Mbase librin e tij që e solli sot nga Tirana. Plot treqind kopje të paketuara.
Kishte ndjesinë e një topitjeje, si pas një pune të gjatë e të lodhshme, madje rraskapitëse. Çuditërisht, nuk e ndjente atë që do ta quante gëzim, lumturi, deri edhe triumf, çka do të ishte e natyrshme pas një pune kaq të gjatë. Mbase është fillimi i epilogut, mendoi. Ajo fazë kur autori, ç’kishte për të thënë e tha dhe tashmë fjalën e kishin të tjerët. Mbase ishte kjo ndjenjë e lehtë ankthi pritmërie për fatin e librit të tij, që e bënte atë thellë brenda vetes të matur. S’dua të mendoj asgjë hë për hë, i tha vetes, më mjafton vetvetja dhe kjo ndjenjë e ëmbël topitjeje. Por pikërisht këtë kërkesë të brendëshme, ia prishën të trokiturat e derës.
- Erdhi prifti. – i tha e sigurtë e shoqa. – Vetëm ai troket e s’i bie ziles.
Ishte vërtetë atë Joani. Çuditërisht me uniformën e zezë që s’e kishte zakon ta mbante edhe në mbrëmje. Çudia shtohej edhe më tej nga tymjanica e argjendtë që mbante në dorë.
- E kam shtëpi e jo kishë, uratë. – i tha ai. - Mos ke gabuar adresë!
- Mos u nxito, o i uruar! – e mori butë njeriu i zotit dhe u ul në kolltuk. – Nxirre atë të uruarën ta lagim… dhe mos kujto se nuk i marr vesh unë sebepet! - dhe bëri me kokë nga tavolina.
- Ja, ja, e solla. – tha e shoqa që, ndërkohë doli nga aneksi i guzhinës me gotën e zakonshme të rakisë. - Kot e the fjalën e fundit të parën!
- Ç’sebep paskam sot, uratë? – e pyeti ai komshiun, me të cilin vetëm një mur i ndante.
- Pse, pak të duket ty të botosh një libër? – dhe mori një kopje të tij nga tavolina e xhamtë, e rrotulloi në dorë duke e kqyrur mirë e mirë dhe tha: - Tashti ta bekojmë!
I tillë ishte Janaqi, se ky ishte emri i tij i vërtetë. Plot surpriza si kjo e kësaj mbrëmjeje. Me temjanin në enën e argjendtë, e cila lëshontë një erë karakteristike meshash, ai vinte vërdallë tavolinës ku ishte libri i porsabotuar me gotën e rakisë dhe seç murmuriste fjalë liturgjish. Mes haresë që u krijua në dhomë, si në një lejtmotiv, ai ndalej para tavolinës, kthente gotën e rakisë dhe, herë pas here dilte nga rituali: Zoti e bekoftë këtë libër dhe këtë raki, amen!
-Palo prift! – ia ktheu nga aneksi e shoqa, ku vazhdonte tëholljen e petave të byrekut.
Gotat pasuan njera-tjetrën dhe prifti Janaq, duke shfletuar kuturu disa faqe të librit, dha konsideratat e para. Është diskutimi i parë i librit tim, mendoi dhe, ti prift, ke privilegjin të jesh diskutanti i parë, tha më pas me zë.
- Kurse jot shoqe po na duartroket me hokllai! – ia ktheu ai hazërxhevap dhe qeshi fort, siç bënte gjithnjë kur mendonte se thoshte gjëra të zgjuara.
- Hokllaia nuk është vetëm për të duartrokitur! – u ndje matanë zëri i saj plot nënkuptim…
-
- Se kisha me atë, por me ty! – ia ktheu ajo dhe ai ndjeu qartë një si përvuajtje në zërin e saj.
Ishte tërësisht i paqartë nga kjo e papritur. Ku të ishte prekur e shoqja? Se ndjehej që atje tej qefmbetja e pazakontë. Dhe, pas insistimeve të tij, më së fundi, ai mezi kapi kuptimin e disa mërmërimave të saj:
- E për kë nuk ke bërë vjersha… i ke marrë njerëzit e tu me radhë… me zogj e me drurë… me qiell e me yje… kurse unë jam vetëm për të bërë byrek me spinaq, që ta hash me priftin Janaq!
Aha, kështu qenka puna, u kthjellua ai dhe mori frymë i lehtësuar, si njeriu pas zbardhjes së një keqkuptimi. Por njëkohësisht ndjeu vërtetë mall për të, një mall deri në dhimbje. Mos, vallë, vërtetë e kishte harruar disi? Një harresë e paqëllimtë, nga ato që vijnë pakuptuar kur ke të bësh me gjëra të zakonshme e të përditshme. Pikërisht mungesa e dukjes, e bujës, qënia e të natyrshmes, si buka e si uji, si ajri që thithim, duhet të ketë sjellë atë, mungesën e vëmendjes. Ajo e paska ndjerë dhe, me mërmërimë e nxori sot. Ashtu me zor, si t’i thoshte se këto gjëra nuk thuhen, ato nënkuptohen, por ti…, por ti… të detyron me atë indiferentizmin tënd…!
- Unë të kuptoj dhe të jap të drejtë, por ka një moskuptim në këtë mes. – i tha ai. – Poezitë nuk janë detyrim, siç është hartimi që duhet të bëj për vajzën e priftit! Ka ca gjëra që njeriu sepse e ka të vështirë t’i nxjerrë në dritë…
“ E ka të vështirë t’i nxjerrë në dritë… “, filloi të meditonte ai. Të vështirë, por jo të pamundur, mendoi më pas. Po të provonte njëherë! Dhe, pas një ore, ato që kishte bluar ishin hedhur në letër:
Grua e dashur, çfarë mërmërit,
Tek grin një qepë
e miell sit?
Vjershat nuk janë detyrim:
Vajzës së fqinjit
t’i bësh hartim!
I ruan shpirti, shpirti tifoz,
Se shpirti është
dhe kapriçioz!
Me ty kapriçoja në kokë më ra,
Si dashuria
që kurrë s’na la.
Vjershën për ty e ruaj brenda,
Atë e dimë
veç unë dhe zemra!
Nuk bën ta nxjerrësh aspak në dritë,
Se digjet filmi,
filmi i brishtë.
Megjithatë, me mërmërimë
Vjershën ma nxorre
nga gjoksi im!
… Kësaj, e dashur,
i thonë AMSHIM!
… Ai pa orën. Ishte afër mesnatës. Një kopje e printoi dhe e ngjiti tek xhami i etazherit, mbi lavamanin e aneksit. Kur të ngrihet në mëngjes, sigurisht që do ta shohë, tha me vete. Titulli, “ Amshim “, iu duk vërtetë i gjetur. Amshim, mendoi, përjetësi, si kjo meshë që u improvizua sot këtu. Libri, e shoqa dhe kjo poezi. Të treja, nën erën e mirë të temjanit, se ç’kishin një qetësi sublime, që më tepër ndjehej, se sa shprehej.
PROMOVIM
Ai ishte i gëzuar si rrallëherë në jetën e tij. Treqind kopjet e „Sfidës“ i kishte tërhequr që dje nga shtëpia botuese në Tiranë dhe i kishte lënë diku në dhomën e tij të gjumit. Thuajse s’kishte fjetur fare atë natë. Më së fundi, ëndërra e tërë atyre viteve ishte materializuar në një libër njëqindfaqësh me poezi, me titullin “Sfidë”.
Jo, asgjë pretencioze s’kishte në atë titull. Sfidë vetëm ndaj ekonomisë së tregut, thjeshtë për të siguruar mbijetesën. Përse, vetëm shoku i tij i fëmijërisë, Lami me një tetëvjeçare shatra-patra, të ishte kaq i zoti dhe të hapte një kioskë mu para shtëpisë së tij, ndërsa ai, me dy diploma të larta, të mos guxonte t’i thoshte një shoku: “Eja të pimë një kafe!”
Me këto mendime sfiduese në kokë, hyri në kioskën e Lamit që kutërbonte era qofte e raki. Seç kishte një si ndjenjë triumfi dhe karshillëku se, më së fundi, kishte ardhur dhe dita e tij.
- Hë, mo shkrimtar, qënke gdhirë me të mira sot. - u fut në temë Lami duke kruajtur kasketën e tij të lerosur që s’e hiqte dimër-verë. - Ç’haber do të na sjellësh që me sabah?
- Hajde, hajde ulu njëherë, o barkderr! Dhe na sill nga një teke dhe dy qofte.
Lami e pa shtrembër, po nuk vonoi ta sjellë porosinë. Me një ndjenjë kureshtjeje që s’i ndahej kurrë fytyrës së tij, e pyeti:
- Hajër ishallah, ç’e mirë e paska gjetur shkrimtarin tonë?
- E hapa dhe unë një kioskë, o Lam, por me leje, jo si kjo tëndja! - dhe nxorri nga xhepi i brendshëm i xhaketës “Sfidën” e tij. - Ja, kjo është kioska ime. Nuk i kam vënë emrin tim, siç ke bërë ti, “Lami“, por e kam quajtur „Sfidë“! Pas bekimit nga atë Joani mbrëmë, ky është promovimi i parë i librit tim dhe po e bëj me ty, ndaj duhet ta festojmë!
Lami e zuri librin me dorë, sikur të zinte për bishti një mi të ngordhur, lexoi duke rrokëzuar titullin dhe, disi i hutuar edhe nga fjala „promovim“,e pyeti:
- Hajër ishallah! E sa lekë do të fitosh me këtë?!
- Nuk e di. Në se shiten treqind kopjet e para, s’është problem të riprodhohen mijëra të tjera, sipas kërkesës së tregut. - dhe filloi të shkruante autografin e parë dedikues ne libër, për shokun e tij të fëmijërisë, Islam Rrokën: ”Do të isha i lumtur, në se libri im do të kishte suksesin e kioskës tënde, o Lam! Autori!”
Lam Rroka, duke kapsallitur sytë, nga që s’po merrte vesh gjë, më së fundi e pyeti shqeto për dyshimin që sa vinte dhe po i shtohej në një brazdë të trurit:
- Hej, lal, s’ta kam borxh unë që ti të bësh gallatë me mua që në pikë të sabahut! T’ju rrojnë trutë ju të shkolluarve!… Nejse, ta gëzosh kioskën tëndë dhe i pafsh hajrin! Tani tundi paratë që më qerase, se ika unë, s’kam kohë të merrem me dokrra!
Ai po hezitonte, ndërkohë që Lami ishte ngritur nga tavolina. Libri kishte mbetur pranë gotës së tij të rakisë, i hapur në faqen e autografit.
- E di, e di që ende s’ke nxjerrë një lek nga kjo kioska jote, ndaj po të qeras unë sot! - i tha Lami me një ndjënjë të fortë hakmarrjeje dhe bëri të ikte.
- Po prit, o Lam! Merre librin se e harrove! - e kujtoi tjetri, disi fajtor për gjuhën e përdorur.
- Ç’thua, more! E ha unë atë koqe ulliri! Librat më sjellin tersllëk. Po pate ndonjë “Kuran”, helbete, e pranon Lami! - dhe bëri për në punë te vet, andej nga banaku.
Ai zgjati dorën dhe mori „Sfidën“ e tij. Një njollë yndyre, siç duket, nga qoftet e Lamit, kishte pikuar pikërisht mbi gërmën „f“ të titullit, duke e fshirë atë dhe, i befasuar nga rastësia, ai lexoi: “Sidë“!
…Duke dalë nga dera e mejhanes, me një ndjenjë përhumbje, si një anije me vela që tundet sipas kreshtave te dallgëve, ai bluante me vete: “Ke të drejtë, o Lam! Desh të mora në qafë edhe ty duke të infektuar me këtë sidën time!“
HAKMARRJA E TMERRSHME
Ishte pikërisht tabloja e madhe e Manhatanit natën dhe mburrja prej snobi e Albertit, ajo që e acaroi bisedën e tyre. Shkeljet paralajmëruese të këmbës dhe disa të pickuara nën tavolinë që mori nga e shoqa, siç duket, nuk ishin të mjaftueshme për të ndërruar temë.
Berti kishte rreth dhjetë vjet që kishe emigruar në Amerikë dhe kjo ishte e para herë pas kaq kohësh që riprekte Shqipërinë. Ishte më se normale që t’i shkonte për vizitë shokut të vjetër, aq më tepër kur mësoi se ai vuante nga një sëmundje mushkërish. Më se normal edhe përqafimi e shmallja e tyre, pyetjet rutinë për shëndetin, punën dhe shkollimin e fëmijëve. Ulja në tavolinë dhe qerasja. Tymosja e cigareve, sidomos e Bertit që s’e hiqte nga buza, sikur kursente shkrepset dhe kolla e tij e herëpas’herëshme. Një kollë e thatë, kollë duhani, mendoi. Por, gjithësesi, kishte diçka që nuk shkonte në atë dhomë të mirëmobiluar, e cila kapej që në ajër. Mbase është theksi anglez me të cilin fliste Berti, ai që krijon një fare distance midis tyre, mendoi. Por kjo është e natyrshme pas gjithë atyre viteve në një vend të huaj. Megjithëse ky akcent nuk ishte i njëllojtë në të gjitha fjalët që ai shqiptonte. Mbase ishte masakrimi i emrit Albert thjeshtë në një Al, të cilin gruaja e tij nuk përtonte ta theksonte vend e pa vend, duke i hequr fare nga përdorimi përemrat vetorë, “ti” dhe “ai”, për të shoqin. Madje edhe përemrin “ne” e copëzonte në “unë dhe Al-i”!
Punë e tyre në se janë ithtarë të Al Paçinos, i tha ai vetes dhe me dorën drejtuar nga tabloja e madhe e Manhatanit të njohur në të gjithë botën, e cila kishte zënë një pjesë të konsiderueshme të murit përballë, më tepër për të thyer një moment heshtjeje të pakuptimtë, tha:
- E mrekullueshme Amerika!
- Jo Amerika! – e korrigjoi rrufeshëm tjetri. – Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe pikërisht shteti i Nju Jorkut. Me Amerikë nënkuptojmë dy kontinente dhe dhjetëra shtete, ku nuk mungojnë dhe vende mizerabël! – dhe sërish ndezi cigaren e radhës.
Si për t’i ardhur në ndihmë Albertit, ndërhyri nga korridori edhe e shoqa:
- Nuk ka problem, Al! Këtu në Shqipëri të gjithë e bëjnë këtë gabim! Po ne nuk mund ta tolerojmë, se e kemi shtëpinë pikërisht këtu në Menheten. – dhe u afrua pranë tablosë së madhe. – Ja, diku pas kësaj kullës këtu!
Ai ndoqi drejtimin e gishtit të saj, pa e patur fare mendjen aty. Tabloja paraqiste pamjet e stërpara në dhjetëra filma hollivudianë, ditën dhe natën. Natën, siç ishte fiksuar në tablo, vërtetë që dukej madhështor. Mbase ishin ato mijëra pikëzime dritash që e bënin këtë panoramë elektronike aq mbresëlënëse.
Po sikur t’i heq spinën nga priza, mendoi për një moment. Magjia do të zhbëhet dhe ajo do t’i drejtohet për ndihmë Al-it të saj! Por, sigurisht që nuk do ta bënte një budallallëk të tillë. Veçse, gjithnjë e më tepër po e ndjente se diçka duhej të bënte. Ajo “diçka” ishte tërësisht e papërcaktuar dhe ai më tepër e përjetonte si një nevojë çlirimi, si një mundësi për t’u mbushur normalisht me ajër. Dhe mundësinë ia solli vetë i zoti i shtëpisë.
- Të të tregoj diçka unike, i dashur! – tha ai përmes kollës dhe mori një fotografi në mes të një albumi që qëndronte në cep të tavolinës.
E paska patur gati edhe këtë foto, mendoi ai, ashtu si dhe Manhatanin që e ka varur në mur. Rrezik që, kushdo që vjen këtu për vizitë kortezie, po këto muhabete dëgjon. Dhe vështroi foton. Berti ulur mbi një postiqe, këmbëkryq si dhe indiani që kishte pranë. Të dy pinin duhan me llullat e gjata, karakteristike të indianëve të Amerikës. Berti i veshur sportiv dhe indiani me puplat shumëngjyrëshe dhe fytyrën e bojatisur. Në një trotuar ku, pas tyre, shiheshin këmbë kalimtarësh.
- Jemi pikërisht para kullës më të lartë…, kësaj këtu! – tha Alberti dhe s’përtoi të ngrihej e ta tregonte në tablo. – Është pikërisht nga ai fis indigjenësh që dikur kanë patur kasollet e tyre pikërisht këtu në Menheten!… Ç’kontrast ë..? Progresi, USA dhe, nga ana tjetër, prapambetja e mbetur në barbarinë e saj! Dhe i gjithë ky kontrast i llahtarshëm, vetëm në dy shekuj!
Duke iu shmangur me lezet fjollave të tymit të tjetrit, ai vendosi se duhej të mbushej mirë me ajër dhe, më tepër për t’iu kundërvënë Al-it, tha:
- Por mos harro se pushtimi i Amerikës nga evropianët, nga stërgjyshërit e amerikanëve të sotëm, ishte genocid. Madje, me ngjyrim rracor: Të bardhët kundër lëkurëkuqëve!
Këtu ndjeu shkeljen e parë të këmbës nën tavolinë, ndërkohë që bashkëbiseduesi kishte mbetur si i hutuar nga “bomba” që porsa shpërtheu. Por ai tashmë e kishte vendosur që duhej të mbushej mirë me frymë.
- Ky është thelbi i kësaj fotografie, ndërsa ata rrokaqiej që ngrihen atje në atë tablo, si monumente lavdie e triumfi, për mua, kot sa gënjejnë veten!
Tashmë shkeljen e këmbës e ndjeu të plotë dhe tërë inat. Ish-shoku i dikurshëm e shikonte sikur të dëgjonte sakrilegjin më të madh në botë. Pauza e radhës zgjati më tepër se zakonisht dhe, dikur, me cigaren që i dridhej në dorë, ai e pyeti, sikur të pyeste një alien:
- S’po të kuptoj fare, i dashur! Ç’është ky genocid?!… Bukur që këto kulla janë monumente lavdie e triumfi, po përse gënjekan veten?!
Ai vendosi që t’i jepte goditjen përfundimtare. Nuk ndjente mëshirë, madje mendonte se ashpërsia do t’i bënte mirë, jo vetëm delirit, por edhe mushkërive të tij të sëmura. Një pickimë që ndjeu nën tavolinë, e para e këtij lloji, ndaj ai e largoi këmbën nga e shoqa, ia shtoi edhe më tepër inatin:
- Mund të të pyes se ç’të ka thënë mjeku atje në USA për shkaktarin e sëmundjes tënde të mushkërive?
- Po ajo dihet. Më ra goja që ta lerë atë të shkretë duhan! – u përgjigj instiktivisht gruaja e Al-it, duke e harruar qëmtimin e fjalëve të zgjedhura dhe ambalazhimin e tyre me theks amerikan…
- Duket! – e ndërpreu menjëherë ai, nga që e ndjeu se gjahu i doli në shteg dhe mori në dorë foton me indianin. – Duket dhe këtu se si e thith duhanin e indianit. Jo vetëm ti, por edhe unë, edhe miliona e miliarda njerëz në Europë e në mbarë botën. Po a të ka shkuar ndonjëherë në mendje ty, o i bardhë i gjorë, se ky duhan që po tymos është duhani i këtij lëkurëkuqit këtu, i të parëve të tij? Hë mo, fol?! – iu drejtua tjetrit ai, me ndjenjën e atij që e ka vënë dikë përpara dhe vetëm formalisht kërkon t’i japë mundësinë për t’u kundërpërgjigjur.
- Sigurisht, dihet që duhani është përhapur në botë nga indianët e Amerikës…! – u detyrua të pohojë me zë të nemitur Alberti, duke e harruar edhe fjalën USA.
Që nga nëntavolina, tashmë ai i ndjeu të dyja bashkë, edhe shkeljen, edhe pickimin. Por gjithshka ishte e kotë. Ç’ishte për t’u bërë, thuajse u bë, vetëm se s’mund të lihej pa përfunduar.
- Epo, të na rrojnë këto monumente lavdie e triumfi, atëherë! – dhe bëri me dorë nga tabloja elektronike e Manhatanit. - Ky indian lëkurëkuq këtu rrëzë tyre, sipas mënyrës së tij, ka fituar! Dhe ç’të fituar se! Dhjetëramilionë njerëz vdesin çdo vit në botë nga duhani, shumë më tepër të tjerëve u shkurtohet jeta. Ne, të bardhëve, lëkurëkuqi na ka dhënë të mbajmë me vete, pambarimisht brez pas brezi, këtë minë me sahat që quhet cigare! Si një mallkim për atë genocidin e dikurshëm! Dhe i tërë globi ynë është me TBC në gjoks!
…Kur dolën në rrugë, inatit të gruas se “… me ty nuk shkohet
askund!”, ai iu përgjigj si nga një botë tjetër: Ndërsa me genocid shkohet në Hakmarrje të tilla të tmerrshme!
PASSTINA ELEKTORALE
Iku dhe kjo stinë elektorale, i foli ai vetes. Siç po ikën edhe vjeshta. Shkrepëtimat e qiellit u përzien e u nakatosën keqazi me ato të fjalimeve. Sigurisht, para tyre, në atë diferencë kohore midis dritës dhe zërit, të parat ishin vetëtimat. Ato ndodhnin diku në skaj të qiellit dhe zgjasnin aq sa për të të frikësuar me imazhet fantazmagorike të reve, që zor se të shlyheshin lehtë nga kujtesa. Ashtu siç përjetësonin në celuloid blicet e fotoreporterëve buzëqeshjet hakërryese në fytyrat e liderëve, teksa i jepnin dorën njeri-tjetrit. Por këto ishin vetëm çaste paralajmërimi që i përkisnin parafushatës, parabetejës. Më pas vinin shkrepëtimat. Ato të tromaksnin me rrokopujën që zbriste nga qielli, sikur një hobe gjigande thyente e dërrmonte kokallat e Djallit. Kjo zgjaste disi më tepër, por ato ishin aq të shpeshta, sa që i gjithë muaji i fushatës elektorale ishte i mbushur me to. Sidomos ekranet e TV-ve ulurinin në të gjitha edicionet e lajmeve. Ndërsa tifozët e mitingjeve kishin privilegjin e madh që, jo vetëm t’i dëgjonin, por edhe t’i shikonin shkrepëtimat! Tashmë buzëqeshjet hakërruese të parafushatës ia kishin lënë vendin imazheve të ringut të tribunave, nofullave të shtërnguara, vetullave të çara e pllangave të gjakut të pështyra kudo nëpër tapet. Pas nokdauneve të njëpasnjëshëm, më së fundi vinte edhe nokauti fatal. Nuk njihej kurrë fitorja me pikë. Ajo s’ishte fitore burrash! Nokauti po! Dhe fitimtari hidhej me dorezat lart brenda litarëve, sikur më tepër i gëzohej përgjakjes së kundërshtarit mbi tapet, se sa brezit të kampionit që i shtërngonte belin!
Sa mirë që shpëtuam nga ajo zallamahi, mendonte ai tek ecte kuturu nëpër rrugët e qytetit, në atë mesvjeshtë të lagur nga shirat e përditshëm. Stina elektorale e kreu ciklin e vet edhe për këtë vit dhe duhet të presim vitin tjetër, kur ajo, si një kafshëz e urtësuar, papritur do të fillonte të zgjaste kthetrat e të ulurinte. Ishte një e keqe e domosdoshme, përderi sa kishte dhe idhtarët e vet. Jo më kot kishte zënë vend midis stinëve, pikërisht në mesin e vjeshtës së dytë, muajit me më tepër shkrepëtima, sikur të kërkonte ta fshihte zallamahinë e vet mes atyre. Deri sa njerëzit të harronin dhe të shlodheshin ca për të rimbledhur forcat, që gjithçka të fillonte nga e para vjeshtën e ardhshme.
Mos ardhç kurrë, moj stinë e pestë, gati thirri ai me vete. Shiko ç’pisllëk ke lënë prapa, kudo nëpër qytet. Mure të llangosur me bojëra nga më të çuditshmet, deri tek e zeza e një kryqi të thyer, çuditërisht në lagjen e arixhinjve! Ndërsa një drapëreçekani i kullonte e kuqa e gjaktë, pikë-pikë, në fasadën e supermarketit të një afaristi. Era e ftohtë shqeu posterin e kandidatit të një partie të blertë dhe fytyra e tij e deformuar, si një gjethe vjeshte, u zhduk diku poshtë rrotave të një kazani plehërash.
Fasadat janë më të goditurat, më mjeranet në këtë qytet, vazhdoi ai dialogun me vetveten. Dhe s’është për t’u çuditur. Gjatë një beteje me bombardime, të parat që e pësojnë, janë fasadat e pallateve. Predhat në to kishin format e posterëve gjithfarësh. Që nga ato të kandidatëve të partive të vogla, të cilët, jo vetëm s’merrnin para, por kusht për kandidimin e tyre ishte pikërisht dhënia e parave për partinë, dhënie që tingëllonte bukur pas fjalës “sponsorizim”. Ndërsa privilegjin e veçantë e kishin kandidatët e dy partive të mëdha. Fytyrat e tyre, përveçse përsëriteshin me dhjetra herë përbri njëra-tjetrës, si në njëshkolonë ushtarake, kishin zënë edhe pikat më dominuese të qytetit. Disa syresh ishin ngjitur si balona të mëdha edhe mbi tarraca, përveç trotuareve ku kishin zëvendësuar reklamat e cigareve. Dhe, mbi të gjithë, qëndronin dy liderët. Ata kishin pushtuar kalanë e vjetër të qytetit duke u ngulur në bedenat e saj dhe sikur kontrollonin me vështrim strategësh krejt fushën e betejës.
Rrënojat e betejës janë të prekshme kudo, mendoi ai. Aq të prekshme, sa që ende na gjëmojnë në veshë shkrepëtimat. Ato ndeshen diku atje lart në qiell a në Parlament, por rrufetë i zbrazin këtu tek ne, në tokë! Dhe qyteti dergjej plot plagë nën këmbët e tyre. Një katrahurë e vërtetë.
Don të dish përmasat e një beteje, kishte thënë dikur një gjeneral. Shko e shiko fushëbetejën mbas lufte! Dhe ushëtima e bubullimave, si jehonë e largët e betejës së rrufeve, vazhdonte si zaurimë në veshët e banorëve. Deri kur, pyeti ai dhe u përgjigj po vetë: Deri sa fushatat të mos na bëhen si stinët!
Duke u kthyer për në shtëpi, nëpër fasada ndërtesash dallonte edhe kuadrate të bardhë, krahas portreteve të zbërdhulur nga dalja e bojës, pasojë e shirave dhe e dritës. Koha bën të vetën dhe ata po bien, mendoi ai. Është prag dimri dhe nuk rezistojnë dot deri në vjeshtën e ardhshme. Të gjorët katërkëndësha të bardhë…
Katërkëndësha të bardhë, çuditërisht të bardhë,
Të zbehur si meiti rrinë e heshtin në vetmi,
Vështrimit të kalimtarëve dot s’i bëjnë ballë…
Fund vjeshte. Rigon shi… Rigon shi…
Dhe bien portretet të qullur në trotuare,
Si fletë të verdha që i tremb dimri,
Fshesarët në kosha i mbledhin me plehërat…
Fund vjeshte. Rigon shi… Rigon shi…
DHE ENGJËJT SIMULOJNË
Kishte më tepër se një vit që rituali i daljes së tij në mëngjes nga shtëpia ishte plotësuar me një detaj të ri. Aty në fund të rrugicës së kalldrëmtë, tek harku i bërrylit ku fillonte rrugica tjetër e asfaltuar, e kthyer tashmë në shitore fruta-perimesh nga fshatarët, ishte ngulur një lypës dymbëdhjetëvjeçar. Ishte pikërisht funksioni i ri i rrugës ai që kishte joshur dhe lypësin e vogël. Një simbiozë spontane: Për sa kohë të ishte tregu rrugor, aq do të qëndronte në pritë dhe lypësi, ndërkohë, në se vinte një ditë dhe s’do ta shihje më dymbëdhjetëvjeçarin, do të ishte e sigurtë që rruga e kishte kaluar fazën e tranzicionit.
Nuk ishte se ai u jepte para të gjithë lypësave që i dilnin përpara. Por, me këtë të riun, ndryshonte puna. Jo se ishte i pari që i priste rrugën, as se tashmë ishin komshinj. As s’e kishte mësuar që ai ishte jetim. Nuk ia shtonte dozën e keqardhjes paterica që e ekspozonte dukshëm mbi sofatin e derës së teto Lenkës, as edhe boshllëku i këmbës së pantallonit të djathtë që shtrihej para tij, edhe si një pëllëmbë mëshire, edhe si një gjuhë e stërmadhe lope, për të përfshirë të gjitha ato që do t’i hidhnin kalimtarët e shumtë. Jo dhe jo! Enigma qëndronte tek diçka ëngjëllore në krejt portretin e tij. Një përvujtëri bindëse, pa fjalë grishëse për t’i hedhur diçka, nga ato zhargonet e gatshme që i kishte mësuar përmendësh nga turma e lypsave të tjerë. Sidomos sytë e tij kishin një trembje të përherëshme, sikur po bënte diçka të turpshme, deri në sakrilegj.
Lypësi i vogël i sokakut ishte ora kronometrike e hapjes dhe e mbylljes së orarit zyrtar të tregëtarëve të fshatit. Ai ulej mbi kartonin e vet ngjyrë kafe që kur fekste agu i mëngjesit dhe ngrihej dhe e merrte atë me vete vetëm pasi ikte tregëtari i fundit, atëherë kur muzgu fillonte të bëhej i plotë. Kurrkush s’e kishte parë duke ecur me patericën e tij të vogël. Kurrkush s’dinte të të thoshte se ku hante e ku flinte. Teto Lenka e kishte vënë dorën në zemër dhe e kishte lejuar “të punonte “ nën strehën e portës së saj që, së paku, të mos e lagnin shirat. Por edhe blerës të ndryshëm, në mos qindarkat e xhepave, s’mëngonin t’i hidhnin në kanistrën që mbante pranë, fruta e perime nga çantat e tyre të mbushura dingas. Monedhat përziheshin me mollët e veshulët e rrushit, me domatet e karrotat, me ndonjë misër të pjekur apo kokërr ftoi, me gjithçka që zgjonte mëshirën e kalimtarëve. Thuajse çdo ditë kanistra mbushej plot dhe, dikur ai bëri çudi, se si mundej me atë patericë ta ngrinte e ta çonte mundin e ditës në kasollen e vet të vogël?! Kureshtja bëri që në muzgun e një dite, duke qëndruar enkas në vëzhgim, ai të shihte gjithçka: Një moment kur në rrugë nuk pipëtinte xhan-xhin njeri, Benz-in që qëndroi para lypësit të vogël, siluetën që hapi bagazhin dhe…, ç’tmerr, por njëkohësisht, pavetëdijshëm edhe një drithërimë gëzimi e përshkoi të tërin. Gjuha e varur e lopës u mbush e u drejtua, u ngrit në pozicionin vertikal dhe, pa ndihmën e patericës, e dërgoi kanistrën e mbushur dingas në bagazhin e makinës! Më pas, më tepër me kërcim se sa me hap, lypësi i vogël rrëmbeu patericën dhe u zhulat në derën e pasme të hapur të benz-it.
Që nga ai moment ai vendosi të mos i hidhte as sytë batakçiut të vogël. Por ishte e kotë. Vetvetiu këmbët i ndaleshin para sokakut të tij dhe vështronte sytë e trembur, të cilët, sikur kërkonin ndjesë për fajin e pafalshëm. Do të mbetet vërtetë ulok, mendonte. Tërë ditën me atë këmbë të njomë nën vete, për të realizuar simulimin! Dhe fuste dorën në xhep dhe e zbrazte nga qindarkat. Më pas, pasi bënte disa hapa, sërish pendohej. Mëshirë për kë? Për atë birbon me benz! Se gjithçka përfundon tek ai barkderri! Të paktën frutat e perimet duhet t’ia japë fëmijës, thjeshtë për ta rikuperuar për xhepat e tij!
Shtirje, mendoi. Gjithandej mashtrim. Edhe atje ku ke nevojë të derdhësh një lot, të zë frika se më pas do të qeshin me lotët e tu! Por lypësi i vogël nuk do të qeshte me mëshirën e tij. Ajo e tija s’ishte mëshirë, ishe dhimbje. Dhe këtë e shihte tek sytë gjithnjë të turpëruar të simulantit me patericë, të cilët, sikur i kërkonin me ngulm, me përgjërim, ndjesë! Madje, mendoi, ai është vetë i kryemashtruari. I kryemashtruar nga simulanti i madh, nga ai barkderri me benz. Madje, i mashtruar nga një botë e tërë simulante!
… Atë ditë tragjike për lypësin e vogël, edhe pse kishte marrë një honorar të mirë, ai i hodhi monedhën më të madhe të mundshme që kishte në xhep, njëqind lekë. Nuk kishte bërë as disa hapa, kur ndjeu zërin e alarmuar të fëmijës: Jo atë, jo, patericën jo!
Rrëmbimthi ktheu kokën. Skena që pa ishte rrënqethëse. Lypësi i tij, i rrëzuar mbi kalldrëm, mbante me të dyja duart gjurin e përgjakur. Atë gju që tashmë e kishte nxjerrë lakuriq nga mënga boshe e pantallonit. Me duart e ndera në drejtim të disa djemve të lagjes që qeshnin me të. Ndërkohë, ata ngrinin lart patericën e tij të vogël, si simbol të heroizmit të tyre, sikur të kishin zbuluar korrupsionin më të madh qeveritar. Ai i shkoi pranë me nxitim. Kalimtarë të shumtë të asaj ore filluan te grumbulloheshin dhe ai dëgjonte copëra batutash: I shkreti, ç’kanë me të?!… Hë mo, se nuk qenka sakat!… Na paska gënjyer të tërëve!…
Ai u përkul edhe më tepër mbi djalin dhe vuri re se gjuri i fshehur, i stërmadh për atë këmbë të hollë që kish mbetur gjithnjë në hije, ishte dërrmuar keqas. Dy të çara të thella ia kishin bërë lulekuqe kupën dhe disa pika gjaku vashdonin të binin mbi gurët e kalldrëmit. Nuk do të mundet dot më ta përthyejë këtë gju për të vazhduar punën, mendoi ai me një ndjenjë revolte që sa vinte i rritej. Është ngritur vrullshëm për të marrë patericën e rrëmbyer, ka harruar simulimin, por këmba e fshehur, e pamësuar me ecje, e kthyer më tepër në një rudiment, nuk e ka përballuar dot as peshën pupël të trupit të tij dhe ai ka rënë mbi sokakun e kalldrëmtë. Tashmë, ka të ngjarë që ai të jetë një i papunë. Barkderri do ta flakë, jo në sokak, por në ndonjë baltovinë! Dhe, çuditërisht ndjeu dëshirën që tutori të vinte aty në këtë moment, vetëm për t’u treguar vendin atyre që ende vazhdonin të qeshnin me trofenë e zbulimit të tyre, sepse ata i kishin prishur biznesin! Por vetëm kalimtarë me indiferencën e kureshjes, që vinin e iknin e asgjë më tepër.
- Më fal, xhaxhi! Na, merre njëmijëlekëshin që më dhe sot!… - ndjeu ai zërin e lypësit të vogël dhe dorën e zgjatur me monedhën që i kishte dhënë para disa çastesh. - Unë e di që jam i keq!
E ndjeu që sytë iu rrëmbushën e iu bënë të lagësht. Nuk duronte dot më.
- Unë e di!Unë gjithmonë e kam ditur!… Ti je ëngjë1l! – bërtiti me zë të lartë, edhe pse gjindja përreth tij lëvizën të befasuar dhe e hapën rrethin. – Ti nuk je gënjeshtar, nuk je simulant! – thirri me duf, duke iu drejtuar më tepër atyre që rrinin në trotuarin matanë me patericën e vogël në dorë. – Ju jeni simulantët e vërtetë, ju që po bëheni burra dhe hani qyl në kurriz të familjeve tuaja!
Askush nga ata që ishin rrotull nuk tha një fjalë të vetme. Sikur të ndodhte, nuk e dinte as vetë se ç’do të kishte bërë! Me lypësin e vogël në duar, i cili shtërngonte fort patericën që ia kishin sjellë, ai shkoi drejt shtëpisë së tij, disa dhjetëra metra më tutje. Në atë distancë të kalldrëmtë, sikur ta nanuriste për ta vënë në gjumë, ai s’pushonte duke i thënë: Ti je engjëll! Dëgjomë mua! Pse, engjëlli s’ka simuluar, nuk ka gënjyer? Ku i gjeti krahët që fluturon?! Ti s’ke krahë vërtetë, por ke patericën tënde të vockël. Ajo është krahu yt për të fluturuar në këtë botë ku duan të të flakin! Ja, unë do të të tregoj një përrallëz të vogël, një përrallëz që do ta bësh ti kur të rritesh:
Ti, botë e ndyrë, që më mashtron përditë
Dhe si mbeturinë më flake në sokak,
Me patericën time të simuloj mëshirë!
Mos u revolto!
. . . Të gënjej fare pak!
BYTHËLEVIZURI
Ai u bë pishman si derri që vuri këmbë në atë dyqan mobilerie. Por tashmë gjithçka ishte e kotë. Të bësh një hap para, na qenkej shumë më e lehtë se sa ta bësh prapa. Hapi prapa do të thotë tërheqje, një lloj sprapsje e nxitur nga frika. E thënë ndryshe, zbythje, do të thoshte Sokrati.
E ku ta dinte ai se i zoti i lokalit na qënkej pikërisht Avniu, Avni Gorica?! Ai Avni që ishte bërë garant për të para pesëmbëdhjetë vitesh. Jo garant për gogla dushku, por i kishte dhënë rekomandimin për t’u futur në parti. Megjithëatë, hallin më të madh që s’donte të përballej me atë njeri, nuk e kishte për motet e shkuar, se sa për ato fjalë që i kishte thënë Avniu para dy vitesh: Të të vijë zor, more djalë! Unë kam hyrë garant për ty atëherë kur vihej koka në tepsi, ndërsa ti shkon e më mbet nipin në lëndën tënde!
Ai s’kishte mundur t’i përgjigjej, se Avniu kishte ikur si shiu nëpër breshër. Dhe ja ku ishte tani përballë tij. Përballë Avni Goricës, i shkurtër e rondokop, me një goxha bark si në muajin e nëntë. Prehej i pushtetshëm mbi një karrige lëvizëse me rrota, të cilat, nën shtytjen e këmbëve të tij, lëviznin ritmikisht sa majtas-djathtas. Rreth e rrotull, në një hapësirë bukur të bollshme, do të thoshte Sokrati, ishte mbretëria e tij: Dhoma gjumi me të tërë aksesorët e mundshëm, tavolina të përdorimeve të ndryshme, etazherë gjithfarësh dhe plot farfurina të tjera që ai s’e kuptonte se përse hynin në punë. Gjithësesi, me një vështrim të sipërfaqshëm, syri s’i kishte zënë karrige të lëvizshme me rrota, për të cilën dhe kishte ardhur. Ja, si ajo ku prehej trupi rondokop i pronarit Avni, të cilin, prania e tij, sikur e kishte bërë edhe më të gjithëpushtetshëm.
- Mirëdita, shoku Avni! - e përshëndeti ai dhe në çast kafshoi buzën për atë fjalëzën “shoku” që i shpëtoi ashtu padashje. Po sikur ai tjetri t’ia merrte për provokim? Medemek, se kërkonte t’i kujtonte kohën e shkuar kur Avniu kishte qenë nga ata komunistë të thekur, sa që partia u kishte besuar edhe vazhdimësinë e radhëve të saj. Sigurisht që Avni Gorica sot s’mund të ishte krenar për atë të shkuar. Në vitet e para të demokracise, gjithkush e dinte në qytet se Avnia, siç do ta quante Sokrati, ishte rinovuar pa limit, duke kërcyer hatashëm matanë barrikadës. Dhe nuhatja s’e kishte gënjyer edhe këtë herë. Ja tek vazhdonte të ishte, më mirë se kurrë, rondokop mbi karrigen lëvizëse, i pushtetshëm e i vetëkënaqur mes mbretërisë së tij, afendiko i dyqanit më të madh të mobilerisë në qytet.
Ajo fjalëza “shoku”, sigurisht që s’ishte gëlltitur nga i zoti i dyqanit. Përveç një tiku nervor që iu bë i dukshëm diku në tëmthin e majtë, rrotat e karriges e shpeshtuan vajtje-ardhjen majtas-djathtas. Dhe gjithshka u qartësua përfundimisht kur goja e Avnisë zuri të artikulojë tinguj:
- Nuk je në dyqanin e NTSH-së këtu që të thuash “shok”! Ky është dyqani im dhe të gjithë më thonë “zotni”! Po duket që ke mbetur prapa botës…!
- Në fakt ke të drejtë! - iu përgjigj i vetëpërmbajtur ai. - Duket që ju keni ecur goxha para botës! - dhe bëri një rrotullim pa adresë të kokës, si për t’i thënë se ajo “para botës” kishte të bënte me gjithë atë mall e pasuri që kishte ai dyqan. - Por, nuk është faji im që më shpëton ndonjë herezi e tillë! - shtoi njëherazi si fajtor, duke e ditur fare mirë se ai tjetri do të bintë qorrazi në kurth.
- Ç’thua, more?! Dhe i kujt na qenka ky faj?!
- Sigurisht që i yti, shoku…, më fal, zoti Avni. - vazhdoi ai me të njëjtin ton përvujtërie, ku nuk ishte zor të dalloje sarkazmën fshikulluese.
- Këtu ke të drejtë.
- Prandaj paske hyrë garant ti, zoti Avni? Për shpërblim!
Avni Gorica, më së fundi u ngrit nga karrigia me rrota. Nën peshën e trupit të tij, ajo bëri tuje duke rrëshqitur disa pëllëmbë. Është i vetmi objekt lëvizës në tërë atë hapësirë të mbushur me mall. Ashtu si i zoti që qëndron mbi të, mendoi ai. Karrige bythëlëvizur. Garant bythëlëvizur. Hyn garant për bythën e vet.
- Ke mbetur prapa kohës, mor djalë! - bëri babaxhanin Avniu. - Atëherë e kishte fajin koha, kurse tani e ke fajin ti!
Ka njerëz që kohën, si pelën e tyre e shajnë, i feksi në kokë vargu i një poeti të shquar. Po Avnisë, kush ia ka fajin, koha? Sigurisht që jo! Atëherë koka? Mbase, por më e saktë, siç do të thoshte Sokrati, do të ishte: Avni Goricës ia ka fajin bytha, se ai për të ka menduar gjithmonë, se ai e ka vënë kokën në shërbim të saj.
Avni Gorica tërë jetën ka qenë garant i bythës së vet, mendoi. Ndërsa tjetrit vetëm i tha se po dilte të kapte kohën e humbur, atë kohë që ma rrëmbeve ti, o shoku Avni. Dhe bëri tutje, për nga dera me xhama të trashë, tmerrësisht të mëdhenj.
-
Ai mbajti këmbët dhe u kthye në gjysmëprofil:
- Më duhej një karrige me rrota, si ajo ku rri zotrote. Po m’u ndërrua mendja. Ti vetëm një ke dhe s’bën dot pa të, ndërsa unë s’kam ndërmend të të zëvendësoj!
Dhe iku, iku pa e kthyer kokën pas.
Në mbrëmje vonë, do të shkruante në bllokun e tij:
Besova në shumë gjëra që më thanë ca njerëz,
Në ca “ të vërteta” që “s’i luante as topi”,
Ca “të vërteta” të tjera i shpallin sot absolute
Paturpësisht po ata njerëz me vështrim miopi.
Për “të vërtetat” e para unë s’mbaj përgjegjesi,
Ju besova ju të rriturve, vetë isha fëmijë!
Për “të vërtetat” e dyta, fajin e kam vetë,
Në se oborrtarin e djeshëm sot e marr për mbret!
Veç të bardha e të zeza më servirni në pjatë…
Ju rruat mundimi, s’e ha më atë sallatë!
NË DJEPIN E LEGJENDËS
Si nuk bëre një fotografi me të, o trap, i tha vetes! Pikërisht në atë vend simbol. Dhe ishte një rast i vetëm që nuk përsëritet kurrë më! Ashtu siç do të të mbetet peng i përjetshëm ai mosfiksim në celuloid.
Gjithshka kishte ndodhur para disa ditësh. Mos pyesni qysh e tek, nga, si e kur e njohu Poetin. Rëndësi ka që me të, prej kohësh kishte krijuar një lidhje të veçantë shpirtërore. Dhe si gjithshka shpirtërore, kontaktet ishin të rralla. Ai vetëm në pak raste i kishte shkuar në shtëpi, sikundër dhe tjetri, vetëm para disa ditësh i kish trokitur në derë. Jo se nuk dëshironte t’i shpeshtonte vizitat e tij, po druhej se do të hynte në aradhën e bezdisësve megallomanë që edhe një foto me Poetin e madh (ai nuk ia mohonte kujt daljen në fotografi) e tundnin si pasaportë të personalitetit të tyre të shquar.
Shkurt, pas ceremoniesë standarte të mikpritjes në sallonin e vizitave, kur mësoi se i jati i tij po ziente rakinë në oborrin e shtëpisë, ai kërkoi që pikërisht atje të bëhej dhe qerasja. Dhe ulën kokat e hynë brenda një tende të improvizuar me llamarina, mbështetur tek muret e lashtë të kalasë së qytetit, pikërisht në të vetmen pjesë që, sepse kishte mbetur e lagësht dimër-verë, aq sa gurët e rëndë mesjetarë mezi dukeshin mes lëmyshkut të dendur.
- Kështu të lagur e mbaj mend gjithmonë këtë vend. – i tha i ati Poetit, ndërsa i mbushte gotën e rakisë drejtpërdrejtë nga currili tepër i hollë i fyellit prej bakri. – Legjenda thotë se pikon e rrjedh qumështi i asaj nuses së muruar, ja, pikërisht atje lart, tek ajo kamarja ku unë kam vënë fenerin.
Poeti heshti për disa çaste me vështrimin sa tek gurët e veshur me pushin e gjelbërt, sa tek currili i rakisë, që në fundin e tij, sikur t’i shteronin fuqitë, shndërrohej në një zinxhir pikëzash imcake. Ai e shikonte portretin e njohur të Poetit dhe, si gjithnjë kur ishte pranë tij, i dukej vetja sikur ishte pranë një patriarku. Mbase këtë ndjesi ia jepnin flokët e gjatë e të thinjur, mbase kapërcimi i pragut dhe hyrja e tij në moshën e thyer, mbase tërë ajo mençuri e urtësi që i buronte nga sytë. Sigurisht, ai ishte mjaft popullor dhe mjaft bëma të tij edhe jashtë artit, ishin bërë proverbiale e tregoheshin kudo. Unë jam Askushi dhe ai është Gjithkushi, mendoi ai me keqardhje dhe krenari njëkohësisht.
- Sa vështirë është të lindet legjenda…! – tha Poeti i gjallëruar, sikur porsa të kishte zbuluar një secret fondamental. – Është një teknologji e gjatë dhe fine. Tepër e gjatë, që kërkon shekuj të përfundojë. Ja, si teknologjia e rakisë. Ne këtu jemi bash midis dy rrëkëzave. Ajo e legjendës, tamli që rrjedh në këtë mur kështjelle dhe kjo rrëkeza tjetër këtu, - zgjati ai gotën dhe e mbushi vetë në zinxhirin e rakisë – e cila është çelësi për të kuptuar të parën.
Ku do të dalë, mendonte ai me vete. Ç’të përbashkët kishte mënyra e lindjes së një legjende me teknologjinë e zjerjes së rakisë? Sigurisht, tashti do të dëgjonte një paralelizëm të gjatë figurativ dhe vërtetë, sikur ta kishte nuhatur pyetjen, ai vazhdoi:
- Legjenda është si kjo rakia e fortë që fle e përgjumur në hapësirat pa anë të vreshtave. Janë mijëra këngë, valle, përralla, është folklori i tërë i një populli që transmetohet brez pas brezi dhe në tërë këtë univers, idetë më të mëdha, ato të egzistencës së tij, krijojnë galaktikat, legjendat. Ja, ideja e vetësakrifikimit për hir të një egzistence shumë më të madhe, do të lindëte legjendën e murimit. Dhe vilen pjergullat dhe koshat me rrush zbrazen në butet e mëdha.
Miliona vargje, lëvizje vallesh, personazhe përrallash,
- Dhe duhet të kalojnë ditë dhe netë që mushti të zjejë me tërbim.Gjithshka brenda tyre bluhet e trazohet, që vetëm palca të rrjedhë për rakinë… - ndërhyri ai me një drojtje të lehtë, se mos nuk ishte sinkron me analogjinë e tjetrit.
Poeti e gjeti me vend këtë zhvillim të paralelizmit dhe, i kënaqur, e ktheu gotën e radhës me fund. Dinte ta pinte rakinë, madje atij iu duk se më tepër se të, ai pinte mushtin e legjendës. E pinte si lëng jetëdhënës, siç pinin perënditë e lashta greke elsirin e tyre. Dhe në ato çaste, Patriarku i poezisë iu duk si emblema e dy kohëve, i pavdekshëm si E vërteta.
- Po me kaq legjenda s’ka lindur. Edhe pse kanë kaluar qindra vjet, me kaq legjenda veten s’e zbulon! – u hodh sërish Poeti, sikur nxitonte të mos i ikte filli i mendimit që sapo i kishte shkrepur në tru. – Duhet Zjarri i Madh i Provës që vetëm palcën kurrizore kërkon! Ky Zjarr mund të jetë një luftë e madhe, një pushtim i gjatë, ndonjë hata e natyrës…
Ai ndjeu një turbullirë të lehtë e të ëmbël. Sigurisht që alkooli po fillon të veprojë, i tha vetes. Ja edhe tek Poeti ndjehej ai shpërqëndrim i lehtë i levizjeve të duarve. Sikur e muruara e legjendës, së bashku me pikat e tamlit, po i përkundte në djepin e legjendës. Po i përkundte me këmbën e saj që duhet ta kishte lënë jashtë atyre blloqeve gurësh tërë myshk. Ja dhe syri i saj që i vështronte nga ai fener i ndezur lart në kamare. I mëkonte, i përkundte dhe i vështronte. Tamam si në legjendë! Pse, kush më mirë se Poeti duhej të ishte fëmija-stërnip i nuses së muruar?!
Ai e pyeti se kur do të lindej legjenda dhe tjetri improvizoi ngadalë:
- Dhe ndizen zjarret nën kazanë
E rakia e fortë zë e rrjedh,
Kujdes, se flaka e madhe të verbon
E pikën e parë mirë nuk e zgjedh!
Më pas, pasi e mbushi gotën, e ngriti lart si për ilustrim dhe sërish improvizoi:
- Kështu, Legjenda tashmë ka lindur…!
Por fama e saj rrugën s’ka marrë,
Duhen vite e vite të tëra
Që fama me durim të shtohet në qilar…!
- Dhe pastaj vihet etiketa “Raki Skrapari”. – i tha i ati duke buzëqeshur, sepse vargjet e sajuara i kishte kuptuar fare mirë.
- Raki Skrapari do të zjehet për çdo vit, - tha Poeti me një ton keqardhës – por legjenda nuk do të lindin më kurrë! Ato janë mbyllur nëpër shpella, bashkë me kreshnikët. Që kur doli shkrimi, se shkrimi ishte ilaçi i ngrirjes, i balsamosjes së tyre. Tashmë ato janë ngurtësuar, janë kthyer në mumje. Por ne na magjepsin me bukurinë e tyre, si kjo nusja e bukur këtu mbi kokat tona që vazhdon ta pikojë prej shekujsh për ne qumështin e gjirit të saj!
… Më mirë që nuk bëra fotografi, mendoi ai pas disa ditësh. Sikur të ishte kujtuar e të tentonte të shkrepte aparatin, kishte të ngjarë që Poeti t’i thoshte: Ç’bën?! Kurrkush s’ka mundur të fotografojë legjendat! E ç’legjenda do të kishim atëherë…?!
NJË UDHËTIM ME “MENDJEN”
Zakoni i hershëm i fëmijërisë për të vështruar yjet kur binte errësira e plotë, edhe tashti kur porsa i kishte flakur tutje të pesëdhjetat, jo vetëm që s’i ishte fashitur, përkundrazi, mund ta quash që i ishte kthyer në mani. Kështu po i ndodhte dhe atë natë të pagjumë, tek rrinte shtrirë në shtratin e tij mes errësirës së plotë të dhomës. Vetëm yjet feksnin në atë pjesë të qiellit që lejonte korniza e hapur e dritares.
Miliarda e miliarda syresh, të dukshëm e të padukshëm për syrin e mjerë njerëzor. Pa llogaritur shumë më tepër planetë, kometa, asteroidë e ç’janë! Një përmasë e frikshme drejt infinitit, përballë së cilës të pushton keqardhja për përmasat qesharake të vetvetes. Në fëmijëri i përfytyronte si miliarda sy që dilnin natën për të kundruar atë, pa thënë asnjë fjalë e pa bërë asnjë veprim. Indiferentë pa fund në horizontin e natës. Ndërsa atij i dukej vetja fillikat, tmerrësisht fillikat, si i mbështjellë në një vetmi të akullt! Dhe, pasi ngopeshin së pari, me nisjen e agut të mengjesit fillonin ta shuanin kureshtjen e tyre dhe dalëngadalë, herë njëri e herë tjetri, zinin e largoheshin nga kupa e qiellit. Siç duket, nga që i trembeshin diellit që dilte pas majës së malit dhe i verbonte me tërë atë lumë drite.
Kjo vetmi e akullt, sa herë që vështronte kupën qiellore, gjithnjë e shoqëronte si makth. Ata sy të zjarrtë deri në pambarim, s’dinë tjetër veçse të sodisin, ndërsa unë-Njeriu, prej mijëra vjetësh pres, të paktën një sinjal prej shembëlltyrës sime, mendoi. Por gjithshka ka qenë e kotë. Vetëm heshtje, heshtje varri. Ju rruat që jeni sa nuk numurohet, tha më pas, kur nuk dini të jepni as edhe një shenjë që jeni gjallë, që egzistoni! Unë nuk mashtrohem nga UFO-t dhe Alienët që i prodhojnë me shumicë Hollivudi dhe kamerat amatore anembanë Tokës…
Mbase ky ka qenë momenti kur ai vendosi të bëjë Udhëtimin e vet të panatyrshëm. Kur je lodhur për mijëra vjet në pritje të dikujt që s’ka ndërmend të vijë kurrë, rruga më e shkurtër dhe më e logjikshme është të shkosh ti tek tjetri dhe t’i thuash me qortim: Ku je? Më thinje duke të të pritur!
Për mjetin me të cilin do të udhëtonte, zgjidhjen ia dhanë disa vargje të një rilindasi të madh:
Mendje, merr fushat e malet, larg, larg nga qyteti,
Nga brengat, thashethemet, nga rrëmuja, nga rrëmeti!
Kështu ndodhi që ai i hipi anijes kozmike më perfekte që mund të egzistojë. Ajo s’kërkon karburant, s’pyet për forma aerodinamike, as që mund të krahasohet me shpejtësinë e anijeve të zakonshme, madje as edhe me atë të atyre që do të fluturojnë me shpejtësinë e dritës. Jo! Anija e tij kozmike quhej “MENDJA” dhe s’kishte nevojë për marifete të tilla fëmijësh. Mjafton të mendoje diçka e të shprehje dëshirën dhe në çast arrije në anën tjetër të Universit, sigurisht, në se ky i fundit do të kishte anë. Në se doje të rrije pezull në hapësirë apo të zbarkoje në ndonjë nga planetët e panumurt, apo të ecje me hapin e breshkës, sërish mjaftonte të shfaqje dëshirën. Ajo shfaqej e zhdukej në çast. Nuk kishte orar nisjeje dhe mbërritjeje. Parimi i çastit ishte motoja mbi të cilin ishte projektuar ajo. Dhe askurrë s’do të mund të prodhohej dot një anije kozmike më e shpejtë se “MENDJA” e tij, pasi ajo ecte me shpejtësinë e mendimit dhe, në se do të flisnim për karburant, ai i saji do të ishte vetëm forca e përfytyrimit e atij që do ta drejtonte atë. E thënë shkurt, në serbatorët e saj digjej ai lloj karburanti që quhet Përfytyrim! Ai digjej shpejt, brenda disa orësh, por energjia që çlironte nuk mund të llogaritej me makineritë eklektronike që përdornin njerëzit. Për ta kuptuar disi, mjafton të hamendësoni se, brenda atyre orëve ju mund t’i bini kryq e tërthor krejt Universit, të zbrisni në Tokë dhe të mos lini skutë të saj pa u futur. Madje-madje, në se doni, mund të arratiseni edhe në kohërat e shkuara dhe të fluturoni edhe në kohërat që ende në Tokë nuk kanë ardhur!
Unë nuk po ju përshkruaj se ç’pa ai gjatë Udhëtimit të tij, zbrazëtirën e errët dhe prushëzimin e yjeve që e rrethonte nga të njëqind anët, hije të vdekura planetesh lënë mënjanë rruge si skelete të ndryshkur, magma yjore dhe nubeloza që shpërthenin e stërpiknin paretet e padukshme të “MENDJES”, kometa e asteroidë që devijonin në çast sapo ndjenin afrimin e anijes së tij. As për një dyzinë alienësh me forma e huqe nga më të çuditshmet. Jo! Sepse unë s’kam ndër mend të shkruaj roman për Udhëtimin e tij. Unë dua t’ju them se ai u frikësua e u mërzit dhe vendosi me insistim të kthehej në Tokë. U frikësua sidomos kur kalonte pranë Vrimave të Zeza në qendër të Galaktikave. Edhe pse “MENDJA” ishte e pathithshme nga ato, ai dyshonte në inercinë e mendimit. Se edhe mendimi ka inercinë e vet. Dhe do të ishte një inerci pa kthim kjo e tija. E frikëshmja inerci kozmike pa kthim, mendonte krejt ankth, si në pritje të egzekutimit, orë e çast! I bëhej sikur trupat qiellorë dhe, sidomos ato Vrimat e Zeza të Galaktikave, kur afrohej pranë tyre, do të zgjatnin kthetrat e gravitetit me tërbim për ta thithur e përpirë në brendësi të asgjësë. Njëqind herë më mirë do të ishte të përfundonte në llavën miliona gradëshe të ndonjë ylli, apo në akujt minus 180 e ca gradë të ndonjë planeti gjigand, se sa tek Asgjëja e një Vrime të Zezë!
Kështu ndodhi që ai hyri në atmosferën e Tokës dhe e bekoi inercinë e saj, e cila, çuditërisht e uli mbi kraterin e një vullkani-ishull të Malajzisë.
- S’ka si inercia tokësore – mendoi ai -
Kur shigjeta rrugën merr
Dhe kurbën e saj tek molla
Vilhelm Teli e kthen në ylber!
Sigurisht që, ndonëse pavetëdijshëm, duhet të kishte qenë ai që i kishte dhënë një komandë të tillë “MENDJES”, për të qëndruar pikërisht mbi këtë krater ishullor.
Në zemër të Tokës, ai vështroi brenda kraterit. Na qenkej një fonderi gjigande, e pamasë. Ja, lumi i zjarrtë rrjedh mbi lëkurën e saj. Ajrit i ka humbur transparenca, është bërë i dridhshëm. Gjuhët e flakëve pamëshirshëm mbjellin shkrumbin mbi çdo gjë edhe para se ta prekin atë.
Eshtë Magma, tha ai. Është gjaku i Tokës që zjen në damarët e saj. Është po i njëjti gjak që e hasa kudo gjatë Udhëtimit tim në Univers, që nga Dielli e deri tek ylli më i largët. Këtu është zanafilla jonë e përbashkët. Magma është geni i Gjithësisë! Me planetet jemi vëllezër e motra, ndërsa në dejet tanë rrjedh gjaku i atit Diell. Më tutje, pema gjenealogjike s’ka të mbaruar!
… Siç duket, karburanti i përfytyrimit kishte sosur dhe anija kozmike, “MENDJA”, kushedi se ku ishte zhdukur. Ai u ngrit. Ishte vonë për në punë. Hodhi sytë tej dritares, fillimisht lart në kupën qiellore. Një zbardhëti, diku midis grisë. Miliardat e syve të kuq, kushedi se ku janë fshehur, mendoi. Pastaj vështroi njerëzit që kishin zënë të mbushnin rrugët. Sa shumë jemi bërë, tha nën zë. Dhe nuk e dinë se thellë këmbëve të tyre gëlon ajo, fonderia e zjarrtë, magma, geni i Gjithësisë, egzistenca e trishtë, përkohshmëria e frikshme… Dhe sepse i erdhi keq për Tokën e tij. I hipi dëshira t’i këndonte një ninullë, jo nga ato të folklorit për fëmijët në djep, por një ninullë planetesh:
Miliarda qenie njerëzore
I gëlojnë mizëri në lëkurë,
E Toka vërtitet e kruhet
E qetësi s’gjen kurrë!
NGUSHËLLIMI
Kishte gati një muaj që, i biri, Besmiri, nuk ishte më në këtë botë. Sapo kishte mbushur vitin dhe ia kishte rrëmbyer ajo, sindroma „Re“, siç e quanin mjekët. Ai kishte pyetur më pas dhe kishte mësuar se bëhej fjalë për diçka të panjohur. Madje, midis këtyre fjalëve, “sindromë“ dhe „e panjohur“, egzistonte një sinonimi e plotë. Ajo „Re-ja“ që e ndiqte pas, i dukej atij më e mistershmja në tërë këtë fatkeqësi. Diçka e mjegullt, e paqëndrueshme si një re puplore, apo fantazmagorike si një intrigë mesjetare. Mbase kjo ndjesi kishte të bënte me një dyshim që ai e ruante thellë brenda vetes: Mos ishte paaftësia e mjekëve, madje edhe më tej, e mjekësisë, ajo që krijoi variantin e „Sindromës Re“?
S’ke ç’bën, i tha vetes pas disa çastesh. Kot nuk thonë: Gabimet e agronomit i nxjerr toka, gabimet e mjekut i mbulon toka!
Pasditeve të vona, atëherë kur shtëpia binte në qetësi nga vizitorët që vinin për ngushëllim, ai rrinte pas xhamit të dritares si i përhumbur. Kishte ndjesinë se tashmë botës së tij i kishte humbur nje dimension jetik, interesi. Gjithçka që bënte, e bënte thuajse instiktivisht, thjeshtë për forcë zakoni, apo i shtyrë nga pavetëdija që urdhëron çdo gjallesë.
Befas, seç ndjeu një si alarm brenda qënies së vet. Mos po kthehej edhe ai në një gjallesë ku interesi lidhej vetëm me plotësimin e nevojave bazë?! Përse? Nuk ishte as i pari e as i fundit në këtë botë të madhe që e pësonte kështu! Apo, mos ndoshta, ishte ende shpejt për të gjetur ngushëllimin? A nuk përmendnin qindrat e vizitorëve mortorë lajtmotivin tradicional në të tilla „vaki“, siç quheshin tashmë ardhjet për ngushëllim: Të rroni vetë! Vetë shëndoshë!
Ai lëvizi me nervozizëm perden e nailontë të dritares. Jo, vetëm këtë lloj ngushëllimi s’mund ta pranonte. Në çastet e para, atëherë kur mpirja e pasgjëmës ishte më e plotë, nuk arrinte ta kuptonte absurdin e këtij ngushëllimi. Më pas, ca e nga ca, kjo fjali e shkurtër si plumbi, mori trajtat e kulmit të egoizmit: Mos e çaj kokën, he burrë! Kjo botë kështu e ka, por mblidh mendjen dhe jeto për vete bashkë me të tutë!
Ç’bëhet kështu, i kishte thënë ato ditë së shoqes. Po në se ne na dhemb deri atje ku s’mban më, na dhemb jo për veten tonë! Jo se si do t’ia bëjmë pa Besmirin. As për mallin se s’do ta shohim më sa të jemi mbi këtë tokë! Jo, jo, jo! Njëqind herë jo! Lotët tanë janë për të e vetëm për të. Se nuk arriti të ngrihej në këmbë dhe të jetonte jetën e vet!
Një ditë nuk duroi dot më dhe, ndonëse me mirësjellje, atij që i tha „Vetë shëndoshë!“, ia zbrazi me një frymë ato që i ishin mbledhur gulç diku mbi diafragmë: Sikur të më siguronin se im bir egzistonte diku në këtë botë të madhe, s’ka rëndësi se ku, në Zvicër apo në Somali, s’ka rëndësi në se do të ishte djali i Rokfelerit apo i një varfanjaku, s’ka rëndësi se s’do ta takoja kurrë në jetë, se nuk do të komunikoja me të as me letër, as me telefon dhe me asnjë lloj mjeti te komunikimit modern, madje as me mjetin më të lashtë të komunikimit, haberin, por vetëm të më siguronte një fuqi providente se ai egziston diku në këtë botë të pamatë, ky do të ishte ngushëllimi im i vetëm e i madh, madje, do të ndihesha i lumtur!
Vizitori, siç i kishte thënë gruaja më pas, pa kuptuar gjë, e kishte parë me ca sy plot dyshim. Sigurisht, i pat thënë ajo, sigurisht do të ketë thënë se s’ka faj i ziu që flet përçart. Me tërë atë të keqe që e gjeti, o zot, na ruaj mendtë e kokës! Ai fshiu lehtë cipëzën e avullt të dihatjes së tij mbi xhamin e ftohtë dhe hodhi sytë tej, në ato detaje që mund të kapte vështrimi i tij në atë ditë të fillimpranverës. Ja fletët që sapo kishin dalë nga djepi i sytheve, (Besmiri i tij sapo e kishte kapërcyer djepin, por s’kishte mundur të bëhej gjeth) ja një lulekumbulle ngjyrë rozë që sapo kishte buisur, (atij do t’i mbeteshin përjetë në kujtesë faqet e trëndafilta te djalit) ja dhe një bletë që u ul mbi një lule. Mbase në këmbëzat e saj ajo mbante pluhurin e pjalmtë që do të ngjizte pas disa javësh frutat. Ato fruta që i vogli i tij s’do t’i gëzonte kurrë më, në jetë të jetëve!
Dhe befas iu kujtua Naimi. Panteizmi i Madh naimian! Shpirti i të dashurit që s’është më, nuk humbet. Ai ndodhet kudo, por jo në asgjënë, jo në qiell, jo në univers, po në sendet e kësaj bote. Ah, sikur të ishte kështu! Përse të mos ishte kështu?! Ja, ai do të dilte çdo pasdite tek ky xham i dritares së dhomës së tij dhe do t’i bënte apel të birit:
Kudo qofsh, biri im,
në një lule a në një fletë,
Në pluhurin e nektarit
që mbart në fluturim një bletë,
Eja, shpirt i vogël,
më bëj një shenjë në xham,
Të besoj te Panteizmi
i Madh naimian!
…Ai mori frymë disi i lehtësuar. Tashti u ndje vërtetë i ngushëlluar.
MIRËZEZA
Ata po vinin një e nga një. Të lodhur e të rrëgjuar. Kishte dhe syresh që vinin vetë i dytë, kuptohet, thjeshtë me gratë. Duke mbajtur njeri – tjetrin për krahu, me gajret, se xhenazeja ishte në katin e katërt dhe pesë vëllezërit e dy motrat, tashmë jo më pak se shtatëdhjetëvjeçarë, vetëm në morte i kishin gjasat më të mëdha për t’u takuar me njeri – tjetrin.
E para erdhi Nurija, hallë Nurka, grua e paburrë që kur s’mbahej mend, ndaj dhe, që kur s’mbahej mend në veshjet e saj ishte stamposur vetëm e zeza.
-
Ai ishte i kapitur dhe kishte ndjesinë që dikush duhej t’ia mbante qepallat ngritur me dorë, mënyra e vetme që ato të mos e zhytnin në një gjumë gati letargjik. Se nuk i thonë shaka që i vetëm të përballosh një ceremoni të tërë mortore. Që nga amanetet dhe grahmat e fundit të hallës së vogël në spital, e deri tek shoqëria e varrimeve, kurorat, shpalljet nëpër mure, telefonatat, lokali i darkës mortore e menyja e tij (patjetër duhet hallvë në drekën mortore!), paratë, sqarimet e ngushëllimet, si, qysh, kur, pse, korba hallë! Gjithçka i rrotullohej në gjumin-makth dhe vetëm zëri i hallës së madhe, hallë Nurkës, e kandisi të ngrihej nga divani. Ja, tani filluan të vijnë, mendoi. Si gjithnjë, e para është hallë Nurka.
- Hë, mor, bir? U lodhe, o i shkretë! Vetëm ti po u gjendesh zgërbonjave. – tha ajo duke e rrokur në qafë. - A do t’i vinë të pjellët motërzezës që t’ia hedhin atë dorë dhe?!
- S’e di, po të gjithë janë lajmëruar. Deri tani, vetëm ai i vogli ka ardhur.
Zhurmat në shtëpi kishin zënë të shtoheshin. Ai pa kohëmatësin. Edhe dy orë nga varrimi. Hallë Nurka fshinte papushim sytë e skuqur dhe belbëzonte fjalë pa kuptim. Sigurisht, luste të vinin tre fëmijët e tjerë të motrës së vogël që t’ia shtinin atë dorë dhe. Por njëkohësisht qan edhe për dy të sajët, mendoi ai. Na janë shpërndarë si zogjtë e korbit, vajtonte ajo shpesh. I hëngri greku e talani. E nisën nga fukarallëku dhe po e bitisin nga tahmaja. Dhe niste e kujtonte ca këngë të vjetra mërgimi:
Qani, nëna, sa të shëmbi,
Mundimi i djemve që bëni
Ju vate për dhjamë qëni!
Ndërkohë, në dhomë po futeshin vëllezërit e tjerë, xhaxhallarët e tij. Tek rrinin pa folur, ashtu ulur ku të mundnin, ai ndjeu vërtetë dhimbje për ta. Sa janë plakur! Vërtetë pleq, i tha vetes, sikur t’i shihte për herë të parë në atë gjendje. Dhe janë vetëm. Kjo ishte më uluritëse. Plot fëmijë, nipër e mbesa dhe vetëm. Si murgj. Ndërsa ata, kushurinjtë e tij, njëri pas tjetrit, të gjithë kishin çarë ferrën. Ja halla e vogël, iku e vetme edhe pse ka katër fëmijë!
- A i janë lajmëruar të gjithë fëmijët?- pyeti me diplomaci xhaxhai i madh, duke e shmangur pyetjen e rëndë: “Si nuk i kanë ardhur fëmijët “?!
Ata të gjithë mendojnë të njëjtën gjë, i tha vetes ai: Po kur të nisem unë për në atë botë, a do të vinë vallë? Apo, “s’kam bërë dokumentet“, “s’kam të drejtë kthimi“, ”Amerika është larg e kushton qimet e kokës“, “pronari s’dëgjon nga ai vesh“…?!
- Dobaren, të jenë mirë për vete! – ndjeu ai zërin e xhaxhait të parafundit, i cili gjithashtu i kishte të dy vajzat jashtë.
- Mirëzeza! – ia priti rreptë e thatë hallë Nurka, e cila, si më e madhja ndër ta, kishte të drejtë t’i priste drutë shkurt. – U prish njeriu, more evlatër! Ata të katërtit e baftëzezës Rukije, nuk mund ta pleqëronin me njëri-tjetrin që të mbetej njëri këtu sa të ishte gjallë e ëma? Apo ata të mitë, ata të tutë, o Sami, edhe të tutë, o Gani… Më thoni, cilin nga ju nuk e ha kjo plagë? Menduan për bythën e tyre e u shkulën me gra e kalamaj! Vetëm ti, Dilo, i ke çunat këtu dhe të gëzon shpirti. – i tha ajo babait të tij, ndërkohë, duke i hedhur krahun mbi sup, shtoi ato fjalë të rënda e plot sarkazëm që ai do t’i mbante mend gjatë: Dëgjomëni mua! Mbajeni mirë me këtë çun, se ky do të na përcjellë të gjithëve! Kur të vinë ata tanët, në se vinë, drejt e tek varrezat do t’i mbajnë makinat.
Fjalët ishin të rënda dhe këtë e vërtetonte heshtja që u bë edhe më e rëndë. Më e rëndë se një heshtje morti. Ata e ndjenin se në ato fjalë të motrës së madhe ishin fshehur tërë brengat e tyre. E ndjenin tek kortezhet që sa vinte e shkurtoheshin. Tek telefonatat që rralloheshin.
M’i ki kujdes pleqtë! Shko e shihi ndonjëherë, i pati thënë para disa viteve, para se të ikte në Itali, njëri prej kushurinjve.Edhe ti, i kishte thënë ai. S’mjaftuan ata dy të tjerët? Don që të ikin nga kjo jetë si kukudhë! Ç’thua, e kish kundërshtuar tjetri. Unë mendoj për fëmijët e mi. Lëri pordhët, s’kish duruar më ai. Se mos po vdisje për bukë këtu. Edhe biznes me para të madhe kishe! Më thua t’i kem kujdes sa për të larë gojën para fisit. Edhe po të mos isha unë, rrezik se do t’i thoje pronarit të shoqërisë së varrimeve për kujdes! Por mos ki frikë! Kjo sëmundja jote është kthyer në epidemi tashmë!
- Ah, ç’mirëzeza, ç’mirëzeza! – u dëgjua sërish monologu i hallë Nurkës. – Ku i latë nënat, a derëzes? Ç’hall ju preu mespërmes? – vazhdonte ajo në të sajën copëra këngësh të vjetra, ku nuk mungonin edhe sajime të vetat. –Eh, të gjorat, sa duruan. Gojëkyçurat s’ju mallkuan!
Atij po i dukej vetja si një sipërmarrës varrimesh. Një detyrë që sapo e kishte marrë zyrtarisht. Mirë kur të ikin një e nga një, mendoi, po tani ata janë gjallë! Me të gjallët duhet të merresh përditë dhe shih sa janë! Për herë të parë ai e ndjeu se i mori vërtetë inat kushurinjtë e vet të shumtë.
- Kam një lëmsh në zemër, s’di kujt t’i ankohem… - u ndje sërish zëri fillikat i hallë Nurkës. – Mirëzeza… ç’mirëzeza…?!
… Edhe pas disa ditësh atij do t’i ushtonte në vesh zëri-gërrhimë i saj, deri sa, një pasdite të vonë, ai zë u bë njësh me zërin e tij:
Kam një lëmsh në zemër,
S’di kujt t’i ankohem,
Pleqtë janë të verbër,
Yjet po rrallohen!
Asgjë dot s’e mban
Dertin tim në botë,
Veç gjumi përjetshëm
Në të lashtën tokë!
TRIPTIK PËR ETJEN
Jo aq për shkakun se e përmbante programi i vitit të katërt të gjimnazit, por më tepër, nga që ajo ishte një nga maturat e rralla që ai kishte patur gjatë karrierës së tij të gjatë si mësues, vendosi t’u jepte si temë të esesë poetike një “çelës” intrigues, të një shkalle jo të lehtë vështirësie. Tre krijimet më të arrira, u pati thënë atyre, do të përpiqej me të gjitha njohjet e tij t’i botonte në gazetat letrare të vendit.
Kur përcaktoi fjalën-çelës, “ETJA”, ishte në mëdyshje në se në të vërtetë ata do të arrinin ta kapnin thelbin e saj, jo thjeshtë në kuptimin e mirëfilltë, por të abstragonin me atë koncept. Dhe patjetër në ese, të cilat ai i donte fare të shkurtëra, do të ishte dhe kuptimi i parë i kësaj fjale që kishte të bënte me ujin.
Gjithësesi, tema e esesë-poetike u shfaq vetëm në fillim të orës së mësimit, pa kurrfarë parapërgatitje. Ashtu si edhe ai i mblodhi e i korrigjoi pa kurrfarë paramendimi, në sekretim të plotë. Tashmë i kishin mbetur mbi tavolinën e tij të punës tre më të mirat prej tyre dhe dilema më e vështirë: Si do t’i rendiste ato për nga vlerat? Sepse secila kishte një konceptim krejtësisht të pangjashëm me dy të tjerat!
I pafuqishëm për të vendosur, ai i botoi të treja, në të njëjtën gazetë letrare dhe në të njëjtën ditë, me poshtëshënimin, të cilin redaksia e pa të arësyeshme ta botonte: Çmimet e këtyre eseve do të përcaktohen nga letrat apo telefonatat e lexuesve!
Ja pikë për pikë tre esetë:
Eseja e parë
Me pikatore vendos një bulëz uji mbi mollëzën e gishtit tregues të dorës sime të djathtë. Ulem në karrige dhe e mbaj atë fare pranë fytyrës.
Drita e llampës në tavan bie mbi rruzullin imcak dhe, si në një kladeioskop unë vërej të shtata ngjyrat e spektrit të saj. Ato zbërthehen në qenien time njerëzore, që në kohërat gjeologjike kur lindi jeta. Dhe jeta, pikësëpari ka lindur në ujë, në format e njëqelizorëve. Më pas rrëshqiti në tokë e në ajër në formën e rrëshqanorëve. Por edhe Njeriu, forma më e lartë e kësaj jete, duhet t’i përulet pikës së ujit, se nga Pika e Ujit ka dalë!
Nuk beson, o ti Njeri?! Mjafton të të dehidratojnë dhe do të të mbetet vetëm një e dhjeta e peshës tënde trupore! Ndaj faliu këtij rruzulli të vogël mbi bulëzën e gishtit, siç i fales Perëndisë që beson!
Papritur, nuk e di as vetë se si, më kapi një etje e papërballueshme deri në babëzi. Ah, thashë me vete, sikur kjo pikël uji të ishte një bucelë sa Globi dhe ta rrëkëlleja me oqeane e kontinente në shpirtin tim të valë!
Eseja e dytë
Uji është elementi bazë i jetës. Kështu na kanë mësuar dhe kështu është. Por H2O-në edhe e kanë keqpërdorur, e kanë masakruar pa mëshirë. Mjafton t’ju them se me të kanë krijuar Ujin e Rëndë të bombës atomike! Ashtu siç egziston edhe Uji i Bekuar, me të cilin, së pari Shën Pjetri pagëzoi vetë Jezusin.
Por unë nuk e kam fjalën këtu. Për mua uji më i bukur dhe më i shenjtë është Pika e Lotit. Sidomos kur zbret nga sytë e bukur të femrave e rrëshqet mbi mollëzat e faqeve të tyre si vetë pafajësia. E di. Dikush nga ju do të hidhet përpjetë e do të qesëndisë: Ç’thua, more?! Ata janë lotë krokodili! Jo më kot në tërë botën i quajnë “seks i dobët”, pikërisht se femrat derdhin shumë lotë. Janë në natyrën e tyre, or mik!
Jo, or ti mik, do t’i kthehesha unë me tërë fuqinë e zërit tim.Ti asgjë s’paske kuptuar! Lotët e tyre do të thonë se shpirtin e kanë sa planeti Tokë, ku më shumë (dy të tretat e saj) janë ujë se sa tokë!
Eseja e tretë
Në krejt librin poetik të mikut tim s’kishte asnjë poezi, madje asnjë varg erotik! Befasia ime qe e madhe, pasi, për moshën që kishim, ajo qe temë e përhershme e bisedave tona. Ndaj dhe libri mu duk si shkretëtira e Saharasë. Pa gjelbërim, pa një pyll, pa një oaz! Vetëm rërë, rërë e pafundme si një torturë. Edhe atje ku s’kishte rërë, toka ishte e plasaritur thellë, e tharë për pikën e ujit. Si një grua që s’do të mundej kurrë të bënte fëmijë!
- Ti je tharë deri në rrënjë! – ia përplasa fare pa takt mikut tim në takimin më të parë. – Si nuk ke një pikë ujë në krejt atë libër?!…
- Kur libri s’ka ujë, kjo është gjë e mirë! – ma ktheu ai pasi e mori veten nga tërsëllëma ime, më i çuditur se unë.
- More, lëri numrat ti! – ia prita unë. – Poetët bëhen pleq dhe shkruajnë për dashurinë, ndërsa ti, ti sikur je murg!
… U ndava i zemëruar me të, por pas disa ditësh, në orën e letërsisë më erdhi një letër anonime, e përcjellë nga banka në bankë. E hapa dhe lexova:
PA EROTIKË!
Në librin tim s’ka erotikë,
Erotikën tek unë e kërkoni më kot!
… Ju ofroj një det të tërë me dashuri,
Ç’ju duhet një Oaz
me ujë sa një bot?!
Ja, këto ishin tre esetë më të mira të maturantëve të tij. Cila prej tyre do të renditej e para? Po e dyta? Ç’mendoni ju?…
HOTEL ME PESË YJE
Ai e përfundoi edhe vargun e fundit të poezisë dhe e hodhi letrën e shkruar rrëmujë me laps në një cep të tavolinës së madhe. Jashtë frynte rreptë dhjetori me dëborë e suferinë dhe atij, si shpesh këto ditët e fundit, i shkoi mendja tek njëzetëvjetori i martesës. Do të të çoj në një Hotel me pesë yje, i pati thënë së shoqes para disa ditësh, duke i rikujtuar restorantin luksoz të para disa viteve të një hoteli në Tiranë. Jo se kishte qenë vërtetë një nga ato lokalet e kripur që kishin të stamposur në krye të fasadave pesë yje, por, si më i shtrenjti e luksozi ku ata kishin darkur në jetën e tyre, atij sepse i pëlqente ta identifikonin në biseda, kur qëllonte rasti, si “Hoteli me pesë yje”.
Sigurisht, ai kishte përcaktuar dy nga lokalet më të mira të qytetit për darkën e nesërme, pa e vrarë mendjen, as për kureshjte, se sa yje kishin. Do të shkonin vetëm të dy, as në prezencën e fëmijëve, për faktin e thjeshtë se ata, për disa ditë nuk do të ndodheshin në shtëpi.
Të gjithë fajin e kishin këto drita të munguara prej disa vitesh, sidomos në stinat e ftohta të dimrit, siç po bënte edhe ky dhjetor i acartë. Dhe i fiknin edhe mbrëmjeve, kur binte errësira, pa llogaritur defektet e zgjatura, si ato të këtyre ditëve, kur çmimet e qirinjve ishin rritur ndjeshëm. Në se nuk do të pllakoste kjo errësirë e tejzgjatur, as që do t’i shkonte në mendje të degdisej lokaleve, sado yje të kishin ata.
Mbrëmja po binte dhe ai ndezi qiriun e parë. Mori letrën e zhgarravitur dhe lexoi atë që përbënte variantin e parë të poezisë së saposhkruar:
XIXËLLONJA
Sa vat harxhon, ti xixëllonjë,
Tek bredh me far në natën pisë?
Me vello drite shkon si zonjë,
Çitjanet natës se ç’ja gris!
Më jep pak dritë, moj zonjë e rëndë
Dhe poshtë derës lermë faturë!
… Ti fap e fup si UFO ikën,
Si një imazh që s’kapet kurrë!
S’ka më xixëllonja romantike, mendoi. Në shtëpinë e të varurit nuk përmendet litari. Dhe për të disatën herë, sërish ofshani: Eh, ç’na bënë këto drita! Të ishte ndryshe, as që do ta merrte mundimin…, ah, të ishte ndryshe!
…Ky kishte qenë ai çast kur atij i kishte shkrepur në kokë ideja e re për vendin e festimit. Asaj nuk i kishte treguar, vetëm i pati thënë që të mos vonohej se do të shkonin diku në periferi të qytetit. Ndërkohë, tani që gjithçka ishte gati dhe ajo duhej të vinte nga momenti në moment, atë e kapi një ndjenjë e lehtë ankthi. Cili do të ishte reagimi i saj? Kishte patur kohë të blinte disa gjëra të veçanta dhe të gatuante. E kishte ndihmuar dhe Mira, fqinja e tyre guxhiniere. Gjithshka ishte bërë në ilegalitet të plotë. Tavolina e shtruar për dy persona. Shishja “Kabërnet” e verës. Një buqetë lulesh në cep. Magnetofoni me bateri e mbushte dhomën me tingujt e “Valsit të Danubit” që ajo e dëshironte aq shumë. Dhe, mbi të gjitha, pesë qirinjtë e ndezur që rrethonin tavolinën, e ndriçonin më së miri dhomën e tyre modeste.
Më duket se Hoteli me pesë yje tani është i plotë, po thoshte ai i kënaqur, kur ra zilja e derës së jashtme. Ishte brenda planit të tij të mos luante nga vendi dhe ashtu bëri. Ndryshe befasia s’do të ishte e plotë. Ajo sërish i ra ziles. Ku të jetë ky në mes të kësaj errësire, duhet të mendojë tani ajo. Lëre, lëre, për të vajtur paskemi në atë Hotelin me pesë yje!
Njëkohësisht me kërcitjen e bravës edhe ai kërceu në këmbë.
- Mirëseerdhët në Hotelin tonë me pesë yje! – i tha ai me një ton serioz e ceremonial siluetës të së shoqes që u shfaq në kuadratin e derës.
Ajo ngurroi për disa çaste e hutuar dhe pyeti:
-
-
Ajo u lehtësua në çast nga dyshimet, tha një “… ah, ti, s’i le këto numra!” dhe, nën tingujt e Valsit të Danubit, si në sallonet mondane, ai ia mori dorën dhe e shoqëroi të ulej në tavolinë. Ajo u ul disi e lodhur. Orari i përditshëm i pasdites kur duhej të ishte në punë, vërtetë që nuk ishte i këndshëm.
- M’u plake, mike, m’u plake! Branë i heq ato çorape! – iu kujtuan atij disa vargje të folklorit. Por çudia qe kur edhe ajo ia ktheu hazërxhevap:
- M’u plake, mik dhe tinë! Mbete si kau në brinjë!
- Unë të plakem?! Unë e filloj edhe një herë nga e para!
- Mbase. Tani mund të të besoj, - tha ajo – se je bërë dhe pronar i Hotelit me pesë yje!
- Bashkë me ty. Jemi bashkëpronarë! – ia ktheu ai përmes së qeshurës dhe shtoi: - Të kujtohet ai Pesëyjëshi në Tiranë? Do ta shohësh që të gjitha do t’i kesh këtu, tek ky Pesëyjëshi im. Ç’kishte më tepër ai tjetri? Të kujtohet? Edhe atje u fikën abazhurët dhe ne kemi darkuar me dy qirinj në tavolinë. Ndërsa këtu kemi pesë të tillë! Pesë yje! Se qirinjtë janë në modë tani…
… Atë natë, ndërsa jashtë ndjehej e ftohta brisk dhe suferina e borës që përplasej rreptë pas xhamave të dritareve, ai i shërbeu vërtetë me pasion gruas së tij, ndërkohë që drutë e dushkut kërcitnin në sobë. Nuk e la të ngrihej për asnjë moment nga karrigia dhe e kreu mjaft mirë detyrën e kamerierit të kualifikuar. Që nga sjellja e pjatave, e servirjes së verës e deri tek turta me njëzetë qirinjtë e ndezur që i fikën së bashku. Mes melodive të kohës së tyre, tangove, valseve e fokstroteve, lejtmotivi u bë Valsi i Danubit, të cilin ata e kërcyen më shpesh. Edhe dhurata ishte e përbashkët: Një montazh fotografik me foto të këtyre njëzetë viteve, ku në qendër, Astriti, një shoku i tij, mjeshtër i fotografisë, kishte fokusuar dasmën e tyre të dikurshme. Fotomontazhi e befasoi vërtetë dhe ky ishte i vetmi rast kur ajo u ngrit nga karrigia dhe e puthi, gjë të cilën s’e bënte më prej kohësh.
Vetëm të nesërmen ai do t’i lexonte poezinë e radhës, si një epilog të festës së tyre të mbrëmshme:
Shkuam me gruan në një lokal luksoz,
Lozëm vals e tango si dikur të rinj,
U fikën abazhurët madhështorë
Dhe, në intimitet, ne darkuam
me qirinj!
Tani s’ankohet gruaja më për dritat,
Le të bjerë dëborë e të fryjë në pyje…
Mbi dy tavlla duhani unë ndez dy qirinj
E vetja na duket
si në Hotel me Pesë Yje!
MUTANTI
Ky është kulmi, thirri ai vrulltazi, duke ndjekur në ekran fjalimin e Kryeministrit të vendit dhe kruajti pëllëmbën e dorës së djathtë, e cila, sepse kishte filluar t’i hante.
- Dale, dale, ç’ke kështu? - e pyeti e shojqa që sapo kishte hyrë në paradhomë. -Aha! Akoma s’u mësove me broçkullat e këtij ti?! - shtoi pas pak duke bërë me kokë në drejtim të fytyrës së egzaltuar kryeministrore që ngrefosej ne ekranin e TV-së.
- Nuk është kulm si ato të tjerët. - iu përgjigj ai. - Është kulmi i kulmeve!
Ndërkohë, truri i artikuloi një frazeologji të vjetër popullore: Moj kasolle, ku na mblodhe! E ka kapur marrëzia e madhështisë, gjykoi më pas. Kërkon të barabitet me Ismail Qemalin! Me atë që njihet si themeluesi i këtij shteti. Po edhe Ismail Qemali ato fjalë, ”Jam Smail Qemali, prapa më vjen historia!”, nuk i ka thënë për vetveten, por ia ka ngritur populli në vargje vite e vite më pas, atëherë kur është ftohur ngjarja. Dhe, për më tepër, ia ka ngritur këngën këtij burri të madh vetëm pas vdekjes. Ndërsa ky birboja ynë, pa ia bërë tërr syri, në mes të ditës dhe në sy të të gjithë shqiptarëve, cicëron si një adoleshent: Unë jam Fidan Xhixho, mbrapa më vjen Historia! Kulmi, kulmi! Të keqen e Belul Gjeraqinës që e kemi gajasur më tepër se ç’duhet, ironizoi dhe sërish kruajti atë dreq dore që sa vinte dhe po i hante më tepër.
Megjithatë, ai e ndjente se gajasja për atë që sapo kishte dëgjuar, kalonte në plan të dytë. Ajo që dilte në pah qartazi, ishte tragjedia. Sepse, burri i botës nuk ishte dokushdo, por vetë Kryeministri i vendit, Kryetari i partisë në pushtet! Ndaj dhe dëmi që i sillte vendit një mendësi e tillë arrogance, ishte ku e ku më e madhe se sa ajo e një personazhi estrade. Aq më tepër që ndjeheshe i fyer në intelektin tënd, pasi, ai tjetri, megallomani, t’i kishte përcaktuar kufijtë: Kot që dilni kundër meje! Unë jam Njëshi, jo vetëm për ju, por edhe për vitet që vijnë. Ju të gjithë jeni ogiçët e mi që duhet të më vini prapa! Jo vetëm ju, të sotmit, por edhe ata të nesërmit!
- Moj, po ç’t’i bëj kësaj dreq dore?! - i tha së shoqes dhe, i nevrikosur, gati ia nguli thonjtë me të majtën, duke e kruajtur sa lart-poshtë .
- Pse s’thua që paskemi haber të mirë! - ia ktheu ajo. - Do na sillke goxha para në shtëpi!
- Po, moj, po! - u përgjigj kot ai dhe bëri me kokë nga ekrani. - Lë Laroja të hajë Baloja?!
Të arrijë deri këtu marrëzia e madhështisë, mendoi më pas i befasuar. Jo, ajo është mbrujtur gradualisht në vite, deri sa ka ardhur në këtë farë feje. Ai patjetër që ka jeniçerët e vet kudo në vend. Kuptohet, në strukturat e SP-së, të kësaj partie që edhe në emër të kujton ato struktura hekurbetoni horizontale që shërbenin për të mbajtur peshën e çatisë. Dhe në krye të çatisë ishte ai, Kryetari e Kryeministri, bashkë me klanin e tij.
Nuk ështe abstrakte kjo strukturë jeniçerësh, gjykoi më tej. Ja, pjesa dërrmuese e delegatëve që e duartrokasin, duken të lumtur. Madje, të egzaltuar. Janë kongresmenët që i bëjnë gjak pëllëmbët, mjafton të kapardisen për disa çaste në ekran si kongresmenë amerikanë! Kuku, moj nënë, i erdhi në vetëdije një shprehje nga gjëmat e malësorëve.
- Shkoi mesnata! Do flesh ti apo jo? - e përmendi e shoqa.
Vërtetë që kishte kaluar dymbëdhjeta.
- Duhen blerë gazetat nesër. - i tha asaj. - Kushedi si do të luajnë në krye të faqeve me kryemarrinë e tij! - dhe sërish ndjeu kruajtjen e pandalshme në dorën e djathtë, thua se dikush i kishte ngjitur atë sëmundjen me emër të pështirë, atë, zgjeben.
Kur u shtri në krevat, si tableta valiumi po ia turbullonin vetëdijën kryetitujt e gazetave të nesërme: ”Ngjallet në Tiranë Ismail Qemali!”, ”Fidani që don të bëhet rrap shekullor!”, ”Kryeministri më i papërgjegjshëm në Europë!”…
Tashmë kruajtja i ishte bërë më e thellë. Ai e ndjente atë në brendësi të dorës së djathtë. Diçka po ndodhte aty mes eshtrave, muskujve, tendinave e artikulacioneve të shumta. Sikur të ishte një virus që përhapej me shpejtësi dhe, nën presionin e tij, lëkura s’e përballonte dot më masën prej mishi, gjaku e kockash të dorës që sa vinte e zmadhohej. Erdhi një moment që edhe ajo, lëkura, u trash e u forcua. M’u bë si shollë opinge, kujtoi ai një shprehje të vjetër. Madje, më tepër se kaq! Krejt pëllëmba, sikur ta kishte zënë një ngërç, u mpi e mbeti e ngrirë, sa që s’mund t’i përthyente dot më gishtërinjtë. Iu duk se nuk kishte më një dorë, por një kaci si lopatë furrëtari, me të cilën mund të merrte prush nën hirin e çfarëdo vatre. Thëngjijtë e zjarrtë, fare mirë do të qëndronin në pëllëmbën e tij dhe, nga kjo e fundit, asfare s’do të vinte era mish i djegur!
Virusi nuk po i ndahej. Ai sërish e ndjente edhe më prezent se më parë. Por tashmë sikur kishte ndërruar destinacion. Ndërsa zmadhimi shtohej, kishte ikur ngrirja. Ja, gishtërinjtë po përkuleshin, të shoqëruar me një forcë të llahtarshme. Ai provoi të shkulte një gozhdë në trarin që mbante çatinë dhe, o zot, si të shkulte një fije kashte nga një pako gjalpë, ajo qëndronte në mes të pëllëmbës së tij. Ç’është kështu, s’mundi të rrinte pa uluritur, ndërkohë që ndjente se ishte mbushur tërë djersë. Unë tashmë s’kam më një dorë, por një darë në vend të saj!
Ishte i dërrmuar. Një angushti e përgjithshme e kishte përfshirë krejt qenien e tij. E djathta, dora e djathtë, i ishte rënduar, aq sa i bëhëj se s’do të mund ta ngrinte dot më. Por, ç’ishte më e keqja, ajo që e tmerronte vërtetë, ishte kruajtja e vazhdueshme, të cilën e ndjente në thellësi të asaj që ende mund të quhej dorë, ndonëse jo dorë njeriu. Ishte një kruajtje jo e dhimbshme. Madje, mund të thoshe se, tashmë, ishte e ëmbël, siç janë të gjitha kruajtjet. Sa më tepër të ngulësh thonjtë duke i lëvizur me sa më tepër shpejtësi, pavarësisht nga vragat që lenë në lëkurë, aq më e madhe bëhet kënaqësia. Dhe ai vazhdonte kruajtjen. Dhe ajo si biçim dore, sikur i thoshte: Kruaje, kruaje me mua!
Siç dukej, kishte të drejtë. Se ja, metamorfoza e dorës s’kishte të ndalur. Gishtat po i mbylleshin dhe po i bëheshin grusht. Një grusht i stërmadh e i rëndë. Tashmë, s’kishte një dorë, por një varre. Fare mirë mund të shkonte në gurore dhe të thyente gurë me të!
Ky nuk është virus, mendoi dridhshëm. Ky është mutacion! Mutacion që ka prekur dorën time! Unë po shndërrohem në një mutant! Mutanti i vetëm në botë me një dorë si të King Kongut! Superdora e një superkafshe, me të cilën do të godiste, shtypte e shkatërronte “malin që s’bëzan”!
Instiktivisht filloi ta vërente me kujdes lëkurën e denatyruar. Me tmerr, si nën një lupë zmadhuese, priste të shikonte qimet e para të gjata mbi kurrizin e asaj që njëherë kishte qenë dorë. Qimet e King Kongut. Pastaj do të vinte shpeshtimi i tyre dhe mutacioni do të ishte i plotë dhe përfundimtar. Tashmë s’pritej gjë tjetër, veçse, me atë goxha topuz të ngritur lart, si në Eposin e Veriut, ai të vërtitej ndaj Bajlozit të Zi duke vikatur: Tani, o Bajloz, prite Gjergj Elez Alinë!
… Qull në djersë, ai u zgjua. Vetvetishëm, veprimi i parë që bëri ishte ngritja e dorës së djathtë që, siç dukej, gjatë natës e kishte zënë nën vete dhe afrimi pranë fytyrës. Po ato qime të buta, po ato pikëzime të kafenjta mbi lëkurën e brishtë, përhapur aty-këtu. Ishte po ajo dorë e mbrëmshme, veçse i dridhej pak nga sikleti që kishte hequr nën peshën e trupit të tij. U ngrit dhe pa orën. Mori një cigare, e ndezi dhe doli në dritare. Ishte në të gëdhirë, por errësira ishte ende dominuese.
Ç’dreq ëndërre, tha i lehtësuar. Njëqind’herë më mirë një dorë, se sa një putër me nam! Megjithëse unë s’jam as revolucionar e as rrugaç, që t’i zgjidh gjërat me grusht e aq më pak të rrëzoj qeveritë, ai Fidan Xhixhoja e kërkonte një grusht të atillë, si ai i ëndërrës. Mua, për vete, në këtë natë që më mbështjell si lëkurë dashi, më mjafton veç një jastëk të fle:
Bashkë e zezë e natës
Si dashin më mbështjell,
Ç’sekret të lashtë, vallë,
Jasoni do më gjejë?
Veç paqë ka tek unë,
Si kjo hënë mbi re,
Jo, s’dua mbretërira,
Veç një jastëk
të fle!
Dhe, vërtetë, ai shkoi në shtrat dhe vuri kokën butë mbi jastëk. Ende kishte kohë deri sa të gdhinte.
FERRPARAJSA
Kishte kohë që s’e takonte mikun e vet të vjetër, pedagogun e arkeologjisë, Refat Himën. Disa nga miqtë e tyre të përbashkët, me dhimbje i patën pëshpëritur për një depresion gradual e të vazhdueshëm të tij. Fillimisht me dorëzimin ndaj alkoolit dhe, më pas, pasi nuk e kishte gjetur rrugëzgjidhjen në të, ishte mbyllur në vetvete. Ishte një mbyllje e mistershme. Askush nuk i dinte përmasat e saj. Të rrallë ishin dhe ata që mund të të kumtonin edhe informacionin më të vogël. Gjithësesi, ai ishte një informacion pa vlerë, thjeshtë dukja e tij në rrugëtimin e përditshëm shtëpi-universitet dhe anasjelltas. Përjashto lajmin e vërtetë, por tmerrësisht të përgjithshëm, si në një komunikatë shtypi, se ishte anatemuar keqazi me drejtuesit kryesorë të universitetit.
Ai kishte dashur prej kohësh të depërtonte disi, të paktën edhe për pak çaste, në kullën e të vetëizoluarit, aspak për kureshti, (kjo do të ishte fyese për miqësinë e tyre shumëvjeçare!) as edhe për detyrim shoqëror, i cili sërish do të ishte po aq fyes. Atëherë, përse do të shkoj, pyeti ai më së fundi veten dhe natyrshëm i erdhi edhe vetëpërgjigja: Thjeshtë për t’iu gjendur, thjeshtë sepse nuk mund të rri dot pa i shkuar!
Por pikërisht këtu fillonte dhe një dilemë tjetër brerëse: Po sikur…, po sikur i vetëburgosuri të mos pranonte askënd tjetër, përveç vetvetes? Ashtu si i ngujuari në kullë që e sheh botën e jashtme vetëm nga frëngjitë e aq më keq nga gryka e armës?!
Për të gjitha këto hamendësime, ai tashmë fajësonte, përveç vetes edhe opinionin. Forca manipuluese e të cilit është si ndryshku, fare e pandjeshme, por aq këmbëngulëse dhe e përditëshme, sa që bren edhe hekurin. Sepse asgjë nuk ndodhi kur ai trokiti në atë dhomëz-aneks të universitetit ku i thanë se ndodhej profesor Refati. Sjellja e tij e zakonshme dhe bërja vend pranë vetes, përballë një kompjuteri të stërpërdorur, në se përjashtojmë rrathët e kaftë poshtë syve si ca qeramika të thyera antike. Dhe vërtetë, diku më tutje, në një gjysmëraft të dalëboje, atij i zuri syri disa qeramika të vogla, produkte simbolike të gërmimeve të tij prej arkeologu. Por ajo që do të përbënte të veçantën e asaj foleje (kurrësesi nuk i shkonte fjala kullë!), ishin copëra pusullash të shkruara me gërma të mëdha kompjuterike dhe të ngjitura në mur. Tjetri, që siç duket e kishte dobësi leximin e gazetës së tij të murit vizitorëve të rrallë, sikur mori hov dhe i tha:
- Përpara se të ulem në këtë karrige e të punoj, gjithnjë lexoj koleksionin tim të fjalëve të arta. Heq ato që janë vjetëruar dhe i zëvendësoj me më aktualet. Nuk bëj dot pa to! Vërtetë që më frymëzojnë e më japin jetë!
Ai hodhi sytë në tërë atë dyzinë fletushkash të ngjitura në faqen e murit, prej nga ku profesori mund t’i kqyrte me një të kthyer të kokës dhe lexoi:
“Dikur qaja çdo ditë,
Tani qaj për ato ditë!”
Një poet sirian
Diku, në një vend më të privilegjuar, bënin ballë dy vargje-sentencë të Bertold Brehtit:
“Dhe viçat pas daulles hedhin hapin
Dhe lëkurën për daulle vetë e japin!”
Kudo anatema ndaj djallit. Qoftë ky i veshur me mantel dekani a rektori, me kostum nëpunësi a deputeti, me veladon prifti a ngrefosje kryeministri. Ai hapi kompjuterin dhe i lexoi disa pasazhe nga një mori artikujsh publicistikë. Një gjuhë therëse ndaj moralit të krejt piramidës shoqërore. Herë ndjehej fishkëllima e thuprës së sarkazmës e herë goditja e shurdhër dërrmuese e hurit të gardhit! Moralin e shprishur të kohës ai sikur kërkonte ta gozhdonte me pineska në atë faqe muri. Mendimi i fundit i dha spunton të dialogonte butë, hidh e prit, me mikun e tij të vjetër.
- Djalli e kryqëzoi Krishtin me gozhdë trarësh e jo me pineska! Aq më tepër publikisht dhe me ligjet e tij prej djalli!
Profesori heshti një çast.
-
Ndërkohë ai mendoi se ç’efekt do të kishte botimi në një gazetë qëndrore i krejt atyre pusullave të ngjitura në mur dhe i përsijatjeve të tij të ngujuara brenda memorjes elektronike të kompjuterit. Dhe në krye të faqes të evidentohej ky dyvargësh tjetër, të cilin atij s’ia kishte zënë syri më parë:
“Shqipëri, oj rrobë e vjetër,
Shkon një mut
dhe vjen një tjetër!”
Sotir Kolea
- Për Krishtin, Toka ishte Ferr! – foli me pasion Refat Hima. – Ajo ishte e mbushur me judë, djaj e lugetër. Ata janë shtuar e gëlojnë anekënd. Jesuin e vranë dyfish, jo vetëm me kryqëzim, por edhe me talljen më makabre, duke e kurorëzuar me gjëmbaçë! Ky ishte kulmi! Ndaj edhe ai që ishte biri i zotit, nuk duroi dot më dhe u ngjit lart në qiell, pranë të Atit. Një orë e më parë sa më larg këtij Ferri tokësor im bir, do të ketë menduar i ati…
- Dhe na la, apo na harroi ne këtu poshtë! – ndërhyri lehtë ai, si për t’i dhënë ngjyra limonade dialogut.
- Jo, jo! – ia priti me të njëjtin pasion tjetri. – Poshtë mbetëm ne mëkatarët. Edhe unë, edhe ti! Dhe e meritojmë këtë braktisje. Kot lodhemi e përpiqemi të bëjmë shtet e demokraci, të sofistikojmë teknologjitë e të reklamojmë lumturinë tonë. Fataliteti do të na ndjekë kudo. Sepse këtu në këtë Ferr që quhet Tokë, këtu ku Krishti lidhte plagët, nuk mund të ndërtohet Parajsa! Të ishte ndryshe, Ai do të ishte midis nesh edhe sot e tërë ditën!
Ç’teori kjo e profesor Refatit, mendoi ai jo pa shqetësim në vetvete. Jo aq për të vërtetën që ajo ndrynte brenda vetes, se sa për përmasat apokaliptike që ai i besonte si të vërteta të fundme.
- Po ne, o Refat, - i tha atij, ndërsa ngrihej për të dalë. – ku do të bëjmë hajër? Këtu qenka Ferr, atje lart as shkojmë dot e as na pranon kush…!
- Unë e kam zgjidhur problemin për veten time! – ia priti, për herë të parë i qetë, tjetri. – Ja, kjo sipërfaqe dy me tre është Parajsa ime brenda Ferrit. Atë s’ma merr dot kush! Por, edhe në se ma rrëmbejnë, sërish unë do ta ringre! Dhe, a e di se ku?… Këtë herë… këtu! – tha ai dhe vuri gishtin në tëmtha.
SHTYPJE
Atë ditë kur doli nga kioska e Lamit, ndjesia e parë që e pushtoi të tërin ishte ajo e anonimatit. Jam askushi, askushi, askushi, përsëriste parreshtur me vete. Madje, jam edhe më i keq se kaq. Si tha Lam Rroka? Jam një përhapës i sidës! Ja, me këtë virus që mbaj këtu në xhepin e brendshëm të xhaketës. Ashtu si krijuesi i bombës atomike. Edhe unë pandeha se kisha sjellë në jetë një mirësi, por, ah, s’paska qenë tjetër veçse fatkeqësi. Një virus që përhapet, jo me anë të seksit, gërvishtjeve apo gjithfarë shpimeve, por me anë të leximit.
Kur u fut në dhomën e tij të punës, e para gjë që bëri ishte nxjerrja e librit nga brendësia e xhaketës. Me një vështrim disi të mjegulluar, i hodhi edhe një herë sytë nga titulli. Vërtetë, fjala-titull “Sfidë”, çuditërisht ishte transformuar në “S idë”! Ajo njollë yndyre mbi “f-në”, tamam si një virus i mistershëm, kishte ndryshuar gjithçka. Dhe tërë mundi i tij shumëvjeçar kishte shkuar dëm! Lami e kishte kapur për bishti, si një mi të ngordhur librin e tij, e kishte hedhur tej që të mos i sillte tersllëk.
Provoi një ndjenjë sikur i merrej fryma. Jo sikur, po vërtetë po i merrej fryma. Provoi të hapte dritaren dhe zgjati kokën të ajrosej thellë, por shtypjen në diafragmë, në atë cipëzë të hollë që ndan stomakun nga mushkëritë, ende e ndjente kthjelltazi. Ngriti kokën lart dhe i zunë sytë disa re duralumini. Pati përshtypjen sikur ato uleshin me shpejtësi drejt tokës, sikur po rrëzoheshin mbi të. Ndërkaq, gjithçka iu duk papritur si e ngrirë. Asnjë fluturim zogu nuk të rrokte syri në ajër, asnjë fije
Qielli, si një saç gjigand, befasishëm e kishte zënë nën vete. Ai u shkëput nga parvazi i dritares dhe u shtri duke dihatur mbi shtrat. Ndjehej si në kuvli. Si Guliveri në Ishullin e Xhuxhëve. Hodhi sytë në dyshemenë e dhomës dhe vërtetë dalloi një varg milingonash imcake që prej ditësh kishin krijuar tragën e tyre në kërkim të ushqimit. Ja dhe xhuxhët e mi, mendoi. S’do të çuditej sikur, po në përmasat e tyre, poshtë shtratit, tavolinës së punës, nën etazherin e këpucëve, madje edhe mbi rrobat e tij, të gëlonin me mijëra buburrecë e kandra të ndryshme. E midis tyre, edhe ai, Lami i asaj vrime që qelbte qofte e raki. Se, në fund të fundit, ai ishte Guliveri.
E paska edhe një të mirë shtypja, i feksi në tru. Vërtetë që të zë frymën, por dhe të bën gjigand. Si Guliveri! A thua e kishte gjetur edhe ai Ishullin e tij?! Apo mos e gjitha kjo s’ishte veçse një iluzion? Një dyzim midis gjigandit-xhuxh. Midis xhuxhit-gjigand. Cila ishte e vërteta? Përse e kishin mbyllur këtu brenda, brenda vetes së tij? A s’e dinin ata se mbyllja brenda vetes ishte kyçja më e tmerrshme nga të gjitha, edhe se vetë dergjja në burg?!
Sërish i shkuan sytë tek libri i tij. ”Sfida”, me atë damkë tjetërsimi mbi shpinë, iu duk si një fëmijë i braktisur në befotrof. Në befotrofin plot njolla qofteje te Lam Rrokës. Ai u ngrit në këmbë dhe, sikur të prekte vërtetë një foshnjë, e ledhatoi ëmbël dhe e mori në duar. Tashmë merrte frymë normalisht. Ankthi i ishte mërguar. Me një zë të butë, gati pëshpëritës, sikur t’i drejtohej pjellës së vet, ai belbëzoi: Duhet të më falësh! Për pak harrova se të kisha pagëzuar: SFIDË. Por kjo s’ka për të ndodhur më!
ORA BIOLOGJIKE
Ishte vjeshtë dhe ai zgjati kokën pranë xhamit të dritares. Ja, ashtu kot, si një nxënës i rëndomtë që kërkon të vëzhgojë përciptazi disa detaje vjeshte për hartmin e radhës që ka të nesërmen. Kurrë nuk mund ta paramendonte se, nga kotësia e një soditjeje, përsijatjet do ta çonin aq larg, deri tek ora biologjike.
Për fat, sytë i shkuan tek ftoi i rrëgjuar që ndodhej fare pranë murit që qerthonte oborrin. Dukej akoma më i rrëgjuar nga iluzionet deformuese që i jepte xhami jo i rrafshtë i dritares. Lashtësia e pemës nuk ishte bërë shkak që, midis fletëve të zverdhnin aty-këtu edhe frutat, vërtetë të paktë, por të stërmëdhenj. Tamam ftonj për t’u ruajtur në senduqet e pajave, thjeshtë në mungesë të deodorantëve që nuk njiheshin dy dekada më parë, atëherë kur gjyshja e tij ishte ende në këtë jetë.
Eh, ç’iu kujtua gjyshja! Nëna e Tunjës, i thoshin ata, ai bashkë me të vëllanë dhe të motrën, sipas fshatit prej nga ku ajo zbriste çdo vjeshtë për në shtëpinë e tyre. Por edhe për ta dalluar nga nëna tjetër, ajo e të atit të tyre, që banonte në shtëpinë ngjitur. E para trokiste me shkopin e sajuar si bastun, sa për adet, se pastaj e shtynte vetë portën, hynte brenda dhe, e para gjë që bënte, ishte të varte hejbenë, ja, në atë gdhënçkën e fikut sa një bojë njeriu lart nga toka. Pa kur i hapte ato! Mollë divjaçka, ftonj dyllë të verdhë, rrush i fortë korif që rron edhe për një vit, mana të thatë, madje, në një sahan alumini nuk harronte të fuste edhe hoje të prerë, të mbushur tërë mjaltë. Fëmijëve u dukej hejbeja e saj si sharku i Eolit, prej nga frynte, jo një erë çfarëdo, por era e vjeshtës me tërë aromat e saj. Ndaj dhe, kur e shihnin tek porta çdo vjeshtë, duke varur në gdhënçkën e ftoit hejbetë e saj, lumturinë e shprehnim duke thirrur së bashku: Erdhi nëna Vjeshtë!
Tashti ajo s’është më. Siç nuk është as gjyshja tjetër. As të dy gjyshërit. Kush më parë e kush më pas, të katër kanë ikur nga kjo botë. Dhe ai ndjeu një boshllëk të vërtetë diku mes kraharorit. Më pas provoi një ndjesi tjetër, gati-gati absurde, të pakuptimtë: E kishte marrë malli për një përrallë! Gjysmën e mbretërisë për një përrallë, iu bë sikur dëgjoi një zë brenda vetes.
Pas gati një ore, këtë atavizëm të fëmijërisë e kishte hedhur në bllokun e tij:
Më ikën gjyshërit
një e nga një,
Dy gjyshet napëbardha
me hënëz në ballë,
Dy gjyshërit e urtë
me flokët si re…
E di: Përjetësisht
do më mungojë një përrallë!
Sa mirë që njeriu edhe në fund të jetës së tij ka nevojë për përralla, mendoi. Ajo e pastron atë, sepse e largon në kohë, duke e hedhur në djepin e fëmijërisë, në djepin e pafajësisë e të sinqeritetit, deri në naivitet. E bën të xhamtë, pa komplekse, pa tahma, ia pret vazhdimisht thonjtë, që të mos i bëhen kthetra.
Ai e ndjeu veten sikur mbi kokë kishte një hinkë të stërmadhe, një kon gjigand sa një piramidë, veçse të përmbysur, me kulmin poshtë. Dhe ai vetë ishte tek maja e këtij koni, produkt i tërë këtij infiniti njerëzor. Sepse gjithçka fillon e mbaron tek unë, mendoi, tek njeriu, tek individi. Ai është qendra e Botës. Ora e kohës punon në perfeksion. Unë qenkam produkt i së shkuarës, e përfundoi idenë.
Çuditërisht ndjente se mund ta vazhdonte meditimin. Kokën e kishte të lehtë. I duhej një përngjasim figurativ konkret që përsijatja të ecte më tej. Dhe, fare natyrshëm, ajo i erdhi në mendje. Ora prej rëre, gati sa s’thirri. Ndenji disa çaste palëvizur, ndërsa truri i punonte ethshëm. Rëra që zbrazet me një saktësi kronometrike nga hinka e përmbysur, mbi simotrën e saj që e mban mbi kokë. Të dyja të lidhura për koke, si motra siameze. Njëra zbrazet e tjetra mbushet. Në pikën e takimit jam unë, njeriu, individi aktual që përjetoj momentin.
Në fakt, kjo është ora biologjike, përgjithësoi ai. Sepse vendos një ekuilibër biologjik në natyrë, pikërisht tek Çudia e kësaj natyre, Njeriu. Brenda këtij Njeriu, çdo individ është një botë më vete. Ai është pika e referimit të botës, sepse tek ai fillon e mbaron gjithçka. Historia prodhon individin dhe individi prodhon historinë! Kjo është ora biologjike e kohës. Hinkat gjigande zbrazen tek njëra-tjetra. Miliarda individë, si rëra, rrjedhin sipas një kronologjie perfekte dhe, kur boshatiset njëra e mbushet tjetra, vëndet ndërrohen me përmbysje dhe ciklet përsëriten pafundësisht. Dhe historia njerëzore vazhdon…
ANKTH
S’qe e thënë të dremiste në atë cep divani. Të bërtiturat e Martinit, djalit të tij trevjeçar, e zgjuan.
- Nane, nane, e vrava dhe nji! Pau, pau! - ushtonte zëri i tij metalik në shtëpinë e madhe dykatëshe.
Ai u ngrit me përtim dhe bëri për nga korridori i hyrjes. Martini, një shkop gjysmë metri që e mbante me të dyja duart, e kishte drejtuar nga muret e bardhë dhe, si gjahtar i sprovuar, tërë sy e veshë qëndronte në pritë. Ai ia hodhi vështrimin pyetës së ëmës që ishte ulur te shkallët dhe diç thurte me shtiza.
- E ka me hardhucat e shtëpisë sot! -tha ajo dhe, për të dhjetën herë improvizoi këngën e asaj dite për të nipin:
O Martin me kobure,
Vret hardhucat nëpër mure!
- O ba, ja, ja ku doli një tjetër! Pau, pau! E vrava, o ba!
Ai vërtetë dalloi një hardhucë shtëpie që zakonisht rrinte nëpër mure. Ajo, e trembur nga britmat e trevjeçarit, rrëshqiti me shpejtësi dhe zuri vend diku në tavan, prej nga ku ai mund ta vërente fare mirë. Ishte tamam një hardhucë, por jo si ato të tjerat që i hasim rëndom, mbuluar tërësisht me luspa ngjyrë gri. Gjahu i të birit ishte tërësisht në një rozë të zbehtë, aq sa atij iu duk lakuriq. Si e zhveshur nga tërë ajo mori luspash që, sigurisht, do ta bezdisnin mjaft atë trup të brishtë mes asaj vape përvëluese korriku.
U ul pranë së ëmës duke rrufitur kafenë, ndërsa gjuetia e të birit, “Pau,pau“,
vazhdonte tashmë në thellësi të korridoreve të shtëpisë.
- Përse nuk i bëni me herbicide që t’i zhdukni? - pyeti ai.
- Ç’thua ?! - ia ktheu ajo. - Se mos i bëjnë keq njeriu. Hardhuca shtëpie janë!
Ai rrufiti edhe gllënjkën e fundit të kafesë që i kishte mbetur në filxhan. Një puhizë e freskët që zuri të frynte nga Krasta, sikur po ia sillte sërish dremitjen e lënë përgjysmë. U mbështet pas murit dhe ndjeu t’i uleshin qepallat.
Ishte një përhumbje e lehtë. Fillimisht iu shfaq hardhuca e trëndafiltë, pa lëkurën e lusptë, si të ishte një model nudo, vetë pafajësia.Ja, kështu lindin të gjitha gjallesat, të pafajshme, naive, transparente. Pastaj zënë e shfaqen luspat e para në pjesët më të rrezikuara të trupit, fillimisht ngjyrë kafe. Nisin të ravijëzohen e formësohen kthetrat dhe ca e nga ca, tërë trupi vishet në gri, ndryhet në një parzmore-koracë të padepërtueshme nga heshtat. Tashmë kthetrat janë zgjatur dhe janë kthyer në grremça të hekurt. Pafajësia e dikurshme deri në naivitet, tashmë është gati për luftë!
Iu kujtua vargu i famshëm i një poeti: Si macja që nga tigri rrjedh! Po përse të jetë kështu, mendoi. Përse të mos rrjedhë tigri nga macja? Ashtu si këto hardhuca të pafajshme shtëpie që, fare mirë, një ditë mund të kthehen në krokodilë!
Në atë përhumbje të lehtë dremitëse, si në një jehonë të largët, ende ndjente në veshë britmën “Pau,pau” të të birit. Luaj, luaj tani sa je fëmijë, u përpoq pavetëdijshëm të dialogonte me të. Edhe ti sot je i pafajshëm si një xham kristali. Ashtu si kjo hardhucë shtëpie.
Befas u përmend, por përsijatja e dremitjes ende nuk po i ndahej. I përfytyroi të dy, edhe hardhucën, edhe të birin, pas shumë vjetësh. Atëherë kur ai të mos ishte më në këtë botë:
Si do t’ia dalësh, o bir, kur të bëhesh burrë,
Kur unë në varreza të jem shtrirë,
Kur hardhucat të zbresin nga muret
E në lumejtë e jetës të bëhen krokodilë?!
Tashmë ishte bërë tërësisht esëll. Instikti i lashtë sa bota e kishte mbërthyer të tërin. Si do ta mbronte të birin kur të mos ishte vetë mbi këtë tokë? A kishte garanci një kërkesë e tillë e çmendur? Ç’hipotekë, ç’avokat, ç’amanet drejtuar dikujt do t’i garantonte paprekshmërinë e të birit kur ai të mos ishte më?!
- Ç’ke, sikur u trembe?! - vërejti e ëma që ende vazhdonte të bënte triko.
- Dëgjo këtu. Hajde më trego ku janë ato herbicidet. Që sot, s’do të ketë më krokodilë në këtë shtëpi.
- Krokodilë…?! - pyeti si e shastisur tjetra.
- Quaji si të duash. E njëjta gjë është! - ia ktheu si nëpër tym i biri dhe bëri tutje, për në thellësi të shtëpisë, prej nga ende dëgjohej krisma „Pau, pau“ e gjahtarit të vogël.
PARALELE KOZMIKE
Sapo i kishte rilexuar të dy librat poetikë të Dritëroit. Rileximi i ishte kthyer në një ritual të domosdoshëm. Jo thjeshtë për të shijuar artin e tij. Ishte diçka më e madhe. Një si ndjenjë vetërrëfimi, një nevojë e papërballueshme për t’u hapur diku, tek dikush. Për të gjetur kohë pas kohe ekuilibrin shpirtëror. Ashtu si besimtarët që rrëfehen tek prifti i tyre, për të rivendosur lidhjen shpirtërore me Krijuesin.
Por ai nuk ishte besimtar i tillë. Jo se nuk besonte. Besimi i tij kishte përmasa të tjera, larg tabuve. Ndaj kërkonte një tjetër faltore dhe ajo ishte faltorja e artit të vërtetë ku Mesia ishte poeti. Ai zhytej në atë botë të pamatë të artit, fluturonte sa në një anë të kozmosit shpirtëror në tjetrin, me shpejtësinë e dritës. Rizbulonte vetveten në forma që kurrë s’i pat menduar. Dhe harronte, harronte smogun dhe ndotjen që kishte përfshirë tokën.
Në ato çaste falje e rrëfimi ai e ndjente se jetonte me të vërtetë. Nuk kishte më Lam e Avni. Ata kishin mbetur atje, në kuzhinën e tyre të ekonomisë së tregut dhe recitonin këngën e bretkosave:
Ekonomi tregu është kjo, vëlla:
“Rrimë në tryezë,
pa ngrënë s’mbesim,
Na pihet ujë,
pimë!
Na rriten thonjtë,
i presim!”
Alternativa pa fund paska kjo botë, mendoi. Ca duan poezinë, shpirtin dhe ca të tjerë masturbohen në kuzhinën e tyre. Ku rafsha, mos u vrafsha, do të thoshte Sokrati. Pse, pak njerëz ka që shkojnë pas hijes së tyre? Kjo do të thotë se vinë rrotull, si akrepi rreth vetes, përderisa edhe hija, pjella e diellit, është e dënuar të bëjë të njëjtën gjë.
Pjesa dërrmuese e njerëzve vegjetojnë, mendoi. Janë thjeshtë gjallesa që kryejnë funksionet e tyre jetike. Ashtu si unë. Pse, ç’po bëj unë më tepër? Ja, edhe unë rrokullisem, sipas gravitetit. Sipas asaj sipërfaqeje të tokës ku jam ndodhur rastësisht! Edhe unë s’e komandoj dot veten time. Ashtu si Lami. Ashtu si Avni Gorica…
Ja, prandaj ai kërkonte të shkonte në faltoren e poetit !Të vetëpastrohej, të ngushëllohej, pse jo dhe të lumturohej për disa orë. Të rrokte në duar, si të merrte Biblën, librat e tij dhe të arratisej nga kjo botë ku, bashkë me poetin, rronin dhe Lam e Avni. Si në atë proverbin e zgjuar: Rron shqiponja në majë të malit, rron dhe miza në bythë të kalit! Fjalinë e dytë të proverbit, ai e kishte modifikuar: ”…rroj dhe unë në bythë të Lamit”
Qeshi. Ishte një e qeshur si larje borxhi. Ndonjë ditë do t’ia thoshte këtë proverb Lam Rrokës. Ia vlente t’ia thoshte edhe po t’i mbetej hatri! Ndërkohë i shkuan sytë tek portreti i Dritëroit, i cili e vështronte si nga një tjetër botë. Ishte vetëm fytyra e tij e skicuar me laps në krejt kornizën e kopertinës së “Lypësit të kohës”. Ai u befasua. Sa shumë i ngjan Ajnshtajnit! Si s’e paskam vënë re më parë? Ja, po ato thinja në flokët e zgjatur si një tufë resh. Ato qeska vuajtjeje poshtë syve. Rudhat vertikale që përshkonin tej e tej faqet. Dhe gjithçka e bënte më të largët vizatimi në grafikë, ku s’kishte më mish e ngjyrë, po kishte mbetur vetëm esenca, vetëm konfiguracioni që ravijëzonte një botë tjetër, një botë diku midis tokësores dhe qiellores.
Të dy plotësojnë njeri-tjetrin, mendoi. Ajnshtajni është Mesia i hapësirave dimensionale, të matëshme me vjetdritë. Dritëroi dhe dritërotë e kësaj bote janë Mesia e shpirtit njerëzor, ku hapësirat s’mund të maten, sepse s’mund të matet shpejtësia e mendimit. Dhe individi, që të bëhet vërtetë Njeri, ka nevojë për të dyja: Edhe për hapësirat kozmike të Ajnshtajnit, edhe për hapësirat shpirtërore të Dritëroit! Që të dyja e shpien përpara Botën!… Kuptova, i tha vetes:
Kuptova!
Ashtu si relativiteti,
Poezia tënde ma shpërtheu kuvlinë e kohës!
…Ti rend në hapësirat e pamata të shpirtit!
…Ai rend në hapësirat kozmike të botës!
Ai e mbylli librin. Në kuadratin e derës u shfaq e shojqa. Dreka është gati, i tha ajo. Nuk e kuptoi pse ia nguli sytë më gjatë se zakonisht. Çuditërisht iu duk më e plakur! Si ka mundësi, tha me vete?! Mos, vallë, unë po vi nga një botë tjetër ku kam udhëtuar me shpejtësinë e mendimit? Ashtu siç ndjehesh më i ri kur zbret në tokë pas një fluturimi shumëvjeçar me shpejtësinë e dritës nëpër univers…!
NJË VIRUS KATAKLIZMIK
E mbylli Biblën me një ndjesi disi të pashpjegueshme. Diçka midis nderimit e frikës, që merrte trajtat e misterit. A s’i ka misteri këta dy elementë që, të ndërthurur bashkë, përbëjnë joshjen. Atë joshje që është e papërballueshme për natyrën njerëzore?
Ndjesia e misterit e kishte pushtuar të tërin pasi kishte lexuar paragrafët kushtuar Kataklizmës. Përmbysja e Madhe, Deverqameti, siç thotë nga ana tjetër Kurani, a nuk përbënte një finale, sa madhështore, aq edhe të frikshme, deri në kufijtë e gjëmës?! Nuk ishte si Arka e Noes, kur e keqja erdhi nga lart në formë shiu përmbytës dhe Noeja, i mbijetuari i madh, do të fillonte gjithçka nga e para. Jo ! Finalja biblike do të ishte gjëma përfundimtare dhe mbi faqe të dheut s’do të mbetej këmbë njeriu, asnjë qënie e gjallë, deri tek bimët, deri tek myshku më i fundit. Do të zhdukej qeliza, baza e jetës!
Përse kërkon ta bëjë këtë Zoti, mendoi përtueshëm ai. A s’e dënoi njëherë Njeriun në kohën e Evës dhe Adamit? A s’e përsëdyti më pas në kohën e Noes? Tashmë edhe një herë të tretë. E treta, e vërteta! Dhe kjo do të ishte E Vërteta e Madhe, zhbërja pa kthim!… Po përse, përse?!
Sepse Njeriu është plangprishësi më i madh nga të gjitha qeniet që Zoti ka krijuar, mendoi ai. Ka përdhosur jo vetëm vetveten, por edhe Tokën, shtëpinë që Krijuesi i ka dhënë për të banuar! I ka grisur dhjetë porositë e virtyteve dhe ka shpikur dhjetë porositë e veseve. Nga këto vese Tokës po i merret fryma nga efekti serë e nga smogu. Vërtetë që ka zbritur deri në thellësi të atomit, vërtetë që sytë e tij po bredhin edhe në univers e po shohin yjet, por atë më të shenjtën, më normalen, më të bukurën, atë që e ka brenda vetes, Zemrën, s’po e sheh dot! Ndaj Toka është mbushur me pocaqi dhe është bërë ferr. Ndaj Ai, pas tri ditësh, e mori Birin e vetëm të masakruar nga njerëzit dhe e ngriti lart, larg nga ferri njerëzor.
Sikur s’qenkam i keq për prift. Ç’do të thoshte atë Joani po të m’i lexonte këto mendime që po bluaj në kokë? Do t’i quante herezi apo do të më bekonte? Sigurisht herezi, tha thuajse i sigurtë ai. Jo se ato janë kundër Biblës, por janë kundër tij si njeri. Atë Joani e ka frikë vdekjen. Edhe vdekjen nga Zoti, siç është Kataklizmoja. Kur, si njeri i perëndisë që është, ai s’duhet të frikësohet nga kjo lloj vdekjeje! Por atë Joani më tepër është njeri se sa prift! Ai disa herë më ka pyetur se nga do të vijë Përmbysja e Madhe. Unë i kam thënë se njerëzit në rrëzë të veshit e kanë hatanë nga ndonjë kometë apo asteroid gjigand. Ashtu siç ndodhi atëherë kur u zhdukën dinosaurët. Ai më shikon me nënqeshje, sikur don të më thotë se s’i ha unë këto, por unë e ndjej se ai vërtetë trembet, ndaj vazhdoj. Po qe se shpëtojmë nga kometat e asteroidët, e sigurtë është se do të bëhemi pluhur e hi nga Bing Bengu i dytë. I pari na krijoi, ndërsa i dyti, fillimisht do të na shuajë të gjithëve, jo vetëm tokën, por krejt universin. Do të na shuajë, për të na krijuar sërish, por jo si ne, të pistë e të përdhosur. Atëherë do të jemi vërtetë të pastër si fëmijët e porsalindur, si lakuriqi Adam e lakuriqja Evë, kur ende s’e kishin takuar gjarpërin. Dhe atëherë, i dashuar atë, pas miliarda e miliarda viteve, ti s’do të kesh më nevojë të vishesh me këto rroba të zeza, por do të jesh një prift lakuriq!
Palo prift, mendoi me vete. Kataklizmoja e Biblës nuk ka brirë. Është një proces rifillimi natyror.
Kjo do të ishte vërtetë e tmerrshme, më mistikja nga të gjitha, mendoi ai. Të keqen e atyre gjëmave që do të na vinin nga qielli! Punë sekonde dhe gjithshka merr fund sa hap e mbyll sytë! S’ka dhimbje e ulurima, vuajtje e tmerr.
Dhe, mos o Zot, kjo do të ishte përmbushja e profecisë biblike! Mënyra më tragjike e realizimit të një parathënieje. Më tragjikja, sepse Kataklizmën do ta krijonte vetë Njeriu me pisllëqet ku e kishte zhytur Tokën. Dhe virusi-hata, produkti i kësaj superndotje njerëzore, do t’i vërsulej krijuesit të tij, Njeriut! Ky është bumerang, përfundoi ai përsiatjen, nga joshja që i ngjalli misteri i librit më të lexuar në botë.
SHERR NË PARLAMENT
Presidentit të Republikës së Shenjave të Pikësimit (RSHP), zotit Linguist, i kishte pjellë belaja. Si do të mundej ta dekretonte ligjin për shkurtimin e fjalive, në se Parlamenti i Shenjave të Pikësimit do ta miratonte? Dhe ishte pikërisht diskutimi i këtij ligji që po debatohej në seancë plenare, imazhet e së cilës ai kishte rreth një orë që po i ndiqte nga ekranet e TV-ve.
Projektligjin e kishte sjellë Grupi parlamentar i shenjave të pikësimit të Fjalisë, i cili ishte në opozitë. Qëllimi ishte i qartë: Duke u shkurtuar fjalitë, rritej ndjeshëm mundësia që të shtohej përdorimi i Pikës me 12 deputetë, i Pikëçuditëses me 3 deputetë, Pikëpyetjes me 2 dhe i Dypikave dhe Pikëpresjes vetëm me nga 1 deputet. Ashtu siç kufizohej ekstremisht përdorimi i Presjes, e cila përbënte mazhorancën në pushtet, së bashku me një satelit të saj, siç ishte Apostrofi dhe që formonin së bashku Grupin parlamentar të shenjave të pikësimit të Fjalës. Grupi opozitar e kishte të qartë vështirësinë e miratimit të këtij projektligji, pasi mazhoranca aktuale kishte plot 24 deputetë të Parlamentit prej 50 vendesh, duke llogaritur dhe 2 deputetët e aleatit satelitor. Ndërkohë, opozita e kryesuar prej Pikës dhe e përbërë nga 5 parti, në total përbëhej nga 19 deputetë. E gjithë luftë-loja tashmë do të zhvillohej se kush bënte për vete Grupin e tretë dhe të fundit parlamentar, atë të shenjave të pikësimit Amorf, pa identitet të përcaktuar, i cili futej kudo, edhe në fjali, edhe në fjalë, siç ishin Thonjëzat, Kllapat e Vogla, Kllapat e Mëdha, Fraksioni dhe dy Vizat, e Vogla dhe e Madhja. Ndonëse ato kishin vetëm nga një deputet, përjashto Thonjëzat që kishin 2, së bashku, po të donin, bënin ligjin me të 7 deputetët e tyre. Mjaftonte edhe një deputet borxh nga Grupi Amorf dhe raporti shkonte në barazim, 25 me 25 dhe projektligji aq jetik për të ardhmen e Grupit të Fjalisë nuk mund të kthehej në ligj!
Deputetët e të 13 partive parlamentare të Republikës së Shenjave të Pikësimit po kalonin në ofendime personale. Kryetari i Grupit të opozitës, një Pikëçuditëse kokoroshe dhe e ashpër si shpatë, i ofendoi rëndë të 22 deputetët e Presjeve duke i quajtur bacilë, bacilë vdekjeprurës në mushkëritë e librave. Por menjëherë ndërhyri Kryetarja e Parlamentit të Shkronjave, Pikëpresja e vetme deputete, e cila ishte miratur me konsensus të plotë si e tillë, vetëm për faktin se në vetvete përfaqësonte dy kampet kundërshtare, edhe Presjen, edhe Pikën:
- Në këtë tribunë të nderuar nuk lejohen sharje me terma që aludojnë për veti apo gjymtime fizike të personave të veçantë, - tha ajo, por batuta nga salla erdhi më e fortë:
- Unë nuk fola për persona të vaçantë, zonja Kryetare, por për gjithë deputetët e Presjeve, të 22 janë bacilë!
- Mbaje gojën, ti Pikëçuditëse! – u hodh Presja që kryesonte mazhorancën. - Nuk jemi më në diktaturë kur ti bëje ligjin me atë shpatën tënde! Në demokraci nuk ka dhunë, ndaj populli i shkronjave ju la vetëm me 3 deputetë.
Ç’më polli belaja me këta, tha sërish Presidenti i RSHP-së, që thellë brenda vetes nuk e dëshironte aprovimin e këtij ligji. Normalisht të 7 deputetët e Grupit Amorf duhej të abstenonin, pasi nuk kishin asnjë interes të votonin pro apo kundra. Ata ndjeheshin komodë si midis fjalëve, ashtu edhe midis fjalive. Por në një nen të projektligjit, tinëzisht Grupi i opozitës kishte shtuar: “Për arësye të thjeshtëzimit dhe efektivitetit të përdorimit të shenjave të pikësimit, për të mos ngatërruar elektoratin e shkronjave, të mos egzistojnë më Vizat dhe Kllapat e Mëdha, të cilat të përfaqësohen vetëm me të Voglat.”
Linguisti, Presidenti i RSHP-së, nënqeshi. Sa të lexueshëm janë mendoi. Ngasja për të bërë për vete votat e 2 deputetëve, atyre të Vizës dhe Kllapës së Vogël, (që në fakt, në se miratohej, bëhëj 4) ishte vërtetë diversive. Por kishin edhe një qëllim tjetër të dyfishtë deputetët e opozitës: Në se varianti i parë nuk funksiononte, të paktën të neutralizonte ofertën e Presjes për të këndellur dy Vizat që të riktheheshin në Grupin e tyre, në mënyrë që ata të ishin vërtetë mazhorancë, me plot 26 deputetë, si atëherë kur krijuan Qeverinë, me argumentin logjik se i përkisnin spektrit të tyre linguistik, përderisa ishin shenja pikësimi që mund të hynin edhe brenda fjalës. Ashtu siç kishte ndodhur me aleatin besnik, Apostrofin, që, përveçse futej në trup të fjalës, kishte edhe ngjashmërinë e vëllait siamez me Presjen.
- Sot duhet të vendosen mirë pikat mbi “i”! – tha Pika. – Ne vërtetë na ka zgjedhur elektorati i shkronjave, por Kodi Zgjedhor ka qenë i manipuluar dhe votat na janë vjedhur si pasojë e presioneve psikologjike dhe e bandave të votave. Si ka mundësi që për ne të mos votojnë një sërë shkronjash, si ë-ja, i-ja, j-ja, të cilat s’do të ishin të tilla pa kontributin tonë?!
- Protestoj! – u ngrit pa marrë leje Presja. – Ai elektorat që thua ti nuk votoi as Tripikëshin që mbeti jashtë këtij Parlamenti të nderuar, sepse lexuesi në këto kohëra moderne të shpejtësisë, nuk ka kohë të marrë frymë thellë e të ecë me hapin e breshkës. Të ishte ashtu, edhe ne do të kërkonim që të përdoreshim detyrimisht pas çdo fjale. Po ky nuk është vullneti i elektoratit tonë të shkronjave dhe ne e njohim mirë këtë vullnet, sepse ne rrimë pranë halleve të tij, duke qenë mes fjalëve dhe jo si ju që i jeni larguar, duke u mbyllur nëpër zyrat tuaja vetëm në fund të fjalive, madje në fund të frazave të tejzgjatura të tipit latin që s’dihet si mbarojnë, siç ka bërë ai Kryeministri juaj!
- Kjo është dhunë, dhunë verbale dhe ne bojkotojmë seancën duke mos marrë pjesë në votim! Tani keni për të parë se ç’lesh arapi do të bëhet. Pa ne s’ka as shkronja të mëdha në fillim të fjalisë. Ky Parlament do të ketë vetëm Fjalë dhe jo Mendim! – tha shkurt Pikëçuditja në emër të Grupit të Fjalisë dhe u ngrit në këmbë për të braktisur sallën e Parlamentit.
Presidenti ndoqi me radhë deputetët që largoheshin njeri pas tjetrit, të 12-ta Pikat dhe pas tyre 3 Pikëçuditëset, Dypikëshin e vetëm që mbahej më të madh, pasi e quante veten sa për dy deputetë të Partisë së Pikave. Në fund të vargut të tyre dolën 2 deputetët kurrizdalë të Partisë së Pikëpyetjeve, të cilët ishin gati për të dalë nga Grupi i Fjalisë, për arësyen e vetme të gungës që mbanin mbi shpinë, e cila vinte gjithnjë duke u rritur.
- Tashmë edhe mua s’më mbetet tjetër veçse të largohem! – tha mes të qeshurave Kryetarja e Parlamentit të Shkronjave, Pikëpresja, e cila i përkiste Grupit që porsa kishte lënë sallën. – Para se t’ju them “Ju vaftë puna mbarë!”, e shoh me vend t’ju informoj se mes nesh do të kemi edhe një parti të re të porsakrijuar, Partinë e Theksit, ashtu siç nuk u pranua nga gjykata që Nënvizimi të futej në Partitë e Shenjave të Pikësimit. – uroi ajo dhe i bëri shenjë Nënkryetarit, një Presjeje fjalëpakë që nuk i ndjehej zëri kurrë, që të vazhdonte drejtimin e seancës.
Ndërsa deputetët e mbetur, sidomos ata të mazhorancës, ishin të çliruar, madje të gëzuar që tashmë nuk rrezikoheshin nga ndonjë e papritur, Linguisti përfytyronte pasojat që do të kishte ikja e pesë shenjave të pikësimit në elektoratin e shkronjave.
jeni nga ata të Moskës pyeti njeri prej tyre po prandaj u vonova tha Besniku duke hequr pallton ai mori numrin më vjen shumë zor të hyj tha në çsallë jeni D mos keni gajle tha garderobisti po të ishit në sallën kryesore ndryshonte puna
Kjo do të ishte fatkeqësi, tha ai. Thua të jenë aq të çmendur?! Kjo do të thotë se, paskëtaj s’do të ketë më shkrim, do të fshihet nga faqa e dheut kujtesa dhe, brez pas brezi, gjithçka duhet të fillojë nga e para!
Budallenj, tha pas pak. Mua s’më bëni dot presion! Fundja, do t’ju zëvendësoj me intonacionin, pavarësisht se njerëzve do t’u duhet që në vend të librave të mbajnë në xhepa e në shtëpi magnetofonë gjithfarësh. Le të shlodhin për ca kohë sytë dhe të rëndojnë veshët. Deri sa ju plangprishësit të riktheheni…
BUSTIN
Megjithëse e ngrohtë, ishte e fortë era e asaj dite qershori. Oborri i madh i shkollës, i zbukuruar si për festë, thuajse po mbushej. Jo vetëm nxënës, por mjaft qytetarë, sidomos mësues të dalë në pension. Në lulishten e vogël, fare pranë një akacieje, mbi një piedestal gri, një çarçaf i mëndafshtë mbulonte bustin që pritej të përurohej. Era ia rrëmbente cepat, sikur kërkonte me padurim të zbulonte enigmën që fshihej nën të. Por gjithshka ishte e kotë. Siç ndodh rëndomë në të tilla raste, privilegjin e zbulimit të saj para turmës do ta kishin autoritetet e vendin që pritej të vinin nga çasti në çast.
Mes shumë të njohurve ai po kërkonte me sy më interesantin dhe kur i humbi shpresat, ndjeu një dorë që e preku lehtë në sup. Ishte Arseni, një shok i hershëm i fillores, me të cilin takoheshin tepër rrallë, pasi ai, prej shumë vitesh s’banonte më në qytetin e tyre.
- Ku je, o nostalgjiku i përjetshëm! – i tha ai duke e përqafuar. – Kam thënë unë se, nga e gjithë shoqëria e fëmijërisë, ti je më i gjenduri!
- Mbase, por për profesor Saliun nuk është thjeshtë nostalgji. – dhe hodhi sytë nga busti që, nën valëvitjen e çarçafit të bardhë, të krijonte idenë e një thirrjeje këmbëngulëse për paqe.
Sot mbushej plot një vit që mësuesi i tyre i katër viteve të fillores nuk jetonte më. Këshilli bashkiak i qytetit që në gjallje i pati dhënë titullin “Qytetar nderi”, ndërsa sot, me përurimin e bustit, shkollës do t’i jepej edhe emri i tij. Këndej e tutje ajo do të quhej “Shkolla Sali Hyka”.
- Paske zgjedhur lule të bukura! – i tha Arseni.
- Më shumë më lodhi ky zambaku, se nuk ka në këtë stinë, ndërsa për këto të tjerat nuk është problem. Të kujtohet ajo kënga-lojë, “Roza, Rozina”?..
- E si jo? – tha menjëherë Arseni dhe filloi të këndonte lehtë tek veshi i tjetrit: - Roza, Rozina/ Bjer ca trëndafila/ Bashkë me zambakun/ Edhe lule t’jera…
- Ja ku i ke pra, trëndafilin, zambakun dhe këto të tjerat, të papërcaktuarat.
- Ti je i madh, kam thënë unë! – u mallëngjye vërtetë tjetri dhe e përqafoi sërish.
Ai e kishte mësuar vonë, tepër vonë se, thuajse të gjitha këngët-lojra të fëmijërisë, të përhapura në krejt vendin, ishin shkruar nga mësuesi i tij i fillores. Të përshtatura me meloditë e kompozuara nga austriaku i madh, Frans Shubert. Se mësuesi i tij i parë kishte studiuar në Austri.
- Kështu po, kështu shkon haka tek i zoti! – dëgjoi ai të thoshte si nëpër dhëmbë Arseni.
Ç’e pati këtë punën e hakës ky, mendoi ai. Mos është përqasja e mbiemrit “Haka” të profesorit, me sinonimin dialektor të fjalës “E drejta”?
- Haka nuk duhet të vijë vetëm me fjalë të bukura, si kofini pas të vjeli! – ia ktheu po nëpër dhëmbë ai, si për t’i tatuar pulsin.
Arseni u përtyp mëdyshas për disa çaste dhe foli:
-Unë di që të gjitha ia kanë bërë. Që nga “Mësues i Popullit” e “Qytetar nderi”, pa përmendur sa e sa dekorata të tjera që kush i mban mend. Ja tani edhe ky bust dhe emri i shkollës!
- Ke qenë larg, ti Arsen dhe nuk i di disa gjëra! Nuk e di që profesori vdiq i vetmuar në një dhomë me qera! Dhe kush? Pinjolli i një familjeje që i ka dhuruar qytetit bibliotekën. Nuk e di që të dy fëmijët e tij, inxhinierë nga më të zotët, kurrkush s’i merrte në punë, ndaj dhe emigruan. Brodhi profesori me bastunin e vjetër në bashki e në prefekturë, por komisioni i strehimit dhe komisionet e tjerë s’dëgjonin nga ai vesh. E bënë “Qytetar nderi” në gjallje dhe e lanë të vdiste i vetmuar në një dhomë me qera…!
Sepse iu kujtua edhe një rrëfenjë për profesorin e tij. Kishte marrë rrugën një ditë për tek Presidenti i vendit, ish-nxënës i tij. Ky e kishte pritur si s’ka më mirë, por kur kishte dëgjuar kërkesën për strehim, ishte mëdyshur keqas dhe, në fund i kishte thënë shkoqur: “Më gjyko si të duash,profesor, por e vërteta është kjo: Unë mund të të bëj edhe “Nderi i Kombit”, por fuqi për të të dhënë shtëpi nuk kam!”
Era e fortë vazhdonte e vrullshme që nga Krasta. Ai pa orën. Kishte kaluar afati i përcaktuar dhe autoritetet (sepse i pëlqente ta martikulonte me këtë fjalë morinë e larmishme të posteve e gradave të tyre!) ende s’po dukeshin. Ai hodhi sytë sërish nga çarçafi i mëndafshtë mbi piedestal, cepat e të cilit përpëliteshin më fort, sipas vrundujve të erës që sa vinte e forcohej. Iu bë sikur profesori s’po e duronte dot më atë cohë të bardhe si qefin mbi kokë. Por sërish ishte nën mëshirën e autoriteteve që ende s’po dukeshin. Si atëherë, si tërë jetën. Cili do të jetë ai që do ta kryente aktin ceremonial të përurimit, heqjen e cohës së bardhë nga busti i profesorit, që ai të mund të merrte frymë lirisht, të ndjente erën e vrullshme të qytetit të tij?
Kur turma lëvizi dhe ai dëgjoi zërat- pëshpërimë, “po vijnë, po vijnë” dhe, bashkë me dy deputetë të qytetit, prefektin dhe kryetarin e bashkisë, pa dhe kryetarin e këshillit bashkiak, një “mos” i qartë i doli nga goja.
- Ç’është? Çfarë nuk shkon?! – e pyeti Arseni.
- Vetëm ai të mos ishte! – ia priti ai me duf dhe bëri me dorë për nga kryekëshilltari që ecte para të gjithëve.
- Ç’thua? Fundja atij i takon, se vendimin për bustin dhe emrin e shkollës e ka marrë këshilli i bashkisë!
- Lëri, more, rregulloret! A e di ti se pikërisht ky delirant ka qenë kryetari i komisionit të strehimit që s’e ka renditur emrin e tij as tek lista e përparësive? E di ç’më tha mua atëherë? Ne e bëmë “Qytetar nderi”, ç’do më tepër ai?!…
Të paktën të mos e mbajë ai fjalimin, mendoi, kur autoritetet po ngjisnin ato pak shkallë të hollit të jashtëm të shkollës, të improvizuar për tribunë. Por nuk qe e thënë. Pikërisht figura e bëshme delirante e kryekëshilltarit u ngjesh pas mikrofonit. Atij ndjeu një marramendje të lehtë dhe vështroi tufën e luleve që mbante në dorë. Iu dorëzua përfytyrimeve. Fëmijët rreth e rrotull dhe njëri prej tyre, Roza ose Rozina, në mes të rrethit, me buqetën në dorë. Ata vinin rrotull saj të kapur dorë për dore dhe këndonin muzikën ëngjëllore të Shubertit që i hyjnizonte fjalët e profesor Saliut. Donin që shoqa e tyre t’u jepte vetëm ca trëndafila, ose zambakun, por nuk prishte punë po t’u jepte edhe nga lulet e tjera që kishte buqeta. Lutja ishte e madhe dhe Roza-Rozina, më së fundi bindej dhe, duke hequr vetëm një lule nga tufa, e ngrinte lart dhe pyeste duke e hedhur: Kush e do këtë lule? “Buuu…” bënin të gjithë fëmijët, rrethi prishej dhe ata vraponin kush ta kapte i pari. Loja përsëritej deri sa të mbaronin të gjitha lulet e buqetës, por gara më e rreptë bëhej kur Roza-Rozina hidhte lart trëndafilat, lëre pastaj kur hidhej zambaku që ishte lulja më e rrallë!
Ndërkohë, fjalët e kryekëshilltarit, ca nga cilësia e mikrofonit e ca nga vrundujt e erës që s’dinte të pushonte, i vinin mbytyrazi dhe të copëtuara: “Mijërat e normalistëve… deri në Kosovë… Qytetari ynë i nderit… vuri bazat didaktike… brezat që do vijnë… ne i japim shkollës emrin e tij…”
Brekselep, e shau me vete me një fjalë dialektore të qytetit. Kush je ti që ia “jep”, more zuzar, ti që ke vilë katërkatëshe dhe atij s’ia fute emrin as në listë! Ndërsa ai i ka mësuar fëmijët të japin lule e vetëm lule!… Autoritetet zbritën shkallët dhe bënë disa metra më tutje, tek lulishtja ku do të zbulohej busti. Sërish deliranti që nuk u linte radhë të tjerëve, së bashku me njërin prej deputetëve, e hoqën ngadalë cohën e bardhë dhe, nën një rrapëllimë duartrokitjesh, atij iu shfaq mësuesi i parë. Por, më tepër se portreti i tij fisnik, ai u befasua nga një detaj i vogël që e drithëroi: Në thilenë e xhaketës dukej qartë një gonxhe zambaku!
Roza-Rozina, filloi të mërmëriste vetvetishëm tingujt që i vinin që nga fëmijëria dhe nuk i erdhi zor për dy lotë që filluan t’i vareshin mbi mollëza. Me vështrimin e mjegulluar prej tyre, sërish dalloi delirantin, tashmë me kryetarin e bashkisë, që po vinin kurorën në emër të institucionit të tyre. Por, për dreq, sërish një vrundull ere e rrëmbeu kordelen e kuqe ku ishte shkruar dedikimi i kurorës dhe shkoi dhe e ngeci mbi një degë të akacies aty pranë. Ai pa delirantin të bënte nxitimthi ato dy-tre hapa dhe të zgjatej për ta zënë kordelen, por gjithçka rezultoi, jo vetëm pa dobi, por me pasojë për kryekëshilltarin. Dora i kishte zënë në një gjemb të akacies dhe një e çarë, dukshëm e gjatë, dukej që atje tej. Atij i erdhi ta puthte atë gjemb të mprehtë. Mbi akacie lexohej qartë dedikimi i shkruar në shiritin e kuq: “Qytetarit të Nderit, Sali Haka. Nga bashkia.” Ju jeni shumë poshtë për ta arritur profesorin, mendoi. Ndërkohë, disa nxënës të vegjël të shkollës po ngjiteshin në pemë. Ai mori frymë i qetë. Këta po! Këta kanë të drejtë t’ia vendosin atë shirit në bust Sali Hakës!
Papritur i erdhi një mendim i beftë. Jo këtu. Atje!
PIRAMIDË PA MUMJE
Sa herë shkonte në Kryeqytet dhe rastiste të kalonte përkundruall saj në Bulevardin e Madh, ishte e pamundur që një mendim, si trokëllimë e largët, të mos i kumbonte në kokë: Piramidë pa mumje!
Vërtetë, duhej të ishte e vetmja piramidë në botë që nuk e kishte mumjen e saj. S’e kishte patur kurrë, asnjëherë, edhe atëhërë kur qe përuruar. E, megjithatë, që atëherë, madje edhe kur u vu guri i parë i themelit, apo ende më herët, që në paraidenë e projektimit, ajo kishte filluar të quhej Piramida. Kur do të fillonte Piramida? A kishte ecur Piramida? Kur do të përurohej?… Më lehtë do të ishte që njerëzit të mësoheshin me ndërrimin e emrit të Kryeqytetit, se sa me një emërtim të ri të asaj ngrehine të mermertë, të kulmuar në majë. Madje, edhe sikur ajo të shembej nga ndonjë tërmet apo vullnet njerëzor dhe të bëhej rrafsh me tokën, ai besonte se sërish do të ishin në qarkullim të përditshëm shprehjet: Shihemi tek Piramida. Të pashë andej nga Piramida. Thonë se do ta ringrenë Piramidën…!
Kush e huazoi formën e saj, mendoi. Sigurisht, nga piramidat e famshme të shkretëtirës egjiptiane dhe jo nga ato tetë segmente të teksteve të gjeometrisë. Traditat arkitektonike vendase ishin me vite dritë larg atyre aziatike e arabike. Atij i kujtohej koha e para njëzetëepesë viteve kur në popull filloi të qarkullonte ideja e ndërtimit të saj. Që atëherë u fol për ndërtimin e Piramidës. Dhe, ndonëse e padeklaruar kurrë, vetvetiu mokra e opinionit publik u përgatit për banorin e natyrshëm të një ngrehine të tillë. Për mumjen! Cila do të ishte ajo?
Ku përfundojnë njerëzit pas vdekjes, pyeti ai përhumbshëm. Sigurisht në koren humusore të tokës. Zgriptas nën të. Ka shtete që me ligj vetëm pas tre vitesh e lejojnë zhvarrosjen. Siç duket, aq sa u duhet mikroorganizmave ta pastrojnë tërësisht skeletin kockor. Por njeriu mund të përfundojë edhe në ujë, si në ceremonitë e varrimit të piratëve, të cilëve s’u shkelte këmba dhe. Apo të mbetej aksidentalisht edhe mbi sipërfaqen e tokës, diku në ndonjë xhungël apo shkretëtirë ku skeleti zhvishej dhunshëm. Më interesante ishte djegia dhe kthimi në hi. Një dorë hi në një vazo të ergjendtë, ose shpërndarja e tij në oqean, apo nga dritarja e ndonjë avioni, pa nam e nishan. Në të gjitha këto pasvdekje, e pavdekshme ishte vetëm materia, ndërsa njeriu… Teorikisht mund të kishte edhe një pasvdekje tjetër, ndonëse ai s’kishte dëgjuar për ndonjë rast të tillë. Një varrim dhe kallje në Kozmos. Si përshembull, kozmonauti shkëputet nga stacioni orbital ”Mir” dhe kufoma e tij, tashmë e kthyer në satelit, vërtitet përjetësisht e paprishur rreth Tokës.
Ai shkundi lehtë kokën, si për ta larguar këtë pamje makabre. Por Piramida ishte aty, ndanë Bulevardit të Madh. Veçse pa Keops brenda. Piramidë pa mumje! Cili e përmendi i pari këtë fjalë, mendoi ai. Sigurisht, ndonjë ithtar i Diktatorit. Ose servil i tij. Mbase edhe vetë Diktatori, por duke ruajtur me çdo kusht alibinë. Madje, duke e kritikuar rreptë atë! Gjithësesi, ashti i përfoljes mbetej i pandryshuar. Për të nuk mund të kishte vdekje. Dhe, që të mos kishte vdekje, hapi i parë duhej të ishte ngrehina me emrin Piramidë. Modeli ishte i gatshëm nga faraonët e shkretëtirës. Skllevërit, po ashtu, nuk mungonin. Më pas do të vinte ai, balsamosësi, me ilaçin e mistershëm që, si një hyjni e lashtë, do të blatonte aktin magjik të pavdekësisë. Një shtresë garzash, një shtresë balsam, një shtresë garzash, një shtresë balsam… dhe mumja e fashuar në të bardhë, e ngrirë si një hell kallkani, do të bartej në një nga katakombet më të fshehtë të Piramidës. Bashkë me qypat gjigandë të zahiresë dhe therorët e shërbimit që do t’ia prisnin vetë damarët vetes!
Cili të ketë qenë përfolësi i parë i ortekut të mëpasshëm të thashethemnajës? Cili e lëvizi i pari topin e dëborës, mendoi. Kushdo që mund të ketë qenë, ai është njëqind herë më tinzar se ai që shpiku balsamosjen. Ai është balsamosësi modern. Balsam ka fjalën. Jo formalinën. E ka fjalën balsam, ngjit si me zamkë, u hyn njerëzve në zemër e në shpirt deri sa t’i balsamosë, t’i kallkanosë e t’i kthjejë në mumje. Aq më tepër, për së gjalli!
Ç’bëre, more balsamosës i faraonit të parë të shkretëtirës, mendoi. Ai balsami tënd nuk ishte ilaç, ishte mallkim për njerëzit! Mbase pakuptuar, ti krijove modën e balsamosjes. Filluan të ngrihen piramida të tjera. Po edhe ngrehina nga më të shumëllojshmet në të katër anët e dheut. Deri prijës fisesh u balsamosën e u kthyen në mumje. Emra nga më të çuditshmit, katakombe e mauzole. Të gjithë rendnin të babëzitur drejt pavdekësisë, pa menduar aspak se po kryenin kështu sakrilegjin më të madh ndaj vetë natyrës, ndaj vetë Zotit!
Ti dhunove vetë jetën, o shpikës, vazhdonte të fliste ai me sytë nga Piramida ndanë Bulevardit të Madh, sikur bashkëbiseduesi i tij i lashtë të ishte diku në majë të saj. Se edhe Jeta ka ciklet e saj. Ajo s’është jeta ime apo e jotja, jeta e vockël e çdo njeriu. Si nuk mendove se, duke lyer me balsamin tënd një njeri, qoftë ky dhe faraoni, ti blasfemove, kërkove të vishje me Jetën e madhe, Jetën e pafundme, një gjësend me jetë të përkohshme, ciklike? Ti nuk bëre gjë tjetër, veçse krijove një pasjetë të rrejshme, krijove një diktator! Ai balsami tënd, zaten për këtë gjë ka shërbyer gjatë gjithë kohërave, për të krijuar diktatorë! S’u mjaftonte i ëmbli pushtet absolut në këtë jetë, por rrekeshin ta sajonin atë edhe në atë tjetrën, në pasvdekje!
Filloi kështu Era e Diktatorëve, mendoi. Që pas saj, Para Erës së Diktatorëve, (p.e.d.), koha ndahej më dysh. Pesëmijë vjet rrebesh e furtunë! Por tashmë balsamosjet ishin sofistikuar. Si kjo Piramidë pa mumje ndanë Bulevardit të Madh, i cili kishte një emër çuditërisht të përllogaritur: “Dëshmorët e Kombit”! Kuptohet, përllogaritja ishte bërë më pas, nga mendja diabolike e balsamosësit modern. Dëshmorët e Diktatorit, tha vetvetiu ai, ashtu si skllevërit që ngritën piramidën e Keopsit. Në këtë rast kishim një shfrytëzim edhe të vdekjeve të bukura. Ashtu siç ishin shfrytëzuar të gjallët që, po në Bulevardin e Madh brohorisnin për çdo vit para Diktatorit. Llogaria ndjehej qartë: Dëshmorë e qytetarë, të vdekur e të gjallë, në të njëjtën shëtitore të kalldrëmtë, përjetësisht do të ishin pranë Tij në amshimin e pasvdekjes!
Për një moment, ashtu si një vetëtimë e largët që zbardh gjithçka, atij iu faneps në kokë enigma e balsamosësit të Diktatorit: Piramida jashtë e mumja në trurin e tyre!… Kjo është gjetja! Kjo është e tëra, u gëzua ai, sikur të gjente rrugëkalimin për të hyrë pikërisht në katakombin ku ishte fshehur mumja e faraonit. Të pranishëm për jetë e mot përgjatë saj, herë në formën e kujtimeve të veteranëve e herë në atë të entusiazmit të programuar të 1 Majit, përjetësisht në sytë e gjeneratave të shtetarëve të vet dhe pikërisht nëpërmjet syve të tyre (a nuk fillonte edhe dashuria nga sytë?), Diktatori do të futej në trutë e gjindjes në formën e mumjes. Dhe këtë do ta bënte Piramida madhështore që, në jetë të jetëve, si një goditje e ngadaltë, por e pandalshme, si një makth i përhershëm, do t’i gërryente trutë e tyre për ta kallur brenda atë, mumjen e Tij. Ashtu si vemjet që hynin në organizmin e njeriut në formën e askarideve dhe injoranca e poseduesit të trupit e lejonte krimbthin e vogël të kthehej në një rrëshqanor të stërmadh me emrin “Shiriti i kaut”, aq sa bujtësi t’i merrte shpirtin të zotit të shtëpisë. Dhe askujt s’do t’i binte ndër mend se zanafilla ishte tek thonjtë e palarë, brenda të cilëve vegjetonte mikrobi më bashkëkohor i mundshëm: Projektuesi diabolik i Piramidës pa mumje!
NE GJUNJE PARA NJE LULESHTRYDHEJE
Burri bie në gjunjë, por nuk përulet!
Ishte disi i befasuar për këtë sentencë që i erdhi në mendje, të cilën s’e kishte dëgjuar kund. Ajo ishte e tija, tërësisht e tija. Sado e çuditshme që mund të duket, sebep ishte bërë sëmundja e tij tashmë disavjeçare, spondiloartroza.
- Qaje rininë tani e tutje! - i pat thënë copë Edi, miku i tij reumatolog, që e pati vizituar.
- Ç’thua?!
- Them që spondiloartroza s’ka shërim. Ne të dy, së bashku, do të jemi burra të mirë në se e mbajmë këtu ku është përparimin e saj. Sepse, për shërim, aha, të thashë edhe një herë, qaje!
- E ç’kusure do të kem me këtë peshqesh mbi shpinë…?! - e pyeti ai me të njëjtën gjuhë mikun e tij, ndërkohë që timbri i zërit e tradhëtoi me një dridhje të lehtë, ku, më tepër se frika, fshihej meraku.
- I mbushe më duket! - ia ktheu Edi dhe, pasi i dha një sërë porosish së bashku me recetën, shtoi: Mos u tut, poet! Vetëm që s’do të mund të përkulesh. Gjysma e shqiptarëve vuajnë nga spondiloartroza! Eshtë sëmundje fisnike, ndaj populli ynë heroik në shekuj ka qëndruar i papërkulur!
Të gjitha këto iu kujtuan në këtë lëndinë plot jeshillëk, mes pyjeve të Bukanikut. Stavri po piqte në prush troftat e vogla që kishin zënë aty pranë, në përroin e Gostimës, ndërkohë që Spiroja dukej atje tej i ulur gërmuq, në një cep të lëndinës, tek mblidhte në një shportë luleshtrydhe. Sa shumë syresh kishte! Ashtu të kuqe siç ishin, pikëzonin andej-kendej sipas xhumbave ku kishin mbirë.
Ai u ngrit me kujdes dhe i vajti Spiros pranë.
- Hajde të të ndihmoj edhe unë ca. - i tha dhe tentoi të përkulej, por një dhembje therëse në mes të shtyllës kurrizore, gati e la pa frymë.
- Ç’pate?! - i shkoi pranë Spiroja.
Ai drejtoi me mundim kurrizin.
- Është ajo, sëmundja e shqiptarëve, spondiloartroza! E shoh që po bëhet gjithnjë e më tepër fisnike! - ironizoi ai më tepër me vete se sa me shokun. - Por unë, gjithësesi do t’i këpus disa kokrra!
- Ej, je në metro ti?! - u përpoq ta ndalonte Spiroja që s’po kuptonte asgjë nga ato që artikulonte tjetri.
- Jo, mor, jo! Do t’i këpus disa kokrra! E di që shqiptari nuk përkulet, por unë jam nga ata shqiptarë që vdes për luleshtrydhe. Aq më tepër që kanë ngjyrën e flamurit tonë. Dhe nuk i dua qyl nga duart e të tjerëve.
Me kujdes, sikur të shkelte mbi vezë, ai përtheu ngadalë të dy gjunjët, duke i mbështetur mbi qilimin e barit dhe, me shpinën drejt, në një pozicion tejet humoristik, zuri të këpuste kokërrzat e kuqe.
- U dorëzua edhe shqiptari i fundit! - ia ktheu me të njëjtën monedhë Spiroja.
- Ia fute kot, plako! - deklamoi si në teatër ai. - Ky nuk është dorëzim, sepse kjo nuk është përulje. Kjo është rënie në gjunjë. Shqiptari vërtetë nuk përulet kurrë, por ama, në gjunjë bie. Bie në gjunjë para flamurit, para tokës që quhet Atdhe dhe nuk e di se para kujt tjetër. Ndërsa unë sot dua të bie në gjunjë para këtyre luleshtrydheve kaq të bukura e të shijshme, vetëm për një motiv të madh personal: Më pëlqejnë shumë!
Spiroja zuri të qeshte, ndërkohë atij, tek bënte për nga zjarri ku Stavri vazhdonte të piqte në prush troftat e vogla, një si sentencë po i formësohej diku në nënvetëdije. Më pas, nga turbullira e fillimit, ca e nga ca, gjithçka u kthjellua dhe ai shqiptoi qartë: Burri bie në gjunjë, por nuk përulet!
Çudi, mendoi. Nga një situatë e improvizuar komike, të përftosh një sentencë kaq dramatike. Por, natyrshëm, vargjet për sëmundjen fisnike morën një dimension të ri:
Spondiloartroza s’paska shërim,
Përjetësisht me vete do ta mbaj,
Do më marrë malli-një luleshtrydhe
Ta këpus kur çel në maj.
Por qaramanët kurrë s’i kam duruar,
Unë sëmundjen time e shoh me nderim:
Të paktën, kurrë s’do ta njoh përuljen,
Siç s’ma njohu shpirti im!
Ai çoi dorën pas shpine dhe, deri atje ku i rrokte krahu, preku lehtë, gati me ledhatim mirënjohës, tërë vargun e rruazave të shtyllës kurrizore.
GENOMANIA
- E more vesh? Pinjolli i Avnisë do të na studiojë për kompozim! - tha Sokrati ende pa u ulur mirë në tavolinën e klubit “Lami”.
- E ç’ka këtu për t’u çuditur? - ia ktheu hazërxhevap ai. - Pse, si kujton ti, mobiljet gjithfarëshe që shtohen dita-ditës, nuk kanë nevojë për kompozim? Apo ti me këtë fjalë kupton vetëm pentagramet?
- Ç’thua, more! - iu gërmush tjetri. - Do të konkurojë për t’u bërë kompozitor njëzetëekatërkaratësh. Në gjurmët e të atit. Se e kanë në gen këngën! Edhe Avnia ka kënduar dikur, s’të kujtohet?
Ai e pa me ngulm, si të hetonte brenda syve të shokut vërtetësinë e çudisë së radhës. Por s’dalloi asgjë të dyshimtë. Ndërkohë, Lam Rroka po fshinte me një pecetë të lagur “Kuranin” por, siç dukej, mundimi po i shkonte kot. - Ç’lodhesh, o Lam. – tha me zë. - Kushedi sa kohë ka që ta kanë dhjerë mizat!
- Se mos mbeti gjë pa u dhjerë këtu tek ne! - i tha Sokratit. - Po mirë e ka Avnia. Në fakt, këngën e ka patur në gen. Kur bënin ahengje, të gjithë sekretarët e parë Avninë merrnin.
Ç’gen të jetë ky geni i Avni Goricës? Nga cili katragjysh e paska trashëguar, shtyu ai mendimin më tej. Se, në fakt, një gen për të kënduar e ka.
- Ai genin e ka për të mbajtur iso. Se iso ka bërë tërë jetën!
- Sa gene po na dalin tani së fundmi! - ofshani Sokrati. - Po Lami, - uli ai zërin. - Lami, ç’gen mund të ketë?
- Geni i Lamit bie erë qofte që atje tej!
- Po geni i Avnisë, ç’erë bie? - pyeti Sokrati, të cilit po i pëlqente kjo lojë improvizues humori, hidh e prit.
- Hajde e gjeje! Po për një gjë jam i sigurtë: Genin e mikut e ka të zhvilluar! E nuhat që atje tej gjahun, më shpejt se një zagar.
E përfytyronte Avninë tek bisedonte me anëtarët e jurisë në vende e pozicione të ndryshme. Rrëshqiste mbi karrigen e tij me rrota dhe u betohej për ideal, jo, për mobilerinë, se ai do të sponsorizonte me disa tavolina kompjuteri të fjalës së fundit për Akademinë e Arteve. Pastaj edhe djali kishte marrë nga geni i tij i të kënduarit. Vërtetë që ai s’kishte bërë këngë, por kjo s’prishte punë. Në fund të fundit, djalin le ta bënin… si i thonë atij zanatit të ri që ka dalë kohët e fundit? Hë mo, si ai i dhëndërrit të atij Avni Mulës, se edhe emrin, edhe qejfin për këngën njësoj e kam unë me Avniun… Ah, e gjeta! Kantoautor i thonë!
- Mos harro dhe genin tjetër. Atë të bythëlëvizurit! - i tha Sokrati.
- Jo, s’e kam harruar. - i tha ai. - Ku numurohen genet e Avnisë! Dhe për të gjitha ai hyn garant. Garant edhe për genet e ADN-së!
Në mendje i kishte mbetur vetëm dyvargëshi i një kënge të kënduar prej tij. Ishte një këngë e trishtuar mërgimi. ”Ju, të liq e ju sakatë, / amanet ju lemë gratë!”Ç’amanet mund t’i lihej Avnisë? Do të ishte njësoj sikur t’i varje ujkut mëlçitë në qafë.
Ç’na ka përfshirë kjo genomani kështu, mendoi. Të birit të këngëtarit i ati ia paska injektuar genin në fyt. Dhe, tek kalon rrugës, ne duhet të themi se po kalon një gërmaz. Djalit të kompozitorit, ky i fundit ia paska lënë trashëgim në vesh dhe, tek e shohim atë birbo, ne s’duhet të mendojmë tjetër, veçse:
- Ky geni po na bëhet si sëmundje ngjitëse. - i tha Sokratit. - Një si lloj epidemie dhe, po vazhdoi kështu, s’do të jetë e largët dita kur do të kemi fise të tërë këngëtarësh, kompozitorësh, piktorësh e aktorësh. Madje, s’është çudi të na zhvillohen edhe genet e zanatçinjve dhe tërë pasardhësit e fisit të Lam Rrokës të marrin me tapi qebaphanet dhe fabrikat e sallamit!
- Geni është rastësi, është bingo! - tha Sokrati. - Ata që flasin për të kundërtën, më tepër kanë hallin të rregullojnë punët e veta.
- Ndërsa unë them se s’ka gen të talentit. Gen të mikut po, që e shesin si gen talenti. Është diçka si puna e llojeve të qenieve të gjalla kur lindën në tokë. Janë mijëra e miliona vjet që maten me orë biologjike, ku një sekondë është një shekull, për të lindur genet e veçantë në spiralen e AND-së, që të krijoheshin këto lloje. Dhe, sipas kësaj logjike, geni i këngëtarit Avni na
- Pse, çudi të duket? - qeshi Sokrati. - Avnia e ka një gen amebe. Ndaj zgjerohet e tkurret, përgjysmohet e shumëfishohet sa herë që ia do puna… më fal, bytha!
Pasi i bënë autopsinë genit të Avni Goricës, ata u ngritën nga tavolina. Lami, që tashmë e kishte pastruar Kuranin, e kishte harruar atë mbi ekspresin e kafesë. Nja dy fërshëllima të makinerisë u duk sikur ishin përshëndetja për dy klientët që po largoheshin. Atij iu kujtuan disa vargje ku, protagonisti, duke mos qenë i sigurtë për genin që dëshironte të shfaqnin fëmijët e tij, në fund thoshte:
Por, në se nuk ndodh kështu,
Tjetër gen tek ta ka mbirë,
Koha vetë le ta shpallë.
…Veç të jetë gen i mirë!
ELEGJI PA ZË
Gjithmonë i kishin pëlqyer pantomimat. Humori i pazëshëm, ku me fjalën veçse mund të spekullohej. Argumenti Çaplin do të ishte më se i mjaftueshëm për këtë.
Në se e pranojmë heshtjen si thelb të humorit të zhurmshëm, ku një sallë e tërë qeshet e gajaset, ç’mund të themi për elegjinë, për atë ambient mortor ku, më e shumta, tingujt e vetëm do të ishin ato të një muzike funebre në sfond?
Nga më erdhën këto mendime, pyeti ai padashje veten. Se asgjë s’të vjen kot në kokë. Veçse në je i pazoti të gjesh burimin e ngacmimit. Atë ngacmim që… Ah! Po! Ja ku më qënke fshehur, bëri ai një si lëvizje triumfi, gjithësesi të pazëshme. Dhe kishte qenë pikërisht një telefonatë e paradisaditëve e Bujarit, shokut të para tridhjetë viteve të fakultetit, ajo që i kishte risjellë në memorje atë ditë të largët janari.
…Kishin përfunduar dhe pushimet dimërore të vitit të katërt. Janari i atij viti ishte i thëllimtë, aq sa dëbora pa të do të dukej vërtetë si një borsë me ujë të ngrohtë. Gjithësesi, mbase ishte dhe efekti i saj që e zbuste disi tërë këtë të ftohtë.
Kur po ngjiste kodrinëzën e qytetit Studenti, gjithandej vërente banorët e tij që, me ato valixhet tradicionale, shumica prej druri, me jakat e palltove e të xhupave ngritur, nxitonin për në godinat e tyre. Mes pejzazhit të bardhë, ai u fut vrullshëm tek katërmbëdhjeta e tij. Edhe korridoret iu dukën të mardhur. Do të kenë ardhur të tjerët, mendoi ai për pesë shokët e dhomës dhe, pa trokitur, shtyu me këmbë derën.
Që në vështrimin e parë periferik, më tepër ndjeu, se sa pa, ngrohtësinë e trupave njerëzorë. Por, paralelisht me të, një shqisë tjetër e panjohur e bëri të ndjente edhe diçka të pazakontë në atë ambient studentor: Heshtjen. Një heshtje si ngricë!
Por inercia e zërit tashmë kishte marrë rrugë dhe ai instiktivisht thirri:
- Hej! Jam në një dhomë studentësh apo në varrezë…?!
Timbrika gazmore e zërit të tij mbeti pa përgjigje, si një goditje e vetmuar sëpate në pyllin e pafund. Tangent u hodhi një sy fytyrave të tyre dhe me drithërimë ndjeu se këtu s’kishte asgjë të përbashkët me lojën apo shakanë. Për më tepër, heshtja qenkej më e rëndë, deri në kufijtë e pauzës. Se pauza është heshtje e qëllimshme, e shkaktuar nga një hall i madh. Po ç’qenka ky hall që e paska mbështjellë kështu, si qefin, dhomën e tij të katër viteve studentore?!
Ai bëri disa hapa dhe qëndroi në mes të saj. Fillimisht ndjeu të ftohtë. Një ftohtësi që më tepër vinte nga heshtja, se sa nga temperatura e ulët. Më pas erdhi çudia e dytë. Si kurrë ndonjëherë, Martini ishte shtrirë një kat më poshtë shtratit të vet, në atë të Vangjelit që, siç dukej, s’kishte ardhur ende nga fshati i tij i largët në jug të vendit. Rrinte i mbledhur kruspull, sikur t’i trembej zbrazëtirës së bardhë të çarçafëve hedhur rrëmujë të shtratit të vet.
Po me Bujarin, ç’ka bërë vaki, u rrënqeth ai. Kur e paska vënë duhanin që e lëshon duman nga gjoksi i tij? E pra, ai s’ka pirë kurrë një cigare!?
Sytë i shkuan tek Çimi. Rrëshqitazi lexoi në krye të fletës një si titull: Elegji! Ç’është kjo, mendoi. Çimi të shkruajë elegji?! Po ai ka botuar vetëm skica humoristike!?
Tashmë rrënqethja ia kishte lënë vendin plogështisë dhe, kjo e fundit, mpirjes. Një mpirje disi e pakuptimtë, që më tepër të vinte nga ngrica që ndjeje së brendshmi. A nuk ishte në këtë gjendje edhe Fredi që fshinte me pëllëmbë flokët e dëborës mbi xham, sikur të fshinte vragat e lotëve mbi fytyrën e asaj dite të pafund? Ç’ishte kjo dëborë kështu që floknajën e saj e kishte hedhur me bishta cigaresh mbi krejt dyshemenë e dhomës së tyre gjashtëvendëshe?
Ai u tremb vërtetë. Kur Fredi, mes lotëve mundi të belbëzojë se Vangjeli nuk do të mund të vinte kurrë më, ishte e kotë të pyeste më tej: Si, pse, qysh?! E ç’kuptim kishin tashmë këto ndajfolje pyetëse? Mjaftonte vetëm që Vangjeli s’do të vinte më, kurrë më! Kupa e helmit duhej pirë deri në fund, ashtu, pa fjalë, si në një film bardhezi. Si në një pantomimë të tragjedive të lashta.
Sërish dalloi përhumbshëm bishtat e cigareve të hedhur çrregullt nëpër dhomë. Si një floknajë dëbore, mendoi sërish. Veçse, ajo tashmë ishte një dëborë e zezë. Mes pllakave të bardha, flokët e saj të zes iu dukën atij si gërmat e një nekrologjie. Kjo është nekrologjia e Vangjelit, përsijati ai ndoshta për të njëqindtën herë. Dhe u ndje bosh, çuditërisht bosh dhe i shurdhët, si një jastëk me lesh.
LUFTA DHE PAQJA
- O ba, kështu është lufta?! – pyeti papritur fëmija, ndërkohë që ndeshja e boksit për titullin kampion evropian në peshat e rënda sapo kishte filluar.
Ç’pyetje, mendoi, pa i hequr sytë nga ekrani. Ishin sekondat e fundit të raundit të parë dhe bashkëpatrioti i tij kishte zhvilluar një duel të barabartë me kundërshtarin.
- Po, po! Kjo është lufta. - iu përgjigj ai kuturu të birit dhe, me të rënë gongu, kur të dy boksierët shkuan në qoshet e tyre, shtoi: - Tani fillon paqja!
Nuk ishte tifoz boksi, por edhe të linte pa parë një duel ku një shqiptar ndeshej për një titull me përmasa të tilla, do t’i dukej jo e drejtë. Jo thjeshtë për patriotizëm, por edhe për ato miliona kartmonedha të prerjeve e gjuhëve nga më të ndryshmet e botës, edhe për tërë atë frymë spikerësh të harxhuar për reklamat e paralajmëruara muaj më parë. Kishte qenë një bombardim i vërtetë nga qindra gryka TV-sh, një rrahje me artileri në distancë, me qëllimin e vetëm që dyluftimi i bajlozëve të ishte sa më spektakolar. Dhe kjo po ndodhte. Dhjetëra mijërat e spektatorëve dhe oshëtima gjigande që ngrihej nga gërmazët e tyre, (pa llogaritur telespektatorët ku futej dhe ai me të birin) dukej se do t’i tejkalonte ndjeshëm shpenzimet e organizatorëve.
- O ba, filloi prapë lufta! – dëgjoi ai zërin e të birit.
Vërtetë. Kishte filluar raundi i dytë. Të dy bajlozët (edhe në një ndeshje boksi s’na ndahen legjendat e vjetra, mendoi) grushtonin të matur, sikur ende nuk kishin vendosur të kryqëzonin goditjet përfundimtare. Por ja, krejt papritur, më tepër nga brofja e publikut në këmbë dhe oshëtima e sallës gjigande, goditja e pritshme ishte dhënë. Shqiptari, që përfaqësonte një shtet të huaj, ishte mbështetur në litarët e qoshes së vet, ndërkohë që në vrimat e hundës i rrasnin tamponë.
- Gjynah, o ba, po i
- Nuk ka gjë, jo. – ia ktheu ai. – Ai tashti do të fitojë, se tashti është me plagë si Gjergj Elez Alia dhe Gjergji fiton kur ka nëntë plagë në shtat. – shtoi më pas, më tepër për të inkurajuar veten se sa fëmijën.
-
- Epo, luftë është dhe luftë pa plagë nuk ka!
-
Ai nënqeshi me naivitetin e pyetjes, por diçka përbrenda vërtetë e befasoi. Lufta dhe paqja, mendoi. Tolstoi i madh! Treminutëshi i grushtimit është Lufta. Sa gjysma e saj, pas gongut të pushimit, zgjat Paqja! Por i biri priste përgjigje dhe ai po intrigohej gjithnjë e më tepër nga ky dialog, aq sa po e shkëpuste vëmendjen nga ekrani.
- Epo, siç duket, njerëzve u pëlqen më tepër të zihen! – ia futi nëpër tym ai, më tepër për t’iu përgjigjur pyetjeve që po e brenin përbrenda.
Tashmë s’po e mbante mend numurin e raundeve, veçse dueli ishte acaruar keqazi. Gradualisht shqiptari po fitonte superioritet dhe kjo u ndje qartë kur ai i dha një goditje vendimtare kundërshtarit, pikërisht mbi syrin e djathtë. Tjetri u rrëzua vetullçarë mbi tapet. Gjindja ulurinte. Vetëtimthi atij iu shfaqën arenat e lashta me gladiatorë. Ç’pozicion do të marrin gishtat e tyre, mendoi.
- Nokdaun! – thirri me zë. –
- Iiii…, sa gjak po i
- S’ke ç’i bën. Kjo është Lufta! – vazhdonte ai të dialogonte edhe me të birin, edhe me veten, ndërkohë që arbitri po i afrohej numurimit tek dhjeta.
Kundërshtari arriti të ngrihej pikërisht tek numurimi i fundit dhe tjetri nuk mundi ta shfrytëzonte superioritetin e dukshëm. Kishte rënë gongu. Gongu i Paqes, mendoi ai. Pas pllangave të gjakut të Luftës të pështyra mbi tapet, tashmë boksierët, të ulur në stolat e qoshkave të tyre, me krahët mbështetur në litarë, pastronin fytyrën nga përgjakja, shkrifëronin muskujt, me peshqirë e sfungjerë të lagur rimerrnin forcat. Ja, kjo është Paqja, ironizoi në vetvete ai. Shumë më pak interesante se Lufta. A s’ndodh kështu edhe në tekstet e historisë
së shkollave kudo në botë? Njerëzit më tepër mbajnë mend luftërat e popujve të tyre, se sa periudhat e paqta.
Sërish në ring u dëgjua gongu dhe sërish boksierët iu vërsulën njeri-tjetrit. Ndërkryerja tashmë kishte arritur kulmin e vet, siç duket, se edhe ndeshjes po i vinte fundi. Bajlozët takuan dorezat. Vërtetë ishte raundi i fundit.
- O ba, pas kësaj luftës së fundit, nuk ka më paqe! – tha me keqardhje, më tepër në mënyrë pohuese, i biri.
- Tashti gjithshka merr fund. – ia ktheu ai, ndërkohë, po me zë, i tha vetes: - Paqja kaq duhet, sa për të përgatitur Luftën! Se paqja është prelud i saj, i Luftës!
- Ç’i flet ashtu djalit! – e qortoi e ëma që kishte hyrë pa u ndjerë në dhomë. – Lëre pa, e vë të shikojë edhe ata budallenjtë që duan të hanë dajak si gomari në duhanore!
Ra gongu përfundimtar. Dorezat e të dy luftëtarëve njëherësh u ngritën lart. Të dy pretendonin fitoren. Ringu u mbush me trainerët e pasuesit e secilit dhe, në mes tyre, ata të dy, të përgjakur, të mavijosur e tërë djersë, duke dihatur nga rraskapitja, që përqafoheshin duke i rrahur shpatullat me doreza njëri-tjetrit.
- O ba, ata po puthen! – ia bëri i çuditur, por njëkohësisht edhe i gëzuar, djali. - Pse, kaq shpejt u
-
- Kunguj janë! Ja se ç’janë! – nuk e mbajti inatin e ëma dhe u ngrit për të dalë.
-
Ai qeshi me përvuajtje. Mirë që s’përfundoi me nokaut, mendoi, duke kujtuar të birin.
NJE KAFE ME BISHT
Kur doli nga dera e Ministrisë, kishte ndjesinë e turfullimit. Tamam si një kalë. Se për kuajt përdorej një folje e tillë. Kali turfullon nga kënaqësia e çlirimit prej një barre të rëndë, ose e ndonjë zekthi që, tashmë e ka lënë të qetë. Hingëllin e turfullon flegrat, madje, rob i kënaqësisë, siç është, edhe mund të kthehet në kurriz e të fërkohet mbi tokë.
E, ç’më bëre, o Amore Pasqyra, turfulloi sërish. Ku dreqin dole e ma preve udhën! Ta dija se qënke bërë shef i madh, kurrë s’do të kisha shkuar ta konfirmoja atë dreq shkrese! Ti të më konfirmosh mua?! …
Si rrokullisen gjërat, mendoi. Shefi, siç dëgjoi ta thërrisnin lart e poshtë shkallëve të asaj Ministrie, dikur në fakultet kishte qenë studenti më i dobët ndër ta. Por nuk ishte kjo arësyeja që ata s’e kishin afruar kurrë në shoqërinë e tyre. Që atëherë ai seç kishte një si përjarg’je në krejt qenien e tij, që nga mënyra se si qëndronte e deri tek e folura. Uriah Hip, pat thënë i pari Koçoja. Më pas, ata e kishin lënë mënjanë atë nofkë dhe ishin solidarizuar me atë të renë dhe përfundimtaren, Amore, të cilën e kishte peshqesh nga vajzat e gjuhëve të huaja që i kishin auditorët të përbashkët me të tyret. Dashnori, se kështu quhej me gjendje civile ditëziu, një ditë të bukur u bë Amore! Ndërsa llagapin, Pasqyra, ia vuri po Koçoja, siç duket, për të kompesuar diçka nga dështimi që pësoi nofka e tij e parë. Ata njëzëri e miratuan gjetjen e re, se Amorja, para se të shkonte t’u lëpihej (lexo : përjargej) vajzave, më keq se ato, rrinte e pispillosej një orë para pasqyrës.
Si rrokullisen gjërat, mendoi sërish. Kur sekretarja, pas një telefonate të brendëshme, ishte ngritur me nxitim në këmbë duke shqiptuar se “po vjen shefi” dhe vërtetë shefi u shfaq në kuadratin e derës, ai fillimisht s’e kishte njohur. Por syngulja e tjetrit ia kishte larguar tisin mjegullor të njëzetë e pesë viteve dhe, duke e zhveshur rrufeshëm nga kostumi e gravata e shtrenjtë, nga ato pak thinja rreth tëmthave dhe sidomos nga mustaqet e mjekrra tepër e shkurtër dhe e hollë që i qerthullonte gojën, ai kishte mundur të rikonstatonte Amoren e dikurshëm, Amore Pasqyrën.
- U befasove ë!… - foli tjetri i pari, duke u afruar për t’i dhënë dorën. - Epo, kështu e ka kjo botë, me rrota e shkreta!
Ai e ndjeu se kishte nisur mbrapsht ky ritakim tepër i vonuar. Fillimisht e ndjeu veten disi të topitur. Është pesha e rëndë e hijeve që kanë zyrat, mendoi. Ndërkohë, shefi Amore ndjehej i sigurtë në çdo veprim e fjalë. Mbase, kjo siguri i shtohej për inerci edhe nga topitja e tjetrit, e cila, sigurisht duhej ta bënte të lumtur, madje edhe të ndjehej krenar. Dukej që atje tej zemërgjerësia. Jo vetëm që e vuri firmën e vet mbi shkresën e shokut të dikurshëm, pa e lexuar fare këtë të fundit por, gjatë zbritjes së shkallëve për në klubin e nëndheshëm të Ministrisë, s’reshtëte së thëni:
Diku në një korridor, befas, pa thënë as më fal, ai u shkëput dhe takoi dikë. U duk që tjetri nuk ia vari shumë, se ai u kthye shpejt dhe, fjala e parë që i tha, me një zë sikur t’i tregonte të fshehtën e thesarit të Monte Kristos, ishte: Eshtë zëvendësministri!
U shfaq Amorja i dikurshëm, nënqeshi me vete ai, ndërsa u afruan në një tavolinë me stola te lartë të klubit ku edhe pse vetëshërbehej, bufetjerja nuk mëngoi t’ua servirte vetë kafenë me konjak. -
- Mos kujto se e pi me bisht me çdo njeri unë! - ia ktheu tjetri. - Por me ty ndryshon puna!
Të keqen e atyre që ikën, do të mendonte ai më pas. Të dëgjoje Amoren në tavolinë, ishte seç ishte! Kryesisht udhëtimet e pafund jashtë vendit, nëpër seminare gjithfarësh. Ministri si e kishte thirrur për atë post të rëndësishëm, se ai kishte qenë në shtabin e tij elektoral. Jam me fat, jam me fat, përsëriste parreshtur. Jo si ti që e ngul hurin në një vend dhe s’di ta shkulësh më! Dëgjomë mua, këtë qerrata jetë vetëm një herë na e jep Perëndia! Sa të thuash ti “hopa!”, unë e kam kaluar lumin. Fliste e fliste Amorja, me një si gjuhë pleqërishte, sikur kërkonte të nxirrte në pah mençurinë e për më tepër, urtësinë e përvojës së tij për të bërë karrierë. Këtë e shoh, i ishte përgjigjur ai dhe, nën avujt e konjakut, e ndjeu se i ishte zgjidhur disi gjuha.
Tjetri kishte heshtur për disa çaste, mbase i befasuar, nga që s’e priste këtë reagim. Gradualisht dukej sikur po i bjerrej ndjenja e shpirtmadhësisë false, e cila, në fakt, ishte hakmarrje për të shkuarën, për atë të shkuar kur ai ndjehej si delja e zezë në mes tyre.
Ka shumë motive për të dhënë një kafe, mendoi ai. Ka kafe formale, kafe kortezie, kafe ngushëllimi nëpër morte, kafja nën gju e kanunit të gjakmarrjes. Pastaj janë edhe ato kafetë e tjera zeherr: Kafeja e karshillëkut, e mëshirës, deri tek kafeja e triumfit që i jep kundërshtarit! Shoqëruar me fjalët: Pije, mos e pifsh, t’u bëftë helm në bark! E tillë është dhe kjo kafja e Amores tani pas njëzetëepesë vjetësh, i tha vetes. Por unë do ta pi dhe do të më bëjë mirë, se është edhe me bisht. Kafe kodoshi, s’ke ç’i thua! Kodosh me femrat dje, kodosh me partitë sot! E me kë s’është kodosh ai? Jam i sigurtë se edhe me veten sillet si kodosh! Edhe mustaqet alla pipino, tamam si mustaqe kodoshi i ka. Lëre, pastaj, gjithë ato pordhë. Dy kilogram një pordhë, tha me vete dhe iu kujtua një poezi – sentencë :
Sikur njeriu
nuhatje
të mos
Eh, ç’gara me pordhë
do të bënte
publikisht!
Kur u ndanë dhe Amorja i zgjati dorën gati përvujtësisht në krye të shkallëve të Ministrisë, ai mendoi: Po ky i gjorë nuk di as të nxehet! Dhe sepse i erdhi keq për të. Ndaj, ndërsa zbriste shkallën e fundit të asaj shkallareje të gjatë, për të fundit herë ai ktheu kokën të shihte Amoren e tij atje lart. Tjetri po rifutej në portën e madhe të xhamtë, si në një strehë të sigurtë. Ai Lart e unë Poshtë, mendoi. Pastaj ndjeu atë, turfullimën. Të rruat lartësia, mendoi sërish! Unë të hodha nga kurrizi im. Tani jam i lirë të vrapoj, të qesh sa të gajasem, madje edhe të kthehem në kurriz e të kruhem, pikërisht atje ku kërkoje të më shpoje ti, o pasqyrli i përjetshëm! Ndërkohë, i erdhi për të vjellë. Konjaku, mendoi. Apo kafeja? As njëra, as tjetra. Të dyja bashkë po. Si tha Amorja? Kafe me bisht! Dhe vërtetë po e ndjente atë, kafen me bisht, si një zhapik që i vërtitej nëpër muret e sfungjerta të stomakut.
MOTIV DIMRI NE PLAZH
E keni parë plazhin në dimër? Nuk mendoj se e keni bërë një gjë të tillë. Për arësyen e vetme se keni shkuar atje vetëm në verë, ”për plazh”, siç thoni ju. Mbase pyetja ime do t’ju duket disi e pakuptimtë: Çne për dimër në plazh?! Atëherë kur plazhet fshihen nga të gjitha guidat turistike! Dimri është sezoni i malit e pyllit, i rrëshqitjeve në dëborë!
Kështu mendoni ju, por ai nuk është i këtij mendimi. Ai plazhin e bën gjithnjë në dimër. Jo se theket në rërë me rroba banje apo futet në ujin brisk të ftohtë. Jo, jo! Ai e quan plazh, thjeshtë se është në plazh. Le të thotë gjindja “do bëj plazh”. Kjo për të është e pasaktë, njësoj sikur të thuash, ”do bëj mal” apo “do bëj pyll”. Madje, ai ka dhe një arësye tjetër pse shkon gjithnjë në dimër në atë rrip toke bregdetare që quhet plazh. Ai ndjen nje keqardhje të vërtetë për të, sepse, thotë ai, njerëzit ia kanë me të pabesë. E duan me interes. Theken e shullëhen mbi rërën e tij vetëm në verë, vetëm për t’u larë. Më pas, për muaj e muaj të tërë e braktisin. Pabesia shkon deri atje sa, edhe në verë, vetëm në dukje ata bëjnë sikur çmenden për plazhin. Mbushin mijëra makina e autobusë, trena, avionë e vaporrë, blejnë rroba sipas modës së sezonit vetëm për t’u zhgërryer në rërën e tij të nxehtë, pasi më parë, kanë bërë çmos të marrin lejet e zakonshme për pesëmbëdhjetëditëshin më të mirë. Lëre pastaj se si ngulen krejt ankth para ekraneve televizive për të mësuar parashikimet afatmesme meteorologjike. Por kulmi i hipokrizisë së tyre, në fakt, është i shpërndarë njëtrajtshëm gjatë tërë vitit, kur, si milingonat, grumbullojnë e grumbullojnë para vetëm për të vajtur në plazh. Se vdesin për plazh!
Ju nuk vdisni për plazh. Ju vdisni për det, mendoi prerë ai, sikur të jepte një ultimatum drejtuar njerëzimit. Të gjorët ju, sa naivë jeni! Shkelni mbi kurrizin e tij vetëm për t’u kredhur në atë shëllirë që quhet det, sikur të jeni lakra, speca apo domate që doni të bëheni turshi. Dhe pse e gjitha kjo? Vetëm për t’u larë, sikur të jeni rosa! Sikur nuk keni legenë, dushe e vaska në shtëpitë tuaja! Sikur nuk kalojnë lumej nëpër qytetet tuaj. Lëre pastaj që keni filluar të ngrini pishina ku të mundni, edhe në oborret e vilave tuaja! Dhe pse e gjitha kjo? Sepse ju nuk e keni parë plazhin në dimër, larg mizërisë lakuriqe, larg rrëmujës e rrëmetit. Atëherë kur ai është bosh, një i vetmuar i madh në pritje të përdhosjes suaj.
Kurse unë e dua plazhin se këtu është vendtakimi i tokës, detit e qiellit. Më thoni një vend tjetër ku të jëtë bërë një takim më i madh se sa ky. Dhe s’është takim i përkohshëm si ai i Rusveltit, Çërçillit e Stalinit në Jaltë. Është takim i përhershëm, i gjithëkohshëm.
Fillimisht ka qenë lufta. Lufta mes tokës e detit. Ishte një luftë e ashpër, e pamëshirshme midis kreshtave të shkëmbinjve e kreshtave të valëve, që po zgjat miliona vjet. Nga njëra anë, ishte qëndresa e tokës dhe, nga ana tjetër, rrëmeti i detit. Dëmet qenë të hatashme. Ja, nuk i shihni plagët e tokës? Shkëmbinj kolosë që kanë qenë këtu në plazh, tashmë janë kthyer në rërë nga topuzët e dallgëve. I hidhni një sy krejt gjatësisë së plazhit, sidomos nga lart, kur vini me avionë për t’u kredhur në det. A vini re një fashë të bardhë, të stërzgjatur, midis tokës e detit? Janë fashat e rërës e të shkumës mbi plagët e përbashkëta të të dy fqinjëve të vjetër.
Po unë do t’ju tregoj edhe më tepër, që t’ju hap sytë e të shikoni. Jo vetëm të shikoni, por edhe të ndjeni. Ja, si mendoni, pse ju djeg e ju përvëlon rëra kur nxitoni mbi shpinën e plazhit për t’u futur në atë shëllirën e paanë? Sepse ju i lëndoni plagët tokës, ato plagë betejash që ende përvëlojnë nga zjarrllëku i madh!
Por ende s’kam mbaruar. Dua t’ju tregoj edhe një sekret të fundit. E ndjeni erën e jodit rreth e rrotull jush? Ajo është kudo. Madje, një nga arsyet pse ju vini këtu, është edhe joshja për të marrë jod. Po nga doli ky jod? Sërish edhe këtë s’e dini! Është jodi me të cilin deti ka lyer plagët e tokës. Se ata të dy, toka e deti, janë luftëtarë xhentëlmenë. Kur vendosin armëpushimin, jo vetëm që e respektojnë atë, por edhe mjekojnë plagët e njeri-tjetrit. Jo si ai takimi i të mëdhenjve tuaj në Jaltë që, shtërnguan duart, por nën mëngë kishin thikat dhe secili mori pjesën e tokës, detit dhe qiellit që donte!
…E di! Po takimi me fqinjin tjetër, do të pyesni, me qiellin? Jo, s’e kam harruar, por me këst e lashë për në fund. E shihni këtë malin këtu, sa mbaron plazhi? E shihni ku e ka kokën, atje mes reve? Po nuk është vetëm atje takimi me të. Më mirë dëgjoni vetë se si takohen toka dhe deti, me qiellin:
Retë e zeza të shiut vijnë e ngjeshen pas malit,
Të ftohta, të qullura, si brenga të mëdha,
Ditët dimërore kanë mbetur si të mpira,
Tokë, det e qiell ecin krah për krah.
Dhe bisedat nisin tre fqinjët e vjetër,
Me gjuhën e shiut, breshërit e dëborës…
Kështu, alfabetin “Mors”, kush e përdori tjetër,
Hapësirave të trokiste me kyçin e dorës?!
NASTRADINËT
- Ja, e sheh? Po vjen Nastradini! – tha Spiroja dhe bëri me kokë nga një mesoburrë i shkurtër, rreth të dyzetave, që po vinte në drejtim të klubit.
Me një zgjatje të njëkohëshme të dorës dhe buzës së poshtme, pa nxjerrë asnjë tingull, pyetja ishte e qartë: Ç’është ky? Dhe Spiroja, si gjithnjë, i gatshëm për të dhënë informacionin e nevojshëm.
- Është një turk me emrin Sedat. Ka disa vjet këtu në qytetin tonë. Nuk dihet se ç’pozicion ka në firmën e madhe turke që ka privatizuar Kombinatin, por thonë se ka të bëjë me pronarin e madh të saj. Dihet edhe se, përveç gruas që ka në Turqi, para disa muajsh është martuar edhe këtu me një bashkëqytetaren tonë.
Ndërkohë, turku Sedat, pasi ishte përshëndetur me ta, sidomos me Spiron, me të cilin njiheshin më parë, u ul në tavolinën ngjitur. Krejt i vetëm.
- Selam, Sedat bej! – e salutonin nga tavolina të ndryshme, madje edhe duke u ngritur gjysmë në këmbë e me dorë në zemër, pa e fshehur ndjenjën e humorit që vjen nga intimiteti, ku të dy palët nuk e keqkuptojnë njera-tjetrën.
- Alekym selam! – ua kthente reston me të njëjtën mënyrë turku, duke u buzëqeshur të gjithëve.
Ndjehej që atje tej se të gjithë në atë klub njiheshin prej kohësh, siç ndodh gjithmonë në ambiente të tilla ku klientela është e formuar njëherë e përgjithmonë.
- Po përse e quajte Nastradin? – e pyeti ai Spiron.
- Aaa…, jo thjeshtë se tregon barcaleta me Nastradin me atë shqipen shatra-patra. Po, më mirë është ta njohësh vetë. – dhe, pa pritur aprovimin e tjetrit, e ftoi në tavolinë.
- Dje, aksham, presidenti Shqipëria… jemi vëlla! – tha menjëherë turku, pa pritur ende të ulej mbi karriken plastike.
S’kishte nevojë për përkthyes. Ai u kujtua në moment për atë që kishte dëgjuar mbrëmë në lajmet e TV-ve. As më shumë e as më pak, presidenti i vendit kishte thënë: “Me popullin turk jemi vëllezër të një gjaku!” Ai e kishte dëgjuar me indiferencë. Gafa e radhës, mendoi, pasi ishin bërë rutinë thënie të tilla. Efekti i tyre, në se mund të kishte një efekt të tillë, ishte vetëm shtimi i lëndës së parë për barcaleta. Nastradini, i feksi në mendje dhe, pa u menduar më gjatë, iu drejtua bashkëbiseduesit:
- Presidenti ynë, si Nastradini juaj!
- President…, Nastradin?! – zmadhoi sytë turku nga çudia që s’e priste dhe shpejtoi të shtonte, si për t’u larguar sa më shpejt nga belaja. – Una s’kuptoj tamam shqipja!
- Për të kuptuar, ja ku e ke dragomanin këtu! – rrahu gjoksin Spiroja. – Me këmbë e me duar, tak me sy e me qepallë, unë përkthej në të gjitha gjuhët e botës. Edhe një kinez më kupton mua e jo ti që të kam vëlla. Se edhe kinezët i kemi patur vëllezër, por s’i kemi më. Po ju, turqit, kështu si ne shqiptarët i ndërroni vëllezërit, një herë në dhjetë vjet?
- Jo, Spiro bej! Ne vëlla gjithë jeta!
Ç’po i biem më qafë kot, mendoi. Duket turk i mirë. E ç’faj ka ai për historinë dhe broçkullat që këput presidenti ynë?! Pesëqind vjet nën robërinë e sulltanëve turq dhe t’i quash vëllezër! Aq më tepër që janë një popull i Euroazisë, diçka si… as mish e as peshk!
Vërtetë, ç’do të mendonte Skënderbeu sikur të dëgjonte fjalët e presidentit për këtë vëllazëri të re? Aq më tepër, në se është e vërtetë, kur të mësonte se e kishte hequr bustin e tij në sallën ku priti delegacionin e lartë turk? Sigurisht që do të nxirrte shpatën dhe do ta urdhëronte të shkonte në Qendrën e Dhurimit të Gjakut për të bërë trnsfuzion!
- Ky Nastradini, figura popullore e humorit turk. – i tha turkut.
- Tamam, tamam! – ia ktheu hazërxhevap tjetri. – Nastradin hoxha, karagjozi shumë e madhe.
Jo, more bej i ri, i tha vetes, nuk ka qenë aq karagjoz! Midis gjithë kobeve që solli pushtimi osman, dukej si një rubin i vetmuar ky Nastradini. Sepse, të paktën, nuk harruam të qeshurën. Por ajo ishte një e qeshur e hidhur! Në se vezirët e pashallarët, në krye të karvanëve të ushtrive, i patën sunduar trevat shqiptare me shpatë, duke mbjellur kudo vdekje e mjerim, Nastradin hoxha, i vetëm mbi gomarin e tij, mbillte anembanë perandorisë ato barcoletat e tij. Dhe njerëzit filluan edhe të shijojnë turqish, përderisa edhe humorin që krijonin vetë, e bënin me Nastradin.
Robërit duke qeshur së bashku me padronët! Ky do të ishte fundi, mendoi. Pas faljeve në xhami, çitjaneve dhe perçeve, e qeshura do të ishte si puthja e djallit. Ja, nga ai Nastradin që hiqej si leshko, por që ishte kryeambasadori i sulltanëve. Barcoletave të tij s’kishte ç’t’u bënte shpata! Taborë të tërë me barcoleta, përfytyroi, që hynin në çdo shtëpi. Hynin në trutë e robërve dhe frynin atje duhmën e Euroazisë. As shpata e Skënderbeut dhe e të gjithë kapedanëve shqiptarë të marrë së bashku, s’kishte ç’u bënte atyre taborëve!
Kjo duhet të ketë ndodhur më vonë, mendoi. Pas egërsisë së pushtimit, madje atëherë kur pushteti u konsolidua dhe kurrkush s’mendonte më për të ngritur krye. Pikërisht atëherë doli në skenë pashai i barcoletave, Nastradini. Që gjumi i robërve të ishte i përjetshëm, që edhe e qeshura të ishte njëlloj si ajo e shtetasve të tjerë të perandorisë…
Mendimet iu këputën në mes dhe s’kishte si të ndodhte ndryshe. Turku Sedat kishte rënë nga karrigia dhe, ashtu i shkurtër e ca i shëndoshë siç ishte, mezi po arrinte të ngrihej. Më pas, mes disa të qeshurave nën zë, u mor vesh se i ishte thyer karrigia ku rrinte.
- Vetë e ke fajin! – nuk ia pati për pesë Spiroja dhe zuri me dorë këmbën e thyer të karriges. – Është mall turk ky. Kështu bëhet tregëtia me vëllezërit?!
Pasi u rehatua dhe e mori veten mbi një karrige të re, jo prodhim turk, Sedati bëri dy-tre here “shyqyr” dhe filloi të tregonte një barcoletë me Nastradin. Tek e shihte ashtu si gjymëleshko, të padjallëzuar, atij i erdhi keq për të. Keqardhja është shenjë e fisnikërisë, mendoi. Por edhe e budallallëkut. Se ja, ky turk s’ka ardhur për sytë tanë të bukur këtu. Një grua në Stamboll e një në Elbasan, një për kalamaj e një për xhan! Paratë i pret me thasë dhe në kombinat ende s’e kanë vënë filtrin për pluhurat. Qyteti është zhytur në smogun e përhershëm. Mallrat turke janë bërë si para kallp! Dhe vjen e na tregon barcoleta me Nastradin! Dhe ne duhet të qeshim, siç duhej të qeshnim para disa shekujsh!
- Selam, Nastradin bej! – i zgjati dorën pa shumë ceremoni dhe u ngrit për të dalë.
- Aleqim selam! – ia priti
Kur dolën jashtë, i tha Spiros:
- Mirë Nastradini i Madh dhe ky i vogli, po ç’ti bëjmë atij Nastradinit tonë që m’i quan vëllezër…!
DIALOG ME VDEKJEN
Gjithçka nisi ashtu kot, si duke qeshur. Më tepër mund ta quash një tekë të tij, sepse teka në vetvete është një prirje, nuk lind ashtu kot. Dhe teka e tij kishte të bënte me prirjen e kahershme për t’iu kundërvënë çdo lloj skeme. Sigurisht, atyre skemave që kishin të bënin me ligjet e njerëzve e jo të natyrës. Por ja që njëherë, në formën e tekës, mbase padashje, ai guxoi të provokonte një ligj të natyrës, kryeskemën e saj, Vdekjen.
Në fakt, gjithçka nisi si sfidë ndaj një rregulli të vendosur mes krijuesve të qytetit të tij. Në se redaktoje librin e një kolegu, apo dhe të klientëve anonimë që, për arësye nga më të ndryshmet, kërkonin të shpenzonin ca para, vetëm që të kishin satisfaksionin e të qënit autorë të një libri, ishte detyrim normal që të merrje honorarin përkatës. Kampion për këtë punësim të dytë ishte poeti Nexhip. Ndërkohë, ai s’e kishte provuar zanatin e paguar të redaktorit, por këmbënguljes së Xhipes s’mund t’i thoshte jo. Dhe kështu e solli hera që, pas punës së lodhshme për redaktimin e librit poetik, të ulej përballë Xhipes.
- Kaq e dita, kaq e thashë, mbaji Xhipe, se t’i lashë! – i tha ai mikut të tij në përfundim të bisedës së gjatë, duke i vënë përpara krejt turrën e fletëve të redaktuara.
- Rrofsh! – i tha tjetri i emocionuar (E cili poet nuk gëzohet si fëmijë kur ia lavdërojnë poezitë!) dhe, pasi futi dorën në xhepin e pasmë, i zgjati një tufë kartmonedhash dhjetëmijëlekëshe.
- Ç’i ke këto, o Xhipe…?! – pyeti vërtetë si i prerë. Pyeti ashtu kot, sepse rrëmbimthi gjithçka e kishte të qartë. Ishte honorari i tij që, i miri Xhipe, siç bënte me të tjerët, s’donte të tregohej hipokrit kur ishte vetë klient. – E di ç’ke ti? – i tha mendueshëm pas disa çastesh. – Unë do të dëshiroja një tjetër lloj honorari, honorarin më origjinal në botë!
Kështu ndodhi që ai i kërkoi katër metro vend për varrin e vet, në truallin që Nexhipi e kishte në pronësi të tij, brenda gardhit të shtëpisë. Sepse shtëpia e tij ishte në fund të varrezave të qytetit, tek bishti i Krastës së Vogël. Do të vinte një ditë dhe ata, varret, si një ushtri e nëndheshme, s’do të kishin nga t’ia mbanin dhe do t’i drejtoheshin truallit të Xhipes, madje do të ngjiteshin edhe në faqen e kodrës, një pjesë e së cilës ishte po në pronësinë e tij. Madje, aq më mirë në kodër, mendoi, dhe, serioz që nga koka e deri në këmbë, i tha tjetrit për parapëlqimin e vet.
- Hajt, qoftë e bërë! – ia ktheu Xhipja, gjithashtu serioz, duke shtuar: -
…E nesërmja ishte e shtunë dhe Xhipja e kishte pushim. E priste, ndaj, me t’u shfaqur ai në derë, i hodhi njërën dorë në krah, ndërkohë që me tjetrën mbante një çantë dhe bënë sipër shtëpisë, atje ku fillonte e përpjeta e Krastës së Vogël, bishti i Krastës, siç njihej në krejt qytetin. - Zgjidhe atë katërmetërshin tënd! – iu drejtua me një ton zyrtar e ceremonial. – Më pas do të shkruajmë e firmosim letrat për tapinë. Ja, të pëlqen ky vend këtu? – dhe tregoi një hapësirë gjysmë të sheshtë, të mbuluar me ca shkurre të rralla mbi të cilën ngrihej skarpati i një tarrace.
- S’qenka i keq! – i tha tjetri, duke vështruar gëmushat e dendura që rrethonin atë që do të ishte shtëpia e tij e përjetëshme. – Unë të falenderoj nga zemra, se ma ke dhënë badiava! Shiko se ç’pamje! – dhe bëri me kokë nga fusha e Belerbesë, pas se cilës shtrihej qyteti i madh. – Jam i privilegjuar. Në atë dynja, prej këtu, si në një ballkon, do të kem mundësinë të shoh se çdo të bëhet me këtë qytet!
- Shijoje që tani, se unë po iki të marr diçka dhe erdha. – i tha Xhipja. – Ti shtro mushamanë dhe ato të tjerat që ke në çantë. Do ta festojmë këtë ditë, se u bëmë komshinj, apo jo? – dhe bëri për nga shtëpia e vet.
Për dy minuta ai e zbatoi porosinë e tij. Mungoka vetëm rakia, mendoi. Siç duket, atë ka shkuar Xhipja të marrë. Ndërkohë mbrëmja po binte dhe muzgu kishte filluar t’i errësonte lehtë konturet e gëmushave rreth vendit ku ata do të fillonin të kthenin nga një gotë raki. Ai pa orën. Dyminutëshi kishte ikur me vrap dhe Xhipja s’po vinte. Iu duk vetja si në një skenë surealiste, si në pritje të Godosë! Aq më tepër që hapësira e gjerë e varrezave sikur ishte sinkronizuar me atë të muzgut që po shtrihej kudo. Dhe pikërisht në atë moment dëgjoi zërin e trashur enkas të Nexhipit, i cili vinte diku pas gëmushave, sipër vendvarrit të tij. Dreq, mendoi, ç’varr them dhe unë!
- Bëhu gati se kam ardhur të të marr!
- Kush je ti? – u fut në lojë ai.
- Jam ajo që kërkove, Vdekja! – u ndje sërish zëri aktorial i Xhipes.
- Po unë ende s’jam bërë gati. Vetëm vendin porosita, se jemi në ekonominë e tregut dhe s’i dihet se ç’ndodh nesër!
- Mos gënje! Ti kërkoje të më sfidoje mua, Vdekjen, sepse ti i urren skemat. Por harron, o i gjorë, o i vdekshëm, se me mua nuk hahesh dot! Unë jam ligji i ligjeve! Jam kryeskema që u nënshtrohen të gjithë të gjallët, që nga prostitutat e deri tek mbretërit!
- Se kisha me ty! – vazhdoi dialogun ai. – E kisha me skemat e botës së të gjallëve. Kudo vija të bardha, semaforë të kuq, kudo “Ndal“ dhe “Mos“! Me ty dhe shemrën tënde, Lindjen, nuk kam gjë.
- Ja, sërish gabove, o ti njeri! Unë jam më e rëndësishme se ajo, Lindja. Se unë jam e përjetëshme, unë jam e sigurtë! Lindja s’dihet vjen a s’vjen, kur vjen, ndërsa mua, po erdhe, këtu më ke! Ta marr shpirtin kur të dua, jo me kosë, siç më vizatoni ju për të trembur fëmijët, por si t’jua ketë qejfi: Me thikë, me plumb, me helm, me smog, me viruse, me rrota makine, me shkarje këmbe, me ç’të duash!
-
- Sa mendjeshkurtër që qënke! Helbete, je njeri! S’ke si ta dish se, ajo ditë kur të mos ketë më Lindje, ajo do të jetë dita e fitores sime të plotë, dita e fitores përfundimtare, dita e triumfit. Se tërë ky planet do të jetë i vdekur dhe unë do të jem sundimtarja e vetme ! – vazhdonte “Vdekja“ që pas gëmushave .
- Ajo ditë s’ka për të ardhur kurrë, se nuk të lë Ai që të shpëtoi nga thonjtë!
- Ou! E kush na qemka Ai?! Kush më paska shpëtuar mua?! - u revoltua zëri pas kaçubave.
- Ai, Jesu Krishti! - Thonjve të mi edhe Ai s’u shpëtoi, përderisa vdiq dhe u varros në shpellë.
- Vdiq, vdiq, po ama, u ringjall pas tri ditësh! – ia priti ai i kënaqur, duke menduar se, para kësaj logjike, Vdekja ishte zënë ngushtë.
- Ti je ateist dhe u beson përrallave?! Në fund të fundit, ajo, ringjallja e tij, është vetëm një hipotezë!
- Rëndësi ka që ai theu një skemë, vetë kryeskemën, të theu ty! Dhe ne, njerëzit, për disa çaste morëm frymë të lehtësuar, sepse kuptuam që s’qenkemi vetëm të përkohshëm në këtë botë.
Thuajse po errej, por atë vazhdonte ta intrigonte ky dialog me Vdekjen.
- Kjo është ëndërra e njerëzve për t’u bërë të pavdekshëm. – u ndje sërish zëri i transformuar pas kaçubave.
- Dhe e kanë realizuar atë! – iu përgjigj ai. – Njeriu beson se shpirti i tij nuk vdes, edhe pasi ti t’ia kesh marrë jetën me atë kosën tënde. Shpirti i njeriut do të ngjitet lart, do të jetë pranë Atij që të shpëtoi ty nga thonjtë! Dhe shpirtin ti s’mund ta kapësh, se nuk ke vetë shpirt!
- Ky është një ngushëllim që ju ia ngrini vetes, o të gjorë! – i tha Vdekja.
- Atëherë ne do të të varim në qafë një këmborë, që të të ndjejmë kur të na afrohesh me atë hapin tënd tinzar dhe të mos na zësh dot!
- Atëherë unë do të vi me një shishe raki në dorë dhe ti s’ke nga më ikën, se e di që ta ka qejfi! – thirri fort, me zërin e tij Xhipja dhe kërceu nga kaçubja ku ishte futur, drejt e pranë këmbëve të tij, me shishen e rakisë që e shtërngonte fort. – Ke pirë ndonjëherë në varreza? – e pyeti pas pak.
- Po ti? – ia ktheu ai.
- Unë?! Po unë këtu e kam shtëpinë! Këtu ha, këtu pi, këtu fle, këtu i bëj të gjitha! Këtu dhe do të vdes! – dhe bëri me dorë disa metra më tutje.
- Tani unë jam në vendkomandën e Gjeneralit të Ushtrisë së Vdekur! – i tha ai. – Gjithësesi, mos u mërzit. Tani do të jemi të dy komshinj, në këtë dhe në atë jetë!
KU JANË HERONJTË?
Kishte kishte vdekur Kati, plaka më e vjetër e rrugicës së tyre. Atij i erdhi vërtetë keq. Jo se ishin lidhur kushedi çfarë, por ai pati ndjesinë sikur, me vdekjen e saj, kishte rënë edhe fleta e fundit e një kapitulli të jetës së tij.
Kjo ndjesi po e kaplonte të tërin tek rrinte jashtë portës së hapur, shenjë e pagabueshme e mortit, në atë orë të vonë të natës, së bashku me disa komshinj të tjerë. Edhe pse rigonte shi, ata pinin duhan në këmbë dhe herë pas here shihnin orët, si për t’u siguruar në se e kishin përmbushur detyrimin e përgjimit të së ndjerës.
Ta kishe mirë me Shefikatin, ishte gjë e madhe për fëmijët e qytetit të tij. Ajo e kishte në dorë të të fuste në botën magjike të kinemasë. Autoritare, e veshur me pantallona dimër-verë, askush nuk mund ta kapërcente atë portë parajse pa dëshirën e saj. Kuptohet, në rastet kur ne nuk na e mbante xhepi të blinim një biletë. Apo edhe kur kërkesa për to ishte aq e madhe, sa që vetëm të rriturit më të fuqishëm mund të blinin në sportelin e vogël që kthehej në një sheshbetejë të vërtetë. Në të tilla raste, ne të lagjes i shkonim asaj në shtëpi dhe ajo, veçanërisht kur shfaqej ndonjë film i ri me luftë, mundësisht me shpata, s’harronte kurrë të mbante në xhepat e pantallonave disa bileta. Por jo rrallë s’e kishte problem të na fuste edhe pa biletë, duke bërë gjasme ishim të shoqëruar nga prindërit, mëqenëse hynim në portën e madhe para ndonjë të panjohuri të rritur.
Por jo gjithmonë ishim me fat. Edhe Kati kishte inatin e saj, sidomos kur krijohej rrëmujë me rastin e daljes së ndonjë filmi të bujshëm. Na sikterriste pa një e pa dy, duke shtuar: Brekselepët, pa le, duan ta shohin që në seancën e parë! Dhe ne s’na mbetej gjë tjetër, veçse, kur filmi shfaqej në kinemanë verore, të ngjiteshim në majë të pishave të bulevardit. Duke u shtërnguar fort pas degëve halore, ndërsa errësira bëhej gjithnjë e më e thellë, ne gëzoheshim e hidhëroheshim bashkë me heronjtë tanë. Herkuli i Tebës ishte hyjnia e paarritshme dhe çdo film i ri me Stive Rivesin, padyshim përbënte evenimentin më të madh për ne gjatë gjithë asaj jave që ai shfaqej. Po nuk binin poshtë dhe filmat me kapitenë e musketerë, me piratë e hajdutë bagdati.
Çudi, mendoi ai. Pse po më ikën dëshira për të parë filma?! Përjashto gjithë ata heronj të fëmijërisë, një galeri e tërë personazhesh e aktorësh, të cilët nuk përtojmë edhe sot t’i shohim në ekran. Madje, me një kënaqësi të dyfishtë. Për naivitetin e tyre dhe për nostalgjinë tonë.
Ai e pranonte se aktorët e sotëm, alpaçinot e denirot, stalonet e sherolstonet, ishin shumë më tepër profesionalë se ata të fëmijërisë së tij. Megjithatë, se ç’kishte diçka tek ta e në filmat e tyre që nuk e gërricte. Mbase mungesa e ekranit të madh që bojkotohej gjithnjë e më tepër nga njerëzit. (Ç’xhuxhmaxhuxh do të dukej Herkuli-Stive Rives në ekranin e vogël televiziv!) Mbase pamundësia për t’i marrë seriozisht bëmat e tyre. Se kur e di si xhirohet një film, kur një skenë disa sekondëshe ripërsëritet në dhjetëra duble, kur një personazh tragjik për të cilin ke derdhur lotë, pas mbylljes së kameras ngrihet nga arkivoli dhe ia plas gazit, sigurisht që edhe bëmat e tyre s’ke si i përjeton seriozisht. Tjetër gjë ndodh me moshën e sinqeritetit, me fëmijën, aq më tepër me fëmijën e brezit të tij, të pamolepsur me truket gjithfarëshe të zhvillimit të teknologjisë.
Ndoshta, mendoi më pas, ndoshta madhështia e Mitologjisë rri fshehur tek Fëmijëria e Njerëzimit. Edhe pse kanë kaluar mijëra vjet, njerëzimi i sotëm ende e ruan instiktivisht nostalgjinë për fëmijërinë e tij, besimin tek origjina e vet e lashtë. Shumë më e lashtë se edhe vetë Formula e Pagëzimit!
Sofistikimi i teknologjive ka sjellë edhe sofistikimin e Heronjve. Heronj të sofistikuar, artificialë, heronj kompjuterash, përsijati ai. Dhe, vetvetiu, nga thellësia e qenies i erdhi një pyetje si klithmë: Ku janë heronjtë?!
Ai ktheu kokën nga dera e hapur e mortit, në një dhomë ku trupin e Katit e qanin gratë e rrethrenditura si në një kor antik, sikur kërkonte ta pyeste biletaren e vjetër të kinemasë: Ku janë Heronjtë tanë, Shefikat? Mos ikën bashkë me ty? Apo kanë ikur vite para teje dhe ti mbete fillikat? (Fillikat, moj Shefikat!) Madje, nga që mbete qyqe, s’kishte më kuptim të prisje ende. Këta Heronjtë e rinj nëpër “Milleniume” ti nuk mund t’i honepsje dot. Lëre pastaj kur shihje fytyrën e një Heroi të Lashtësisë që të dilte në ekran me xhibokset e një vjedhësi bankash. Ç’bëhet kështu, revoltoheshe ti dhe kërkoje një tjetër çaj kamomili në shtratin tënd të vdekjes.
Përditë rrallohen Heronjtë në këtë botë të ngopur me klithma, përsëriti me vete. Në se ju merr malli për ta, shkoni i kërkoni në filma ku do t’i gjeni me bollëk! Dhe keni të drejtë ta bëni këtë. Keni të drejtë ta kërkoni në fantazi atë që po shteron në jetë. Njeriu është pasardhës besnik i Diogjenit vullnetmadh. Me qiririn e ëndrrës së tij në dorë, ai i bie kryq e tërthor errësirës që e ka kapluar dhe s’lodhet së kërkuari Heroin e tij. Se Njeriu uri ka për Heronj. E lashtë është kjo e vërtetë. Ndryshe jeta dhe bota do të ishte llahtarisht monotone. Ashtu si qielli do të ishte një shkretëtirë e pafundme blu, në se në të, aty-këtu, velat e tyre s’do t’i shpalosnin retë!
Papritur atë e mori malli për një përrallë. Të hipte në majë të asaj pishës së madhe të bulevardit, kundruall kinemasë së vjetër verore dhe, pavarësisht nga errësira që binte ngado, të përhumbej në Trimëritë e Herkulit të Tebës. Cili filmdashës i sotëm do ta bënte këtë për denirot e alpaçinot, për stalonet e sherolstonet, mendoi, ndërsa njerëzit po largoheshin një e nga një, për të ardhur sërish të nesërmen në pelegrinazhin e Katit, të fletës së fundit të kapitullit të fëmijërisë së tij.
DRUUU… ME PRE!
Entela do të lindë me operacion, i tha e shoqa sapo u kthyen nga materniteti. Vërtetë, pyeti kot ai, si për t’u siguruar për atë që porsa dëgjoi. Po, vërtetë, ripohoi ajo, duke shtuar si dëshmi edhe fjalën “çezarian”.
Ç’epitet, u mëdysh ai. Ç’lidhje ka Çezari me operacionet?Aq më tepër me një operacion lindjeje! Mos, vallë, fëmija ilegal me Kleopatrën…, pamundësia e lindjes së saj normale dhe urdhëri i tij për t’i hapur barkun…? Hej, dreq! E ndjente që po ia fuste kot. Gjithësesi, diçka të vërtetë kishte në këtë epitet dhe, pavarësisht se ai s’dinte gjë konkrete, shprehja “Jepi Çezarit atë që është ë Çezarit!”, s’kishte dalë kot.
Po unë ku ta gjej Çezarin tim, gati psherëtiu me trishtim. Qe një analogji e pavetëdijshme që fillimisht iu duk budallallëk me brirë. Por më pas nuk do të rezultonte ashtu. Sado e çuditshme dhe jopetike të dukej, ai kishte rreth dy javë që ndjehej në të njëjtën gjendje. Si lehona në muajin e nëntë që pret nga dita në ditë të dyfishohet. Por, në ndryshim nga ajo, brenda qenies së tij ai ndrynte librin që thuajse po përfundonte. Muaj të tërë kokoklepsje me vetveten, kontraste të befta të hipje-zbritjeve të adrenalinës, si në atë poezinë për shpirtin poetik:
Shpirti poetik
është trill,
është eter,
Sot shkon në Parajsë,
kur dje ishte në Ferr,
Ngrin e shkrin si shkëmbi,
po kurrë s’bëhet rërë!
Ku ta gjej Çezarin që ta lind fëmijën tim, i përsëriti vetes. Unë vetë nuk e lind dot foshnjën e gjorë pa asistencë e bisturi! Shtëpitë botuese të kërkojnë qimet e kokës! Subvencionet shtetërore quhen herezi edhe po t’i mendosh! Vetëm një doktorr më bën derman mua, por ai është i rreptë si spartan, ndonëse quhet mjaft thjeshtë: Sponsor!
Kështu ndodhi që ai u takua me ish-nxënësin e tij, Fadilin, tashmë nga biznesmenët më të njohur të qytetit. I shëndoshë sa një deng. Qindra hektarë pyje dhe disa gatra në thellësi të tyre ishin pronë e tij. Foristrada “Hamer” s’kishte asgjë të përbashkët me atë druvarin e dikurshëm Fadil, zëri i të cilit ushtonte në çdo rrugicë të qytetit: Druuu… me pre! Me sharrën e sëpatën të kryqëzuara mbi sup, në mes të dimrit, qoftë shi a suferinë, qoftë akull a dëborë. I urtë si heshtja, fakirfukara edhe në shkollën e mbrëmjes, aq sa atij i vinte keq ta zinte me presh edhe kur kopjonte. Mjaftohej vetëm me një të mbyllur të lehtë të syrit, ndryshe tjetri mund të trembej.
Ishin vetëm të dy dhe ai ia tha hapur Çezarit të tij nevojën për sponsorizim. Fundja, që të mos kishte keqkuptime, nuk donte para në dorë. Vetë zoti Fadil të shkonte e të bënte pagesën në shtëpinë botuese. I inkurajuar nga heshtja dhe përqëndrimi tepër i vëmendshëm i tjetrit, ai mori kurajo dhe e ngau bisedën më tej. Se arti në krejt botën sponsorizohej, ashtu si sporti. Se ai do ta shprehte mirënjohjen e tij edhe duke e falenderuar publikisht biznesmenin e njohur, Fadil Trashani, që në hyrje të librit të tij. Sepse kishin dhe diçka të përbashkët krijuesit me afaristët e pyllit. I lidhte lënda e parë, druri…
- Pse, ju doni dru, profesor?! – ia pat dengu para tij.
Ai mbeti pa gojë. Vështrimi naiv i tjetrit e bëri të sprapsej nga shprehja që e kishte në majë të gjuhës: Po, dru desha që kur erdha të të shtrij dorën ty! Thirrja e largët “Druuu… me pre!”, sepse iu shndërrua në “Lekëëë… me pre!”, kur tjetri nxorri një tufë dhjetëmijëshesh nga një xhep i vaçantë e i panatyrshëm që e kishte diku në pjesën e pasme të astarit të palltos. Ai sërish u mek. Si atëherë, kujtoi, si atëherë kur nxirrte kopjet që i mbante nën mëngë! Ç’kërkon të bëjë, tha me vete i zënë ngushtë. Por tjetri i bëri shenjë kamerierit për të paguar, duke i kërkuar të falur se vetëm pesë minuta kohë i kishin mbetur të rrinte me profesorin e nderuar.
- Unë kam respekt për ty, profesor dhe, po deshe edhe një kamion me dru për dimër, t’i zgjedh Fadili ty, dru dushku për oxhak që të shkruash libra edhe në dimër e të të shkojë djersa çurk! Edhe një drekë me mish gjahu të egër ta shtron Fadili ty, ku të duash ti! Po sa për libra, aha, s’më ke andej mua! Jo për gjë, po kam frikë se mos bëhem edhe unë profesor! Sepse drurin e duan të gjithë, profesor!
Ai tashmë e kishte mbledhur veten. Nuk ndjente inat, por vetëm zhgënjim ndaj tjetrit. Inatin e kishte me veten, me naivitetin e tij prej cjapi që kishte shkuar me këmbët e veta tek kasapi.
- Ke të drejtë, o Fadil! – i tha ai me një ton të zgjatur e mjaft të butë, i cili i ngjante më tepër një psherëtime. – Drurin i pari e dua unë! Por e dua të jetë tërë nyje e gdhënçka…
- Përse, profesor?! – bëri të habiturin tjetri, ndonëse e kuptua që atje tej ku kërkonte të dilte bashkëbiseduesi.
- Veçse e dua dru me damkë, të damkosur! – vazhdoi ai në të tijën, pa ia vënë veshin “naivitetit” të afaristit.
- Si të duash ta jap unë, profesor! Kam nga të gjitha llojet! Në daç ngrohu me të, në daç merre e bëje letër për atë librin tënd! Po, në daç,… - u përtyp një hop - … po qe për dru, mua këtu më ke!
Gjithshka kishte degjeneruar deri në hakërrim. Paturpësia e tjetrit nuk kishte fre. Sikur me zor kishte pritur gjatë tërë atyre viteve për të shfryrë mllefin e vet. Po kundër kujt, pse, mendonte ethshëm ai. Mbase është kompleksi i inferioritetit i atij që gjithë jetën e ka ndjerë veten poshtë dhe tashti, pas tërë këtij kërcimi galopant lart, kërkon të zbrazë tërë mllefin e zi që ka mbajtur përbrenda. Jo thjeshtë ndaj tij, se për këtë ishte i sigurtë se nuk kishte asnjë arësye, por ndaj kujtdo që krijonte, që shkruante, ose thjeshtë, që merrej me libra!
Dhe ndërsa tjetri u ngrit në mënyrë arrogante nga tavolina dhe bëri tuje për të dalë, me një zë të zvarritur e gjithësesi të lodhur, ku më tepër ndjehej trishtimi, ai i tha kamerierit që erdhi të pastronte tavolinën: Kështu qenka kjo botë, druuu me pre…!
MUSTAQET
Tërë sy e veshë, ai ia kishte ngulur sytë kompjuterit gri. Tashmë gjithshka do të varej nga ajo arkëz djallëzore, nga ato mijëra qarqe të integruar që përbënin memorjen kufitare të shtetit fqinjë verior. Ndërkohë që grupi i madh i turistëve, pa patur fare nevojë për arkën djallëzore ngjyrë gri, kishte filluar të kalonte ato dhjetra metrat e parë të tokës së huaj ku i priste autobusi.
Instiktivisht kaloi dorën nëpër mustaqet e dendura, duke i tërhequr paksa në cepat e tyre, sikur t’u thoshte se ato e kishin fajin për tërë këtë ngatërresë. Por më pas, sikur u pendua dhe e shkoi sërish dorën mbi to me përkedheli. E ç’faj keni ju të uruarat, mendoi. S’keni veçse një vit që ju lashë të vini në këtë botë. Nuk është se ju solla unë, por thjeshtë ju lejova, nuk ndërhyra për t’ju penguar. Nuk jua ula traun e doganës, siç po ma ul mua ky polic gjatosh i huaj.
Nga i gjithë grupi, vetëm atë e kishin ndaluar për ta kontrolluar imtësisht. Vetëm për mustaqet! Nën hundë i kishte, kurse në foton e pasaportës, ato s’dukeshin gjëkund. Kjo e kishte futur në dyshime gjatovinën, cerebrerin e shtetit fqinj. Fillimisht ai ua kishte ngulur sytë mosbesues të dyve, fotografisë dhe fytyrës së tij. Artikulimin e disa fjalëve në sllavisht, vetëm Artani kishte mundur ta kuptonte. Nuk është i bindur se ka të bëjë me të njëjtin person, kishte përkthyer ai në përgjithësi.
- E ç’faj kam unë për këtë? Pse, e ndaluar është të mbash mustaqe kur të të mbushet mendja?!
- Eshtë dhe ajo puna e terrorizmit. - kishte shtuar tjetri. - Ti e di se këto ditë kudo në Europë i kanë forcuar kontrollet për terrorizmin.
Për herë të parë ai mendoi seriozisht për belanë që e kishte gjetur. Në fillim e kishte marrë si me shaka. Hë mo, i kishte thënë njëri nga pjesëtarët e grupit, gjë koti është kjo, si puna e atyre “mustaqeve të Çelos”. Por gjatovina i huaj, sigurisht që s’kishte dëgjuar për historinë e shqiptarit Çelo. Madje, vetë Çeloja t’i vinte para traut të doganës, ai sërish do ta fuste në kompjuterin e tij me gjithë mustaqe. Sigurisht, në se kapedani ynë s’do t’i kishte ato në pasaportë. Po, a kishte pasaporta në kohën e Çelos, mendoi ai?
Ç’po më ndodh kështu, qortoi pas pak veten. Stambolli digjet dhe unë po krihem! Po sikur ky gjatoshi vërtetë të më thotë të kthehem mbrapsht?! Vetëm pse nuk kam mustaqe në pasaportë! Sikur ta dija, do t’i kisha hequr që dje. Ose, u mendua ai disa çaste, unë mund t’i heq edhe tani!
- O Tan! A ke brisk rroje me vete?
- Lojte?! - i tha tjetri që ia rroku rrëmbimthi mendimin.
- Epo, ç’të bëj! Kështu si e ka nisur ky, do të bëj indietro më duket!
Ç’e kanë kapur me mustaqet në të gjithë botën, mendoi. Mirë gratë që kanë alergji nga to, po shtetet e perëndimit përse i përndjekin? Mustaqe terroriste! Sikur bombat i fshehin nëpër mustaqe! Ama edhe ata terroristët, nuk janë hiç të zgjuar! Fundja, le t’i heqin ato dreq mustaqesh kur të nisen për t’u vetëhedhur në erë. Sikur nuk i pranojnë në atë botë pa mustaqe!
Ndërkohë, polici i huaj kishte mbaruar së kontrolluari në kompjuter, por, si për inat të atyre të dyve, kapi receptorin e telefonit.
-O Tani, shko, shko ti se të ikën autobusi! Puna ime u pa! - i tha ai shokut të vet. - Të paktën, Çelo kapedani do të ishte krenar për mua, se nuk ia turpërova mustaqet!
- Jo vetëm krenar, por do të të bënte vend pranë vetes në histori! - shtoi tjetri serioz. - Mustaqet e tua ndryshojnë goxha nga ato të Çelos. Mustaqet atij nuk guxonte kush t’ia shante, kurse këto të tuat i kanë futur dridhmën tërë Rumelisë.
Belaja nganjëherë duhet kaluar edhe me humor, mendoi ai. Kërcen prifti nga belaja, sepse edhe prifti ka mustaqe. Madje edhe mjekërr. Po sikur të kisha edhe unë mjekërr, e shtyu mendimin më tej. Nuk është çudi që të më izolonin, sa të sqarohej situata.
Ndërkohë, pasi dha e mori edhe me telefonin, polici gjatosh i vendit fqinjë, pa thënë asnjë fjalë, sikur të mos kishte ndodhur asgjë, i zgjati thatë pasaportën. Disi dyshues, sikur të mendonin se mos ishte ndonjë shaka e radhës, ata të dy vetëm ngritën duart në shenjë përshëndetjeje dhe nxituan të kapnin autobusin ku, patjetër padurimi duhej të kishte arritur kulmin.
Pas dy ditësh, në një hotel të shtetit fqinjë, shtrirë mbi krevat, në orët e vona të mesnatës, ai do t’i lexonte Artanit:
Mendja m’u mbush dhe lashë mustaqe,
Ca qime të zeza, të ashpra si drizë,
Tashti miqtë s’më puthin në faqe,
Driza e qimes në buzë i gris!
E ç’bëra, i ziu, s’i bleva gjëkund,
Veç kundër natyrës s’veprova nën hundë!
“Mustaqet e Çelos” që thotë historia,
A s’mund të ishin dhe mustaqet e mia?
Ndaj mos m’i shani, ndaj mos m’i ngani,
Se ngrihet nga varri Çelo Kapedani!
I lashë ashtu kot, s’i mora kurrkund,
Veç kundër natyrës s’veprova nën hundë!
NJË “NOBEL” PËR KAVIET
Ai kishte njohur jo pak tifozë kafshësh. Quaji si të duash, mbase edhe anëtarë të organizuar në shoqatat e mbrojtjes së kafshëve. Madje edhe fansa të tyre. Të gjithë kishin motive nga më të ndryshmet, që nga ato të bestytnive të lashta apo të doktrinave fetare e deri tek ndjekësit e modës, të cilët ndjeheshin aristokratë në praninë e ndonjë qeni rrace që e tërhiqnin me zinxhir rrugëve. Nuk mungonin edhe vegjeterianët e snobët. Mjaft nga këta syresh eksploronin kryqëzime rracash nga më të fundit, duke filluar që nga qentë, macet, papagajtë e puplorë nga më të ndryshmit e deri tek rrëshqanorë me luspa shumëngjyrëshe.
Por më origjinali ndërmjet tyre ishte komshiu i tij ri, profesor Mensuri. Ishte vërtetë profesor me titull. Mjek i vjetër, i dalë në pension vite më parë. Pjesën më të madhe të jetës e kishte kaluar në laborator dhe në katedrën e mikrobiologjisë të fakultetit të mjekësisë. Gruaja i kishte thënë se në fakultet i kishte dhënë edhe asaj këtë lëndë, të cilën kryesisht e zhvillonte në laborator, mes epruvetave, mikroskopëve e kavieve.
Tashmë ai ishte mësuar, por në vizitën e parë të kortezisë që i bëri profesorit, vërtetë kishte shtangur. Përfytyroni një plak të vjetër, tmerrësisht eshtak, me ca si sy ciklopi pas qelqeve tej mase të trasha të syzave, tek rrinte mbështetur në një kolltuk të bollshëm dhe…, o zot, ç’ishte ai mi i bardhë që i shetiste nëpër gjoks, i ngjitej në supe, prej atje kalonte në majë të kolltukut, për t’i qëndruar së fundmi mbi kokë?! Dhe njeriu eshtak të mos bënte një lëvizje të vetme, as reagimin më milimetrik, kur edhe një mizë bezdisëse ne e trembim që në distancë me dorë?! Apo ka rënë në të thella në atë libër të trashë në anglisht që është duke lexuar? Apo, apo…, duhet të jetë i rrjedhur nga pleqëria, mendoi ai.
Tjetri, pasi vuri re praninë e vizitorëve të panjohur, vetëm shtriu dorën dhe, miu i bardhë, si një kafshë cirku, më tepër u duk se rrëshqiti, duke i përfunduar në mes të pëllëmbës. Profesori u ngrit dhe me dorën e lirë takoi të porsaardhurit. Pas takimit, ai instiktivisht fërkoi dorën e vet pas pantallonave.
Profesori, siç duket, e kishte ndjerë dhe herë të tjera një befasim të tillë të vizitorëve të rinj, ndaj dhe shpejtoi të shpjegohej:
- Janë kafshëzat më fisnike në botë këto kavie. Jo vetëm më të pastërtat se çdo kafshë tjetër, por edhe më të bukurat, më humanet. Janë ato, pa jemi ne!
Atij iu kujtua një thënie e ish-diktatorit, kur iu drejtua një grupi punëtorësh: Jeni ju, pa jemi ne! Ç’analogji e plotë, e thellë dhe simbolike, mendoi. Dhe nuk ngurroi ta pyeste, si me të qeshur:
- Kështu, profesor, na del që ne të jemi diktatorët e këtyre kavieve?!
- Pikërisht! – pohoi rrëmbimthi e plot pasion tjetri. – Gjatë gjithë historisë së tij, masakrën më të madhe njeriu e ka shkaktuar ndaj këtyre kafshëzave pushbardha, ndaj këtyre brejtësve të gjorë. Ai i ka krijuar e shtuar ato jo për t’u ushqyer me to. Kjo do të ishte e natyrshme. Por për t’i vrarë pafundësisht në miliona eksperimente! A nuk është genocid ky?!
Ç’plak i çuditshëm, i tha vetes. Po si harron se edhe ai, në ato dhjetëra vjet në laborator, ka bërë të njëjtin krim ndaj këtyre krijesave që sot i mbron me fanatizëm? Se, në fund të fundit, kanë qenë ato, pa është bërë ai profesor! Dhe, si për të kërkuar ndihmë, hodhi sytë nga e shoqa. Siç duket, ajo e kapi sinjalin “SOS” dhe lehtë, fare lehtë, për të mos u keqkuptuar, ndërhyri gjithë takt:
- Në laborator, profesor, mbaj mend se kishte kafazë të tërë me kavie…
- Të kuptova. – i tha me nëntekst tjetri dhe sërish shpërtheu: - Po, e pranoj se edhe unë jam kriminel, diktator i këtyre krijesave të pafajshme. Jo vetëm i kam mbyllur në kafaz barbarisht, por, e di ti, - iu kthye ai ish-studentes së vet – u kam injektuar lloj-lloj bacilesh e virusesh…
Befas zëri i tij filloi të bëhej melankolik, ku ndiheshin nuancat e përqarjes. Teoria e kompensimit, mendoi ai. Pikërisht kjo brerje e pazakonshme ndërgjegjeje për këto kafshëza si minj, për të cilat shumica e njerëzve kanë alergji dhe do të donin të mos egzistonin, profesori qenka gati të hidhet nga kati i katërt i këtij pallati! Por, momentalisht paska gjetur një zgjidhje tjetër më me leverdi: Ta dashurojë deri në veneracion këtë kavie të bardhë.
- Ç’ngazëllim kur hyje të nesërmen në laborator dhe vëreje se këto vocërrake ishin plot gjallëri. – fliste ai si i përhumbur, me sytë e fokusuar diku në boshllëk. – Eksperimenti kishte triumfuar pa viktima. Por kishte edhe raste, dhe kjo ishte më e tmerrshmja, kur shkoje të nesërmen në laborator me dëshirën e ethshme që t’i shikoje këmbëpërpjetë! Se vetëm kështu eksperimenti do të quhej i susksesshëm…!
Për ta ngushëlluar sado pak profesorin në dëshpërimin e tij, ai tha:
- Kjo botë, pa këto kavie do të ishte më e mjerë. Dhe çmime “Nobel” do të kishte më pak!
Aq për shtat i erdhën tjetrit këto fjalë sa, pavarësisht tetëdhjetë viteve që mbante mbi shpinë, pasi i hodhi një shikim mirënjohës, ai u ngrit rrëmbimthi me kavien në dorë:
- As Paster e as Koh s’do të kishte. A e dini ju se Rui, vetëm një nxënës i Kohut, vetëm me një gram të substancës së helmët të bacilit të difteritit, vrau njëzetmijë kavie të gjora?!… Eksperimentet s’kanë patur të sosur edhe me qen, lepuj, bagëti dhe deri kuaj, po kurrë si me këto të gjorat. – dhe e mori kafshëzën e bardhë në pëllëmbë duke e ledhatuar me gisht në hundë. - Po këto të shkretat nuk kanë gojë të akuzojnë për genocid qenien Njeri! Dhe këtij plangprishësi, këtij bir Neroni, as që i shkon mendja se çmimin “Nobel” ia ka dhënë një mi…!
Ai e mori brejtësin e vogël pushbardhë, e afroi me përkëdheli pranë fytyrës dhe nuk ngurroi aspak ta cikte me buzët e zgjatura.
… Kur dolën nga dera dhe po zbrisnin shkallët për në shtëpinë e tyre, e shoqa i tha me një ton nekrologjik:
- Gjynah! Me të vërtetë më vjen keq për profesorin! Ka qenë njeri i mirë dhe babaxhan…
Po ikën epoka e njerëzve fisnikë, mendoi ai. Jeni ju, pa jemi ne! Janë kaviet, pa janë diktatorët! Ç’përmasa që ka marrë kjo fjala “kavie”. Megjithëse, profesor Mensuri, tashmë qenka bërë rob i kavies së vet!
QYTETARI I BE-së
Emrin e lindjes e kishte Ramadan, por në krejt qytetin njihej si Romi. Sigurisht, vendimtar në këtë operacion linguistik ishte qenia e tij prej romi denbabaden. Siç e thoshte edhe vetë, gjakun e kishte mbajtur njëqindpërqind të pastër, pa e trazuar me asnjë lloj tjetër, qoftë ky edhe gjak blu monarkësh. Dhe, si për të vërtetuar pastërtinë e rracës së tij, krahas ngjyrës esmere të lëkurës, së cilës s’kishte ç’t’i bënte, Romi mbante mustaqe tepër të gjata e të spërdredhura me majë përpjetë, alla Kajzer, pa e kuptuar se ato përbënin të vetmin detaj të portretit të tij fizik që stononte me qenien e tij rome.
Jo aq pse ishte me shkollë të mesme, gjë e rrallë për fisin e tij, por sepse kishte lexuar goxha e sidomos libra historikë e autobiografikë, ishte vërtetë privilegj ta kishe Romin mik. Madje, para disa vitesh kishte provuar të regjistrohej edhe në Universitet, thjeshtë për kunj, siç pohonte vetë, për të thënë se edhe arixhinjtë janë jo më pak të zgjuar se të tjerët, por më pas i ishte zbehur ndjenja e karshillëkut dhe ishte çregjistruar. Do të dukem si gomari në mes të kuajve tek të mitë, kishte thënë dhe do të më nxjerrin nga gardhi. Dhe që atëherë, i ishte përkushtuar edhe më tepër tregëtisë së rrobave, të cilat ku nuk i merrte me kamionët e tij, jo vetëm në Turqi, por edhe në zemër të Europës, në Itali e Spanjë, Greqi e Rumani.
Ai u njoh me të për një makinë. Kërkonte të blinte një makinë buxhetorësh dhe parametrat për xhepa të tillë i plotësonte vetëm një “Golf 2” Tek gazeta “Çelësi“ ai mori numurin e celularit dhe nuk hezitoi të telefononte të zotin e okazionit, që na qëlloi të ishte Romi. Se Romi, kur e nuhaste leverdinë, s’përtonte të peshkonte edhe ndonjë makinë midis stivës së dengjeve të mauneve të tij.
Vila e tij trekatëshe me një oborr të stërmadh gjendej ngjitur me tregun e madh rom të qytetit. Zallamahia në atë orë të paradites ishte në pikun e saj. Dhjetëra tregëtarë të vegjël, kryesisht të rracës së tij, e kishin rrethuar atë në mes të oborrit dhe, pasi bënin pazarin, ngrinin në krahë dengje me metrazhe dhe kutira të rënda me rroba nga më të ndryshmet. Romi e vuri re dhe i bëri me shenjë të priste aty pranë.
- Jo, jo atë, motra. Kemi standarte ne këtu ne Bashkimin Evropian të Romëve. Ai dengu është më i kripur, ndaj hidh më tepër që të plotësosh standartet. – i tha ai një mesogruaje që rrekej të zgjidhte mes dengjeve. – Ja, edhe profesorin e kemi këtu për asistim! – iu drejtua më pas grupit të blerësve. – Ndërsa stabilizimin e bëjmë vetë, se Romi i paguan të gjitha taksat, Romi e ka partner shtetin, e do shtetin. Nuk i bie njeriu në qafë Romi, por as nuk ia mban kujt t’i hipë në qafë Romit!
Dukej se kishte marrë superxhiro me oratorinë e tij. Mbase edhe nga superxhiroja e atij pazari të mbarë. Tufat e kartmonedhave i hidhte gati pa i numuruar në një arkë ambalazhi, nga ato të veshmbathjeve. Edhe pse vetëm një herë ishte takuar me të, atij s’iu durua pa ndërhyrë:
- Pse nuk thua ti, o Rom, se e pake krijuar Bashkimin Evropian?!
- Ja, nuk ju thashë unë se profesori do të na asistojë?! – iu drejtua ai me triumf turmës. – Nashti e mbyllëm asocim-stabilizimin! Nashti presim standarte të reja dhe vitin që vjen Romi do t’ju presë në zyrën e tij tek supermarketi i ri, mbi një karrike elektrike me rrota.
Kur iku dhe klienti i fundit, ai e ftoi atë në verandën e katit të parë, së pari, për një kafe, siç u shpreh vetë.
- Të mërzita, profesor? – pyeti, më tepër për xhentilencë. – Se, që thua ti, soji ynë këtë Bashkimin Evropian e ka krijuar shekuj më parë, që kur s’mbahet mend!
Ai e pa me një vërejtje dyshuese. Tashti po e tepron, mendoi me vete. Tjetri ia kapi mendimin dhe shpejtoi të shtonte:
- Mos më shih ashtu, të keqen! Të parët e rracës sonë i gjen në tërë Evropën. Nuk pyesim për kufij e për viza ne. Tarkaçin në shpinë dhe ngulim çadrën ku të na zërë nata. Standarti kryesor është buka e gojës për kalamajtë! Ndaj të thotë Romi ty, se ne e kemi krijuar qyshkur atë Bashkimin tonë Evropian. Pa dekrete e pa referendume.
- Ti, Romi, kështu na del që je Qytetar i Botës! – ia ktheu ai me një buzëqeshje të sinqertë.
- Aaaa…! Këtë e ka thënë ai kumunisti, ai Marksi! Me pulitikë mos më ngatërro mua! Unë jam qytetar i Bashkimit Evropian, jo i Botës! Se bota ka tylilloj rracash, ka dhe terroristë! Unë jam shqiptar arixhi që dua të hyj në Evropë. Ja, vetëm kaq jam unë!
Ai hodhi shikimin nga tregu i madh. Vërtetë, mendoi, një konglomerat mallrash nga tërë Evropa, madje, edhe përtej saj. Dhe Romi është ambasadori që bën këtë lidhje kaq të nevojshme, sidomos për vitet e para të demokracisë, kur butikëve as që guxoje t’u hidhje sytë!
- Hajde tashti të shohësh kërrin tënd. – e ftoi Romi dhe bënë për nga një qoshe e oborrit të madh ku ishin radhitur disa makina. – Kur u thonë kosovarët “kërr“, përse të mos u themi ne që jemi pjellë mbi kurriz të hajvanëve?
Përveç “Golf-it“ të tij, ai vuri re edhe disa marka të tjera makinash dhe, sepse zuri të vargëzonte nëpër dhëmbë:
Cigan ezmer, o arixhi,
Që kuajt kujton me nostalgji,
Vate xhambazllëku,vate e humbi,
Ti bredh me “Benz”, “Opel” e “Audi”!
Kur Romi ngriti kapakun e “Golf-it” për t’i treguar pjesët motorrike, atij iu kujtuan disa skena të hershme të fëmijërisë, mbase babai i Romit që, në pazarin e dikurshëm të gjësë së gjallë, me forcë hapte buzët e kuajve që t’u tregonte blerësve dhëmbët e tyre, për t’u argumentuar moshën e re të mallit.
- Ja, e sheh. Sikur ka dalë nga kutia. Nuk bën hile Romi, o të keqen! Për pazarin merremi vesh. Që nashti t’i hipësh, tek ustai më i mirë ta çosh dhe, kur të të mbushet mendja, këtu është Romi për paratë. – filloi ai të reklamonte mallin e tij dhe shtoi duke qeshur: – Punon me standartet e BE-së Romi!
Atë po e thërret gjaku i të parëve, mendoi. Mbase nesër niset sërish me kamionët e tij nëpër Europë, siç kanë bërë shekuj me radhë të parët e fisit me karvanët e kuajve, mushkave e gomerëve. Endacakë të përjetshëm, siç është i lirë njeriu për nga natyra të endet mbi tokë, jashtë konvencioneve të hartave mbushur me kufij, më keq se rrjetat e merimangave.
Në mbrëmje, do ta plotësonte atë që vargëzoi në oborrin e madh të Romit:
O bir besnik i fisit endacak,
Që botën e deshe pa kufij e pa cak,
Nderim stërgjyshin tënd me nam
Që pa dekret krijoi
të parin Bashkim Evropian!
ZHGUALLI I LEGJENDËS
Ishte një natë radiografike. Mbase kështu do ta quante pas më tepër se një shekull radiologu i qytetit të vogël rrëzë Tomorrit, i cili kishte zënë të shkruante tregimet e para. E kush më tepër se një mjek radiolog do ta merrte spunton e parë, për tregimin e parë, pikërisht nga esenca e profesionit të tij? Nga celuloidi i radiografisë? Ndërkohë që ashti i legjendës qëndronte thellë brenda zhguallit të asaj ngjarje të kahhershme.
Plaka Nafije kishte vite e vite që nuk ishte më por, ashtu si zgërbonjat që jetojnë edhe pas vdekjes së drurëve, jehonat e atyre vargjeve ende kumbonin në veshët e tij që nga fëmijëria.
Hyjtana, moj hyjtana,
Hajt të shkojmë në Lapardha,
Jelekun me sumbulla
Kush ta dha, moj, kush ta dha…?
Ma ka dhënë nënëza,
Xhanëza, kurbanëza!
Kjo ishte ajo çka kishte mbetur nga legjenda. Pse mos të themi më mirë se, pikërisht humbja e ngjarjes kishte kalçifikuar tek radiologu zhguallin e legjendës, të cilin ai duhej ta rindërtonte me një materie të re. Jo balsamosje, por ta kthente në një qenie të gjallë, që të mos kishte vdekje kurrë.
Një fjalë goje, por hajde e bëje.Dhe pikërisht atëherë kur i erdhi në majë të hundës dhe i kërkoi falje zanatit të vet prej radiologu, të cilin për pak sa s’e tradhtoi, pikërisht atëherë qielli i terrtë i rrokopujës që i sundonte në tru, befas iu kthjelltësua. Vetëm nga një trevargësh që e pat lexuar dikur, diku: Retë e stërzgjatura të kësaj nate/ Si brinjë të mjegullta nën zbehtësinë e hënës,/ Më shëmbëllejnë me një radiografi gjigande!
Ai brofi në këmbë dhe për pak sa s’thirri: “Eureka”!
Që në të ngrysur doli në ballkonin e shtëpisë dhe kundroi qiellin. Hëna premtonte të ishte e plotë dhe nuk mungonin as konfiguracionet e reve. Pas disa orësh, mendoi, sigurisht që tabloja e stërmadhe radiografike mbi kokën e tij do të bëhej më e dukshme, ashtu si ato copëza celuloidi që ai i vendoste me kujdes në suprinën vertikale prej xhami dhe, mjaftonte vetëm “shtrak-u” i ndezjes së llampës së pasme, që skeleti kockor i pacientit të deshifrohej pamëshirshëm. Ashtu si hëna do të ndriçonte celuloidin e reve dhe ai do të mundej të deshifronte skeletin e asaj ngjarjeje të kahmotshme.
Kërka i vërtitej prej kohësh në tru. Kështu u thoshte këngëve plaka Nafije, kërka. Kur ia kishte thënë këtë variant fonetik mikut të tij që drejtonte Institutin e Folklorit, ky i fundit kishte luajtur nga vendi i befasuar. Kërka? Vërtetë? Po kështu u thonë këngëve dhe sot në Kalabri! Interesant! Për mua ka vetëm një shpjegim. Është ruajtur forma e vjetër e fjalës. Një formë gati pesëshekullore!
Ai pastaj i kishte treguar lashtësinë e plakës Nafije, izolimin e saj vitet e fundit para se të vdiste. Më gjatë ishte ndalur në fshatin e plakës, në Kishtë. Interesant, kishte thënë sërish ai i folklorit. Kishtë? Tingëllon si kishë. Ose, më saktë, është pikërisht toponimi i një kishe.
Sikur të ishte astronom, apo diçka midis astronomit dhe astrologut, radiologu ishte harruar duke vërejtur radiografinë e stërmadhe të qiellit të asaj nate. Hëna e plotë, e bardhë, çuditërisht e bardhë, si një llampë neon, e nxirrte qartësisht në pah radiografinë qiellore. Re të stërzgjatura, paralele, ca më të ngushta, ca të kithta, më të shkurtëra, ca zgjatime të pakuptimta apo të rastësishme, ravijëzonin një skelet gjigand prehistorik. Madje, mendoi doktorri, kjo radiografi qiellore është më e saktë se ato të kabinetit tim. Ato janë statike, të stampuara një herë e mirë në celuloid dhe s’ka zot që t’i lëvizë një milimetër. Ndërsa radiografia e këtij qielli më duket si ekrani radioskopik, ku eshtrat lëvizin harmonishëm nën efektin e frymëmarrjes. Është qielli që merr frymë me puhizën e erës dhe ajo bën të lëvizin ritmikisht retë-kocka.
Kështu duhet të ketë qenë edhe atëherë. Ja, një qiell i tillë gri, i stamposur po në një radiografi të tillë. Diku andej tutje, andej ku pikërisht gjendej Kishta, ai sikur dalloi një konfiguracion të çuditshëm: Një nuse hipur mbi mushkë dhe një djalë që tërhiqte frerin!
Hyjtana, moj hyjtana, përsëriti vetvetishëm. Duhet të jetë djali që grah mushkën. Dhe duhet të jetë mushkë patjetër, se mbi të ecën nusja, jo djali. Ndryshe do të ishte kalë. Po përse kërkojnë të shkojnë pikërisht në Lapardha? Dhe përse hajdutshe, natën? Mos kemi të bëjmë me një rrëmbim? Me një rrëmbim nëpër natë, ku dëshmitare e vetme është vetëm hëna?…
Hijedrita e tre qenieve lëvizëse sikur ulej ngadalë përgjatë shpatit të një tjetër hijeje të stërmadhe. Duhet të jetë profili i Shkëmbit të Bletës. Nga hojet e tij shekullore rrjedh një rrëke e tërë mjalti. Ai e ndjente ëmbëlsirën në fjalët e djalit që s’e lëshonte frerin nga dora: Jelekun me sumbulla, kush ta dha, moj, kush ta dha?! Dhe kishte të drejtë ta përsëriste në mënyrë ngjethëse, këmbëngulëse pyetjen. Sepse kishte bërë rreth njëqind kilometra nga fshati i tij, Lapardhaja, për në Kishtën e largët e të izoluar malore, atje ku njerëzit ishin aq të gjatë sa bisedonin me hënën, atje ku njerëzit ushqeheshin me hojet e Shkëmbit të Bletës, atje ku njerëzit faleshin vetëm në rrënojat e një kishe, ndonëse shumëkush kishte emra myslimanë.
Përse, vallë, t’ia kenë refuzuar dorën e vajzës? Sepse ai patjetër duhet të ketë dërguar lajmës! Mos ndoshta se fshati i tij ishte fare i hapur, i ekspozuar ndaj botës së madhe? Se në të kishte vetëm baltë dhe asgjë nga ato që kishte Kishta?! Apo thjesht s’u kishte pëlqyer emri Lapardha, që u ka tingëlluar diçka si lapra, lepra, lapërdhi, apo kushedi ç’i ka shkrepur tjetër në mendje këshillit të pleqve kur është mbledhur për ta pleqëruar dhe vendosur fatin e Nafijes! Ah, përsëri Nafije! Për të disatën herë sepse, ashtu vetëvetiu, krejt padashje, kishte zënë ta quante protagonisten e tij me emrin e plakës Nafije.
Jo-ja kishte qenë fatale për të dy! Nuk kishte apelim dhe ai vendosi ta hipte mbi legjendë dhe ta sillte në shtëpinë e tij. Nëpër një qiell nate ku hëna shkrepte kujtesën e saj të fokusuar mbi celuloidin qiellor. Po ç’ishte ky jelek i zbukuruar me qëndisma të lashta, me sumbulla prej ari, që i lëbyrnin sytë tek pasqyronin rrezet e hënës?! Ai kishte menduar se nusja e tij do të hipte mbi mushkë vetëm me rrobat e trupit, pa patur kohë të hiqte diçka nga sënduku. I pat thënë se kjo do ta kompromentonte ikjen, bile dhe vetë legjendën që po ngjizej. Por ajo s’e paskësh dëgjuar. Ndaj ai donte të dinte për këtë surprizë, për këtë denatyrim, ”kush ta dha, moj, kush ta dha?!” Apo, mos vallë, dikush ishte kundër vullnetit të këshillit të pleqësisë…?! Jo, jo, kjo do të ishte e tepërt!
Përgjigja ishte sa befasuese, aq edhe ngjethëse. Sikur nuk dilte nga kraharori i një vajze të rrëmbyer por nga dënesa e kraharorit qiellor, i cili, në ato çaste duhet të ketë pulsuar fort dhe brinjët e reve të kenë kërcyer jashtë radiografisë: Ma ka dhënë nënëza, xhanëza, kurbanëza!
Po i afrohem kreshendos, mendoi radiologu. Një kreshendo ngjethëse, plot mister, ku magjia e ndriçimit të krejt tablosë ruhet e shfaqet krejt papritur vetëm në fundin e skajshëm. Vetëm në katër fjalët përmbyllëse që kthjellojnë gjithshka: nënëza, xhanëza, kurbanëza. Sikur të ishin kode që zgjidhnin enigma të lashta, sekreti i tyre ishte stamposur dhimbshëm në fund të çdo fjale. Ishte prapashtesa e njëjtë “za“, ku pikonte deri në drithërimë dashuria, mirënjohja, frika se mos dilte sekreti, për të cilin, “nënë-za“ mund ta pësonte. Në atë “za“ të vockël, ashtu si në një kod interneti, ishte sintetizuar një mal i tërë informacioni, që nga përbetimi për ruajtje të fshehtësisë dhe deri tek sakrilegji i asaj që kishte ndodhur.
Kurbanëza! Kurban unë për ty, moj bijë! Le të më bëjnë kurban ata të pleqësisë! Unë do ta ruaj sekretin që ti do të rrëmbehesh kur të dalë hëna e plotë. Madje s’të lë pa të dhënë edhe jelekun me sumbulla që ta kam bërë, ja, me këto duar, kur ëndërroja të të nisja nuse mbi mushkën e kuqe. Në fund të sepetit ta kisha vënë, që të mos merrte dritë dhe t’i iknin ngjyrat. Po s’qe e thënë, moj bijë! S’qe e thënë! Medet, medet!
Ky duhet të ketë qenë monologu i kurbanëzës që nga ajo ditë kur vajza i pati sjellë haberin se në ndajnatën e hënës së plotë ai do ta priste rrëzë Shkëmbit të Bletës për ta hipur mbi shalën e mushkës së kuqe. Ndërsa vajzës nuk i tha asgjë. Vetëm vari napën e zezë mbi fytyrë dhe diç mërmëriti me vete, një si lutje a bekim. Kur erdhi dita dhe ora, kur hëna e plotë e kishte bërë gati blicin e vet për ta shkrepur e për ta përjetësuar rrëmbimin, ajo e puthi lehtë të buijën. I vuri një dorë mbi kokë, si në ceremonitë pagane të bekimit, ngriti fytyrën nga dëshmitarja e vetme e asaj nate, nga hëna pesëmbëdhjetëshe, dhe foli: Ma nusëro çupën, moj e bekuara e qiellit, se unë, murga, s’e ndjek dot! M’ia ndriço rrugën nëpër gërxhe e shkrepa, m’ia ruaj bukurinë atje tek do të vejë, m’ia mbyll lehtë sytë kur të sosë nga kjo botë! Se unë, kurbanëza, s’do ta shoh më dritën time. Por do të dal çdo pesëmbëdhjetë ditë, kur ti të vish e plotë, do të dal tek Shkëmbi i Bletës dhe do të të pyes për gazin tim të shuar. Dhe ti do të më përgjigjesh, o e bekuara e qiellit!
. . . . .
Radiologu heshti. Ishte lodhur së medituari. Legjenda qenkej e rendë për t’u mbajtur nga një njeri i vetëm. Aq më tepër nga dikush që ende s’e kishte hedhur në letër tregimin e parë. Por tashmë ai e kishte shkruar atë në trurin e tij, ashtu turbull-turbull, si një konfiguracion fantazme. Ashtu lehtësisht të shprishshme, si kjo radiografi qiellore tepër tekanjoze.
Teksa mendonte kështu, madje disi i lehtësuar, sepse tashmë i kishte mbetur vetëm puna më e lehtë e shkrimtarit, ajo e tavolinës, ai befas ndjeu një zhurmë, një si uturimë të largët. Ngriti kokën lart dhe vuri re një dritë të kuqe që po e çante mespërmes radiografinë e stërmadhe sipër tij, ndërkohë që skeleti i mjegullt i qiellit ishte çarë mespërmes, sikur një heshtë e stërgjatë të përshkonte tej e tej legjendën.
Mos! Ç’bëni kështu, për pak sa nuk uluriti ai! Por gjithshka ishte e kotë. Shigjeta fatale, një avion i orëve të vona, e kishte shprishur magjinë. Dritëzat e tij të kuqe shëmbëllenin me pika gjaku. Duket se ishin pikat e gjakut të legjendës, ndërsa avioni i bëhej si një bacil në mushkëritë e qiellit. Ai vari kokën fare i këputur. Qëndroi disa çaste i palëvizur, pastaj diç iu kujtua dhe tha me zë: Mua këtu më ke! Sa herë që të bëhesh e plotë, moj e bekuara e qiellit, unë do të të pyes për legjendën time.
KODI I QYQES
( Akuarel për një roman )
Skena lejtmotiv
Një studio, diku në një vilë luksoze. Një plak i rrëgjuar mbi të shtatëdhjetat, fisnik që atje tej nga pamja. I ulur gërmuq mbi një poltronë vetëlëkundëse. Rreth trupit ( herë mbi njerin e herë mbi tjetrin sup) i gëzon liri të plotë qarkullimi një kavie e bardhë. Krejtësisht i dërrmuar, ai ia ka ngulur sytë një medaljeje rrezëlluese vetëm dy metra mbi tapetin e dyshemesë. Siç duket, po vetë e ka flakur disa çaste më parë. Në se do ta fokusonim dhe zmadhonim atë medalje, fare qartazi do të mund të dallonim portretin e njohur të Alfred Nobelit, shpikësit të barutit, gdhendur në bazoreliefin e artë. Pra, na qenkej Medalja e Artë e Titullit “NOBEL”, e flakur, s’di se pse, përbuzshëm e dëshpërueshëm në një cep të asaj studioje!
Protagonisti
Meqenëse nobelisti tashmë e quante veten pa identitet, ose me identitet të humbur apo të cunguar, le ta quajmë me të parin emër që na vjen ndër mend, për shembull: Herman Shnajder! Nga tingëllimi na del se duhet të jetë gjerman. Mos ndoshta edhe çifut? Apo, mbase, edhe shqiptar? Ani. E ç’rëndësi ka! Emri nuk është ADN e patjetërsuar. A s’themi shpesh se emri është kapistall? Dhe kuajve mund t’ua ndërrosh kapistallin sa herë të duash.
Guvernantja e nobelistit
Më ka ardhur në majë të hundës me tërë këta vandakë zarfesh nga të katër anët e botës! Nuk shkulen as ata dhjetra reporterë e kameramanë që presin pas kangjellave në rrugë. Presin kot më kot, se ai askujt s’ia var. Tërë ditën kyçur në dhomë, si heremit. Vetëm në se mbi zarfe unë dalloj ndonjë adresë befotrofi, vetëm atëherë duhet ta heq mënjanë atë katërkëndësh të bardhë mbushur me pulla e vula të shteteve nga më të çuditshmit dhe t’ia dërgoj atij në dhomën lart.
Eh, po! Vetëm një herë ka ndodhur dhe kjo para tre ditëve. Unë guxova dhe i dërgova lart një zarf ardhur nga Vatikani. Vetë Papa i Romës e ftonte në një konsultë atë, nobelistin që shpiku klonimin. Gjatë dy ditëve të mëpasme unë e ndjeja se si hapat e tij nëpër studio u bënë më të shpeshta dhe, më në fund, më dorëzoi atë dy gisht letër për t’ia postuar Vatikanit:
“ Faleminderit, por do të më falni që nuk mundem të vij dot! Nuk kam se si të vij! S’kam moral të vij, nuk më bëjnë këmbët të vij!”
Ishasistenti
Rrallë, gjithnjë e më rrallë vij ta shoh profesor Shnajderin. Për të po bëhet gjithçka dhe më e huaj dhe, nga ky rregull nuk bëj përjashtim as unë. As unë, ishasistenti i tij i më se njëzetë viteve në laborator.
“ Ti je Fëmija i Botës!”, i thanë në Stokholm, në ceremoninë e dhënies së “Nobel-it”. Ai u lumturua vërtetë. Do lindej fëmija i së ardhmes, i kontrolluar gjenetikisht. Supernjeriu. Mjaftonte një nishan në faqe, pak lëkurë, qoftë edhe një fije floku dhe shëmbëlltyra e dhuruesit do të kishte pasqyrimin e vet absolut tek bartësi. Jashtë rrugëve tradicionale, AND-ja do të shkonte e kontrolluar tek projekti që do të ngjizej në inkubator. Gjithçka do të ishte larg banaliteteve e vulgariteteve. Nënat s’do të detyroheshin t’u përgjigjeshin fëmijëve se i kishin nxjerrë nga sqetullat.
Gjithçka kishte qenë sterile në jetën e tyre, dyer të puthitura, membrama në formë dorezash, dizinfektantë gjithëfarësh dhe qelqe, veçanërisht një pafundësi formash qelqore që e bënin krejt të tejdukshëm laboratorin dikur rrezëllues, sot tërësisht i braktisur. Një përhumbje njëzetëvjeçare ku kufijtë e ditënatës ishin thjeshtë konvencionalë. Profesor Shnajderi donte të ishte Dikushi në këtë botë të madhe dhe jo një pikë ujë në të pafundmin det.
Guvernantja
Ma shpifi me atë mi të bardhë që i vërtitet nëpër trup. Ai ka klonuar edhe qen e mace, madje ka sajuar edhe një dele, por ja që me këtë kavie ka rënë në dashuri! … Ç’është e vërteta, mua më dhimbset. Ka mbetur fillikat, se donte të martohej me atë “Nobel” të flamosur!
Ishasistenti
Profesor Shnajderi sot është Shumëkushi dhe Gjithkushi në këtë botë. Identiteti i tij është i padiskutueshëm, jo vetëm në botën shkencore. Gjithnjë në presidiumet më të larta. Ekranet kanë për sigël fytyrën e tij. Kopertinat e revistave çelen me të. Por…, por ti po tjetërsohesh, profesor. Tashmë ti je tjetërsuar, madje. I ngopur me identitetin e madh, se ç’të ka shkrepur të kesh edhe atë të voglin, identitetin që kanë të gjithë vdekatarët në këtë botë. Të kesh një fëmijë! Të kesh atë identitet që e kanë të gjitha krijesat e tokës dhe që e lënë pa asnjë mundim dhe pa asnjë lloj merite tek pasardhësit e tyre.
Ti po fillon të rrjedhësh, Shnajder! Tani e ke kuptuar që s’mund t’i kesh të dyja bashkë?!
Nobelisti
Nuk më bëjnë këmbët të shkoj në Vatikan. Jo se u druhem polemikave të ashpra me ta, por sepse kam frikë. Kam frikë nga e vërteta e tyre. Në se ajo do të bëhej edhe e vërteta ime, atëhere ky do të ishte jo thjeshtë fundi, por shumë më tepër: Shkatërrimi im! Identiteti individual do të sfidonte atë global. ADN-ja ime, e patransmetuar tek pasardhësi im, më bën të ndjehem bosh, bosh dhe kot. Ç’paradoks. Tani që kam gjithçka, unë s’kam asgjë! Madje, herë-herë më duket sikur s’kam fare ADN.
Ç’bëhet kështu me mua? I kalova të shtatëdhjetat dhe jam një plak qyqar dhe i vetmuar në kërkim të vetvetes, të genit tim, të riprodhimit, qoftë ky dhe një riprodhim i klonuar. Vërtetë jam Identiteti i Botës, por shumë shpejt s’do të jem vetvetja. Pas vdekjes sime s’do të ketë asnjë Shnajder tjetër.
Më kujtohet një histori e largët, në shkollë, kur isha fëmijë. Fajin e kishte bërë Herman Shnajderi, por të tillë kishte dy në shkollën e tyre. Dhe nga kjo bela më nxorri im atë. Edhe pse i vdekur, emri i tij qëndronte stoik midis emrit e mbiemrit tim, si për të garantuar identitetin e të birit. Ndërkohë që dopioadashi, ai tjetri, kishte tjetër emër të ndërkallur në mes. Më kujtohet se atëherë shkova në kishë dhe u luta për shpirtin e babait që, edhe pse nuk ishte më në këtë botë, mrekullisht vazhdonte të mbetej mburoja e të birit.
Ishasistenti
I gjori, plak! Krijoi klonimin për të tjerët. Lukunira të tëra me lepuj, derra e bagëti do t’u shkojnë njerëzve nëpër tavolina me kosto të ulët, ndërsa për vete mbeti me gisht në gojë.
Skena lejtmotiv
Nobelisti u përkul dhe mori në dorë medaljen e flakur mbi parket. Ia nguli sytë bazoreliefit të artë dhe zuri të dialogonte me Alfred Nobelin. Ndërkohë, kavia pushbardhë i zbriti nga supi dhe iu fut në xhep. Ai kapi bastunin dhe me mundim u ngrit nga poltroni. U drejtua me hapa të ngadaltë tek tavolina e vogël dhe nga një sirtar nxorri një tejqyrë. Kavia doli nga xhepi dhe kërceu mbi suprinën e tavolinës, duke filluar të lozte me portretin e Nobelit të stamposur mbi medalje. Profesor Shnajderi vendosi mbi të dy objektet tejqyrën dhe filloi t’i kqyrte më nge.
Nobelisti
Bëra mirë që nuk shkova në Vatikan. Sigurisht që fjalën “sakrilegj” për shpikjen time do ta ndjeja kudo. Pas çdo përshëndetje të lehtë me kokë apo duarshtërngimi. Ajo fjalë do të ngrihej nga bazilikat e mëdha e do të stampohej në faqet e para të gazetave, nën okeliot: I penduari i madh, Kthimi i djalit plangprishës!… Dhe unë tani jam tepër plak për të rënë në kurthe të tillë. Më tepër se plak, jam i tejngopur për t’u marrë sërish me polemika të tilla. Në se vërtetë ndjej pendim, atë e ndjej për tjetër gjë. Unë pendohem për fatin tim dhe jo për atë të të tjerëve. Ajo çka do të kenë të tjerët që do të vijnë, s’mund të jetë tjetër veçse e bukur.
Këtë medalje të artë e ka marrë edhe ajo që do të bëhet shenjtore. Nënë Tereza. Përse nuk e ka quajtur sakrilegj Papa? Se simboli i humanizmit nuk mund të mbajë në qafë Alfred Nobelin, shpikësin e barutit, eksplozivit, parathënësin e bombës atomike. Por Nobeli nuk e shpiku për të shkatërruar, ashtu si dhe unë klonimin. Ja, po të kenë ruajtur një fije floku nga ty, Nobel, me ADN-në tënde do të mund të krijoja një Nobel të ri, i cili do të kalonte nëpër të gjitha fazat që kalon një krijesë njerëzore. Të të mos duket çudi dhe ty, o Papë! Më jep një mostër të ADN-së tënde dhe, edhe pas njëmijë vjetësh ti do të ringjallesh në një trup të ri. Trupi do të jetë i njëmendët po ai. Ndërsa për shpirtin, kjo nuk hyn në detyrat e mia. Me të merru ti, Papë! Arkimedi kërkoi një pikë mbështetjeje të lëvizte Tokën. Kjo ishte e pamundur dhe nuk u quajt sakrilegj. Unë ju kërkoj vetëm një qelizë ADN-je (çka është gjëja më e kollajtë në këtë botë) për t’ju ringjallur pambarimisht, kur t’ju teket juve. Dhe për këtë bëkam sakrilegj…?!
Megjithatë, sepse ndjej erën e barutit sa herë që shikoj fytyrën tënde të artë, Alfred! Dëshira e marrë për t’u vetëquajtur para gjithë botës me emrin tënd, nobelisti Shnajder, më ka lënë vetëm me këtë trashëgimtar të vogël pushbardhë, të quajtur Kavie. Është klonimi im i parë, vepra e parë, pastaj erdhën të tjerat me radhë. Më pas do të vini edhe ju, njerëzit. Por unë, çuditërisht, nuk ndjehem i lumtur. Më duket sikur baruti i fytyrës tënde të artë, Alfred, më depërton deri në thellësi të qenies sime, si një eksplodim dhe po ma shkatërron ADN-në.
Mos është mallkim ky?! Unë, xhongleri i ADN-së, që mund të luaj me të si të dua, vetë të mbetem pa sekretin e jetës?!…
Guvernantja
Më dhimbset, ç’është e vërteta. U bënë tre vjet që bredh nëpër befotrofet e botës dhe ende s’po e gjen një fëmijë. Ja, kështu gërmuq siç është katandisur, me atë miuc të bardhë në xhep, troket “tak-tak” me bastun nëpër dyert e befotrofeve. Kërkon një fëmijë që t’i ngjajë atij. Që të jetë pasqyra e tij. U nxjerr fotografinë e vet kur ishte foshnjë dhe u thotë: “Mos keni një të tillë, tamam të tillë?” Ata të befotrofeve e marrin për të lojtur, por kur mësojnë se është nobelisti Shnajder, e futin brenda dhe i thonë të kontrollojë vetë. Por ka dhe nga ata që nuk ia përtojnë: “Aaaa…, nobelisti Shnajder?! Bëj shurrën në një epruvetë dhe krijo një batalion me shnajderë të vegjël!”
Këtë vitin e fundit e kanë lënë fare forcat. Më tepër përdor internetin. Rri në ekran për orë të tëra pa lëvizur dhe sheh lloj-lloj foshnjash që i dërgojnë befotrofet nga më se dyzet vende të botës. Por asnjë s’i hyn në sy. Pasqyrën e vetevetes s’e sheh kurrkund. I është thyer e bërë thërrime. Vetëm Pasqyra e shtrigës mund t’i bëjë derman. Por ai është nobelist…
Ishasistenti
Sa intriga do të ketë bota me klonimin! Që tani telenovelat po mbushen me intriga klonesh. Do të kthehemi në shoqëri intrigash. Dhe ai do të jetë i klonuari i madh. Por atë e ka lënë mendja. Bredh tërë botën për pak identitet klasik, jo për atë modernin, për identitetin e së ardhmes, klonin.
Ka luajtur edhe golf. Madje, ka qenë golfist i mirë. Të isha unë në vend të tij, nuk do ta zgjasja shumë. Është si në fushën e golfit. Topin e ADN-së do ta merrja me dorë e do ta futja në cilëndo vrimë që do të më donte qejfi, e jo të stërmundohesha në tërë atë fushë të pamatë, ku probaliteti për të qëlluar me gjuajtjen e parë njëqind metra larg, është vetëm teorik. Por jo, si golfist i rrjedhur që është, ai kërkon pikërisht këtë të fundit. Duke u bërë gazi i botës. Dhe nuk është çudi që, sikur të mund të rizgjidhte sot midis “Nobelit” dhe mundësisë për të patur një fëmijë tërësisht të tijin, ai do të zgjidhte këtë të dytën. I çmenduri!
Nobelisti
Qyqa. Vezët e qyqes…
Ku e kam dëgjuar këtë emër zogu?…
Kaq u desh dhe unë e anullova vendimin për të birësuar atë foshnje të atij qyteti malor. Kjo më ka ndodhur disa herë. Në momentin e fundit, para se të nënshkruaja aktbirësimin, dora më ngrinte dhe gishtërinjtë harronin ta riprodhonin instiktivisht atë zhgarravinë që quhet firmë. Unë i besoja instiktit dhe tërhiqesha. Instikti më paralajmëronte për papajtueshmëri, siç është papajtueshmëria e grupeve të gjakut. Në këtë rast transfuzioni do të ishte fatal!
Krejt tjetër ishte arësyeja e tërheqes në momentin e fundit në atë befotrof malor të atij qyteti të largët ballkanik. Mallkimi, apo më saktë, paralajmërimi i asaj gruaje plakë, se ç’kishte diçka prej parashikimeve të mëdha e të famëshme të botës. Diçka si zbërthim kodesh, si Kodi i Da Vinçit.
Kodin e Qyqes e zbërtheva më vonë. Nuk ish mundim përkthimi nga fjalori spjegues i atij vendi. Sfilitëse ishte njëmendësia për të përthithur tërë ato shprehje të ngrira që nga motmoti.
Unë jam një qyqe, një qyq! Kam mbetur tërë jetën qyqar, se vezët e mia i lëshova në furrikun e shkencës, në çerdhet e të tjerëve dhe jo në timen, të krijoja familjen time. Kështu bëka dhe ky zog vetmitar. Ai s’ka fole, por i lëshon vezët në furriqet e zogjve të tjerë. Si vezët e qyqes. Pastaj vezët çelin në folenë e korbit dhe korbi befasohet me zogthin e madh që e ndjen se s’është i barkut të tij. Dhe e hedh nga foleja. Për papajtueshmëri. Dhe vëzhguesi ballkanik tha: Si zogjtë e korbit!
Tani jam Askushi! Pa identitet. Në se doni të dini për mua, hapni Kodin e Qyqes të atij vendi të largët ballkanik. Ku kuu…, ku!
TREGUESI I LENDES
Intervistë me veten
Vetëthënie…………………………………………..
Vdekja e bletës………………………………………
Amshim……………………………………………..
Promovim……………………………………………
Hakmarrja e tmerrshme……………………………..
Passtina elektorale…………………………………..
Edhe engjëjt simulojnë………………………………
Bythëlëvizuri………………………………………..
Në djepin e legjendës……………………………….
Një udhëtim me “ Mendjen”………………………..
Ngushëllimi…………………………………………
Mirëzeza…………………………………………….
Triptik për etjen……………………………………..
Hotel me pesë yje……………………………………
Mutanti………………………………………………
Ferrparajsa…………………………………………..
Shtypje………………………………………………
Ora biologjike……………………………………….
Ankth………………………………………………..
Paralele kozmike……………………………………
Një virus kataklizmik……………………………….
Sherr në Parlament………………………………….
Bustin e rreh era…………………………………….
Piramidë pa mumje…………………………………
Në gjunjë para një luleshtrydheje…………………..
Genomania…………………………………………..
Elegji pa zë…………………………………………..
Lufta dhe paqja………………………………………
Një kafe me bisht…………………………………….
Motiv dimri në plazh…………………………………
Nastradinët……………………………………………
Dialog me vdekjen……………………………………
Ku janë heronjtë?…………………………………….
Druuu… me pre!……………………………………..
Mustaqet………………………………………………
Një “Nobel” për kaviet……………………………….
Qytetari i BE-së………………………………………
Zhgualli i legjendës…………………………………..
Kodi i Qyqes………………………………………….
Treguesi i lëndës……………………………………..
CITIME NË PASKOPERTINË
“… Në këtë libër bashkohen sarkazma, ironia, lirizmi dhe patosi në një tërësi të vetme, brenda së cilës lëviz fjala poetike, duke krijuar një variacion tingujsh dhe ngjyrash në harmoni me njëra-tjetrën edhe pse ndonjëherë duken si të kundërta mes tyre. Kjo tërësi poetike, domethënë, sarkazma, ironia, lirizmi dhe patosi, përshkohet tejpërtej nga fryma qytetare që shpreh shqetësimin e poetit për njeriun dhe telashet njerëzore në këtë shoqëri të trazuar, ku mbi jetën përplasen valë të ashpra, të ftohta dhe shpesh të pamëshirshme, duke bërë të lëkunden dhe të ndryshojnë karakteret e individëve, të lindin vese të reja ose të ringjallen të vjetrat, të mbuluara me një cipë bashkëkohore…”
( Dritëro Agolli: Nga parathënia në librin “Sfidë”)
“… Dhe pikërisht atëherë i lindi ideja më e pakundërshtueshme. Nuk e zgjati më, por me të në dorë, si në një ceremoni përshpirtjeje intime, ai u drejtua nga trëndafili më i madh i oborrit të tij. Ishte një trëndafil i bukur, i bardhë. Me kujdes ia hapi fletët e dendura dhe në thellësi të tyre vendosi bletëzën e kadifenjtë.
( Fragment nga “Dhe engjëjt simulojnë…!”)
“… Ai shkundi lehtë kokën, si për ta larguar këtë pamje makabre. Por Piramida ishte aty, ndanë Bulevardit të Madh. Veçse pa Keops brenda. Piramidë pa mumje! Cili e përmendi i pari këtë fjalë, mendoi ai. Sigurisht, ndonjë ithtar i Diktatorit. Ose servil i tij. Mbase edhe vetë Diktatori, por duke ruajtur me çdo kusht alibinë. Madje, duke e kritikuar rreptë atë! Gjithësesi, ashti i përfoljes mbetej i pandryshuar. Për të nuk mund të kishte vdekje. Dhe, që të mos kishte vdekje, hapi i parë duhej të ishte ngrehina me emrin Piramidë. Modeli ishte i gatshëm nga faraonët e shkretëtirës. Skllevërit, po ashtu, nuk mungonin…”
( Fragment nga përsiatja “Piramidë pa mumje”)

Requiem
15/05/2012 by admin.
Nga Seit Seitaj
Ku flene kambanat tona te fillimit
prej tunxhi,prej bronxi,
prej shpirti.
Ku i groposen kambanat tona
ju prene gjuhen
dhe i shpune larg
i permbyten,i shkrine
dhe lengun e tyre
e derdhen ne forma mohimi….
Ku jane kembanat tona
qe kumbonin gezushem
apo ofshanin plot dhimbje
tundur nga gishtat e mpire
kambanat heshtnin
nisnin zemrat
Lutjet e fillimit…
Toka jone e nginjur Ding donge
qe zgjuanin erresires
apo ninulle per femijet
dhe ne i degjonim.Vetem ne i degjonim
dhe puthnim kryqet fshehur Atyre.
Poezia Bionde
Lulet,Limona,frutat.
Molekula drite qe nanurisin Perendimit tone
te perflakur,
Perenduam duke u tretur dhe dallget bionde
ne mbremjen e korrur
neper kallinjte e maleve,flokeve te kodrave
njollosur.
Frutat,Limona,buzet!
zbutet era ne fllad,,Stuhite stepen,
detet,
vagullima e nje gjemimi te thelle eshtrash
ne etje.
Cirka lulesh qe rendin qiejsh
si pershperima shpirterash te uritur,
Ardhja jote eshte nje plotesim.
Ti tjerr nje pambuk drite
neper lekure ,
nga poret llamburijne civitje
dhe gjurmeve te tua germa lumi
pupla vallesh te gezushme shkoqen
si yje…
Naive yje ne pervelim…
Njerzit e ardhshem….
Ata po vijne
prej nesh.
Jane zgjuar papritur neper elektricitetin
e nervave tona .
Ata segmentesh,hirit te ndjenjave tona
kerkojne te memezojne me buzet e dridhura
neper gishtat tane te mpiksur perditshmeri,
Prej shkulmeve tona permbysen
rrotullohen si vemje te etura
neper aritmi.
Ata njerzit e neserm
zhgarravisin mbi muret e mishit tone
pa forme
shqisin fleta historie i bejne balona
na brejne kanotjeret, si mola
dhe dine te gjitha vallet qe ne mendojme
te gjitha ninullat ata
i thone.
Neser ata do te agojne.
Ne ne perendim….
Therrime drite te shperndara nje deti
te pluguar
do te biem ne erresire…
Reliev poshte flatrash
Ishin fushat
pjeset e pjellshme qe ata lakmuan .
Fusha e Kosoves
e Troviollit.
e Beratit,
e Devollit,Dropullit(me demat qe mbyten ne gjak)
E Vajkalit, e Delvines me nje sy te kalter.
Ata dyndeshin mizeri
e ne zume grykat:
e Kaçanikut.Kuçit.Mezhgoranit,
Dugagjinit,Mirdites,Mecoves,Artes e Korabit,
e Cernaleves e Paramithise….
Kafshoni armikun o grykat e Shqiperise.
.
Nisen vallet shkembinjve
permbi Sul.Sopot,e Diber
ato shkembinjte sofer fluturimi
ne fillim marresi.kthyesi,
mbajtesit njeri mbas tjetrit me n jeren kembe
ne ajer
dhe mbyllesi
ai trup perdhredhes plot lojra me nje shami
te kuqe
ata rane,e ate cohe te vjeter brezash
e veshi shqiponja
qe te mos e shqyenin….
E nisim nga e para?
Hije,hije hardhish permbi pershperimat
lutje te koduara,lutje te çartura te çastit,
lutje per te belbezuar.
Mjegull permbi direket e nje njeriu
puhize permbi gishtat e lulezuar,
pluhur neper kembet e zbathura
eshtrave te rruges
se gabuar.
Hije,lutje,mjergull,puhize,pluhur…
Nje grusht uje,
dy grushte te bere kupe
per te njomezuar dy buze
plasaritjet e pritjes,brazdat e dallgeve te stolisura
drite…
Mos ik…!
Vagullimat pllatiten,dhe luginat
bekojne me shushurimat
e lumit,
kjo ere,kjo ere e marre qe merr
dhe bije lajthitje…
Shfleton gjethet e nje libri angullimash
shkopsit nje kemishe lajmerimi…
Por serish une si nje pjergull
zvarritem lastaresh neper strehe
neper dege te prera dhimbjesh,brire dreresh
neper shkronjat e nje fjale te re.
Mos …
Mos ik!
Mos me ler ne ameben
e perpelitjes sime!
Kur jam vetem,humbas si nje tingull….
Kur jam vetm belbezoj,
dhe dridhem perpara shiut si nje trisht
i vogel
si nje loder e sterperdorur…
Binare,sirena,kenge bulkthesh,lutje haloresh,
rreshire ninullash,
dallge…
E nisim nga e para?
Nga e para Fjale?
Shamite
Fle nen gji
si nje horizont i zhubravitur,
qerpik i nginjur me shi, qerpik
prej gjilpere te imet,hidherake…
U lodhe shami!
Se tunduri ne ikje,se laguri,
prej plages ,monofonise se cirkave,
isos se yjeve,korit te luleve…
Luleve te vaditura
udheve.
U vjeterove shami
su mbarove kur u dogje
U dogjen keshtjellat e shenjta,monumentet qe urinonin
gjak
U dogjen kallijte e endrrave pa u korrur nen kengen kercellitjes
se kashtes…
Ti mbete pakez….E pa perflakur
me nje ere shkrumbi,qumeshti gjiri..
me nje paranoje hiri.
Beqaria jote prej guri
bebezat e syve qendistare
mollezat e gishtave te tyre perkedhelin
nje nate te gjate.
Kur te shtrydhen gjithe qiejt,ti
mund te flasesh
vaditur prej nje afshi zemre,
nje emer ,nje shkronje,nje fill i vetem pangjyre
nje fill qe fillon fillimin e engjellise.
Keshtu
Me ngele ti,Atdheu im…
nje shami e vajzave te tua ,dhurim
qer tundet ne lamtumire….
Shira te larget
Lajmetare te pa mbrritur ju shira te larget.
Hiri i mornicave qe dritheron
elektriciteti i te heshturve,gjiri i thithur
i thithur,i pa mbushur rishtas…
Shira te larget,hordhi Ballabani
qe vdisni ne tuajin terbim.
Flakerojne mbytur vetetima
si brinje djalli qe flaken ne horizont
kryqezojne endrra,tregojne burime
djegin kemisha heronjsh.
Shira te larget, vaje te larget
pajtim i syve te njome.
Atje nis nje mbreteri
kaotike,shperthyese,qe lan mizorite
me klithmat e saj ,ankth i varreve
pika te medha qe perplasen tokes
si fareza bari ne epsh mbirjeje…
Ata vdiqen andej.
Shira te larget….
Me afer liqenesh,me afer
lumenjsh,luget e gureve ,thinjat e valeve
vrapojne me dreret…
Perralle per femijet e ngujuar
Eshte seç na eshte,femije…
Nje ishull i larget…I largettt
nje lundron fshehur neteve
drejt nesh.
Me nje mjegull te lehte e te bardhe
(fryme mengjezi jo tym pushke)
Atje shkon vetem ne enderr
me nje barke prej lulesh
dhe pende pellumbash,
Atje nuk ka
kokrritje korbash mbi kufoma,as kuje
grash,
baballaret dalin prej rrasave te gurta
pa shenjat e plumbave te gjakesit.
atje krismat kthehen ne cicerima
me deshiren e femijeve
dhe gjen plot moshatere per te lozur
si neper faqet e librave.
Atje s’ka shenja gjaku neper rruge
se i pi çdo mbremje perendimi
dhe per çdo borxh te vjeter te gjakesit
vetevritet permbi det,dielli….
Vitet ikin…
Asgje s’kam kthyer akoma.
…E vitet ikin.
Pi akoma qumesht gjiri
si qingji i Kurbanit.
Ikin vitet,
si lejleke te vetmiuar,
humbin perfund horizontesh
me sqepet ne mjegiull…
U fiken ata
qe prisnin nga une,
tunden koken me zhgenjim te plakur,
disa u shtrine per toke
(Pa mbyllur syte)
e une permes hijesh luhatem.
Nuk ju ktheva asgje
perfundimisht,
ata heshtin,e nuk ma kujtojne,
me lene ne lojen time prej femije
e qortimet
i shthurin monologeve…
…
Qeras me yje
pijetoreve te botes
si pronar qiejsh plot krenari,
kur fiken yjet,keputem i lodhur,
bej te ligjeroj
e vetem mermerij…
Nje mangesi e madhe
kjo jeta ime.
qe nga ninullat
e gjer tek elegjite….
Perpelitje korriku
Ti ndryshon drite,
vajmerine,
Bie permbi hutimin tim
si nje kove pervjedhur çikrikut
pareteve te pusit duke rrapellire…
Ti,ndryshon tingull
çukit therrimet e shkoqura
te jehonave,
nje dite do te lindesh serish,
do te lulerosh
qe une te marr serish kuptim.
Darka ime si nje pasqyre e
thyer,
kafja e pa aresyeshme e mesnates,
qerpiku,nje qyramidhe e thyer
nga zgjatjet pertej pragut.
Perngjan,nuk njihesh
e huaj plot mister,yllezim
imaterjes tende te vjeter
neper krilat e mardhura,hingellin…
Ti ndryshon…Ndryshon
si ditet
duke ndryshuar te pandryshushmin
syrin tim.
…
Endet nje kukuvajke drite
sé çares se mjegulles.
Loje e fjongos se mallit tim
neper floket e tu te verdhe.
Gishtat e mij te kripur
tastierave te loteve te tu.
Qe vijne prej askund
e do te nisen per diku…
Deti Mesdhe
Ulliri shtrire
brigjeve:
Mesdhe.
Rrethvalle e popujve
te zeshket.
Valle ritem menduar
Mengadale…..E shtruar…
Lundrimet e kalterta.
lundrimet e gjelberta.
Bijte,blugjelber…
Syrit
te tend prej Homeri te verber.
Gjij te hapur
qe presin,
gjij te fshehte
qe lusin
mes shkembinjsh te shkruar dhimbjesh
si nje zemer,
guaska pritjesh te heshtura.
Barkat
barkut.
Shpirterat…Pragut.
…
Erera
te ngroheta dashurish
flijim
shfryjne mbi ty,
Juga,nje bri qe kumbon.
Jugut….pasthirrmat e tij.
Miti jone,miti i vjeter,
nje guaske gelqeroresh
e shpuar,brime
per te qepur neteve
me fillin e eres.
Ti ,nje pike vaji,nje det
lot…
Nje sumbull e vogel
qe mesit te botes rreshqet
si faqes
se grave qe presin.
Deti Mesdhe,
peng i barkave te vdekura,
mbuluar me nje cohe
vele,
mjegull e rrefenjave te reja…
Per ne zemer…
…Thika per ne zemer
do kater gishta…
Nje jete te tere
kerkon dashuria…
Dhe ka qe zemren se prekin.
Perpiqen…
por mes brinjeve ngelin,
…Dimreve te eger
kujtohen e therin…
Goda mjegulle
Dil nga mjegulla,
nxirre mjegullen nga mushkerite,
neper orbitat e gjunjeve,galaksite..
lumenj te bindur
qe u pergjerohen kurbave te urave.
Thithe mjegullen…!
Duke vjele fruta
e dhuruar gjinj
pemeve te shkretuara…
Duke vizatuar zogj degeve
te percelluara,
duke mjellur cicerima
nga shkurti ne shkurt.
Sa shkurt
te ikesh ne shkurt!
Nen avull dhimbjesh fundimri
dhe endrrash te lodhura artotrozave,
fjolla e kalçiumit
te rrenjeve
rifillim i rrenojave.
Dil nga mjegulla,
koha e lodrave…
Mjegullen e torra
me furken dore..
Seit Seitaj ka lindur ne Gjorm te Vlores 1961-07-28. Ka kryer Gjimnazin “Halim Xhelo” Vlorë. Jeton në Savona të Italisë. Pasi lexova poezitë e para të tij u befasova nga stili, tematika dhe ideja. Besoj se do të mbeteni të kënaqur me këtë cikël të bukur poezish. Ju uroj lexim të këndshëm.
Posted in Blogroll | No Comments »
ÇAMËRÍA zhduket nga harta e greqisë, kurse né … qetë, qetë !
15/05/2012 by admin.
(Një leksion që na u dha rreth diplomacisë, nacionalizmës dhe populizmit).
Shkruar nga : Mërgim Korça
E kisha të madhe shpresën që reagimi si edhe sugjerimet rreth trajtimit të cakut gjuhësor ÇAMËRI-a, si njësi gjeografike e zhdukur nga lista toponimike greke, do të arrinin t’a sensibilizonin opinionin e drejtuesve të politikës së jashtme shqiptare lidhur me rishikimin e pozicionimeve si edhe natyrshëm edhe deklaratave të tyre në vazhdim. Mirëpo me keqardhje replika e tyre ishte larg, shumë larg asaj që pritej. Ky qëndrim është në sinkroní të plotë me atmosferën e frikës çnjerëzore që kishte ngjallur partia edhe diktatori kur ndokush binte në çfarëdo gabimi sepse, t’a pranoje gabimin përbënte faj dhe faji … DËNOHEJ ! Pra, duke qen’i vetmi shpëtim mospranimi i gabimit dhe, nisur nga kjo mendësí e cila vazhdoka dhe qenka dominante te kjo kategori drejtuesish, arrijmë në përfundimin se për ta në radhë të parë dhe themelore është të mos pranohet asnjë farë gabimi e në vazhdim, mbase merret në konsideratë si çështje dalja zot territorit të ÇAMËRISË.
Mbështetjen ndaj qëndrimit tonë e gjejmë nga një mëndje universale si ajo e mendimtarit edhe filozofit përmasash botërore Confuc-it, i cili ka pohuar për historinë :
- Studjojeni të kaluarën po deshët t’a parashikoni të ardhmen !
I prirur nga ky pohim kaq i goditur i këtij mjeshtri mendimtar, dhe me shpresën që për të kaluarën historike jo fort të largët, dokumentat rreth së cilës mund të qëmtohen, studjohen edhe së fundi të nxirren edhe përfundime të mirëfillta nga drejtuesit e diplomacisë shqiptare, do t’ia hyj të shkruaj edhe një herë, mbështetur në informacionin që disponoj, t’i bëj një paraqitje fluturimthi, (për aq sa na e lejojnë kufijt’e një shkrimi të kësaj natyre), historisë së ÇAMËRISË. Doemos dritëhedhja historike si mbrapavështrim mbase e nxit sadopak që edhe pozicionimi zyrtar, lidhur me të ardhmen, të jetë më objektiv, i themeltë dhe funksjonal në drejtim të mbrojtjes së interesave kombëtare e pa u mjegulluar nga ëndërra e B.E.- së. Ësht’e vërtetë se vetë koncepti B.E. gjen shtrat të ngrohtë ndër elementë që janë mëkuar me iden’e internacionalizmit proletar ku do të çonte zbatimi i ëndrrës vënjes në jetë të shoqërisë komuniste integrale. Mirëpo që kjo ëndërr ishte e parealizueshme e provoi praktika botërore e të gjitha vëndeve ku, me dhunë të skajëshme e nëpërmjet krimesh të pashëmbullt, u tentua fillimisht të zbatohej e pastaj edhe të konsolidohej ai sistem gjakatar i ëndrrës komuniste. Prandaj pa hyr’edhe u çpërqëndruar në diskutimin rreth funksjonalitetit një Bashkimi Europian potencial, ku praktika në zbatim sa vjen edhe po nxjerr probleme nga më të ndryshëmit, e duke marrë shkas nga replika që m’u drejtua konkretisht lidhur me këndvështrimin tim rreth politikës jashtëme që ndjek udhëheqja e atij Dikasteri dhe konkretisht zv/kryeministri si edhe ministri i Punëve të Jashtëme z.Edmond Haxhinasto përqëndruar ndaj çështjeve kosovare si edhe çame, para se t’u referohem fakteve historike rreth Çamërisë, e ndjej të nevojëshme t’ia sjell lexuesit shkurtimisht qëndrimin tim ndaj asaj replike të lartpërmendur e pastaj analiza historike e fakteve bëhet edhe më ndriçuese lidhur me pozicionimet që mendohet se duhen mbajtur në të ardhmen.
Replika ndaj shkrimit tim, lidhur me problemin e mos egzistencës cakut gjuhësor të përveçëm ÇAMËRIA si pjesë përbërëse e listës toponimike territoriale greke, shkruar nga e nderuara z-ja/z-sha Sara Golemi, (specialiste e fushës së diplomacísë si edhe marrëdhënjeve ndërkombëtare - e cila na jep një leksion rreth caqeve gjuhësore “diplomací, nacionalizëm si edhe populizëm), më fton t’a sqaroj lexuesin e ndershëm dhe të paanshëm, lidhur me disa momente kyçe të problemit. Un’e kam kritikuar dy herë pozicionimin e ministrit tonë të Punëve të Jashtme, z.Edmond Haxhinasto, si lidhur me pikëpamje të çfaqura prej tij për Kosovën e gjithashtu edhe lidhur me Çamërinë. (Secili i interesuar mund t’i lexojë analizat, veç burimesh të tjera, edhe në adresën elektronike : www.aafhsite.com).
Lidhur me çështjen kosovare kryediplomati shqiptar qé shprehur si vijon :
- “ Bashkimi kombëtar i popullit shqiptar, apo lëvizja e kufijve, ësht’e dëmshme si idé për shqiptarët dhe si veprim për rajonin.”
Sa i takon territorit të Çamërisë, i zhdukur ky nga lista toponimike greke, kryediplomati ynë shprehet :
- “ Kjo listë themi që tashmë ka marrë edhe fuqí ligjore, pasi ka mbi dhjetë vite që është paraqitur në Kombet e Bashkuara dhe fjala Çamërí nuk ekziston … ky është një detyrim që ne ta trajtojmë këtë çështje dhe do ta trajtojmë në rrugë dypalëshe me palën greke, sigurisht duke treguar fleksibilitetin përkatës.”
E ndjej për detyrë t’ia pohoj lexuesit se në asnjë mënyrë nuk prirem të ulem e të replikoj me shkrimin e lartpërmëndur veç për hir të tjerrjes bisedës. Jo, në asnjë mënyrë ! Pikësynimi im ishte dhe vazhdon të jetë të mos sillemi si të nënështruar ndaj intrigave, makinacioneve si edhe krahmarrjeve djallëzore që përdoren nga politikanët grekë të cilët, si përgjatë diktaturës komuniste edhe në vazhdim, kanë fituar vazhdimisht e kurdoherë terren ndaj Shqipërisë. Kjo e gjitha ! Mirëpo kur ndaj këndvështrimit si edhe sugjerimeve nga më të sinqertat, si përgjigje vjen një replikë, e cila në themelin e saj ka vetëm mëndjemadhësín’e mirëfilltë, para se të japim një mbrapavështrim historik rreth ÇAMËRISË si edhe problemeve të lidhura me të, (prej të cilit mendoj se sinqerisht duhet të nxirren përfundime të ndërsjella), e përditësojmë fluturimthi lexuesin me problemin.
Replika fillon me një pohim nga lart poshtë duke u shprehur : “… Politika e jashtme apo puna e diplomatëve është gjëja e fundit që mund t’a gjykojë publiku …”. Dakord. Ky mendimi i specialistes e cila e hartoi replikën, (në mos edhe i kolegëve q’e hartuan bashkarisht). E me që si shëmbull për né si publik sillet shprehja e përgjithëshme diplomatike : ”Sa qen i mire, derisa te gjesh nje gur ose nje shkop”, të cilën ne doemos nuk e kuptojmë, po i referohemi dy personaliteteve botërore dhe maksimave të tyre rreth diplomacisë si edhe gjuhës së saj. Honoré de Balzac ka lënë aforizmën e famëshme : “Diplomacía është shkenca e atyre që nuk e njohin një të tillë por, janë të thellë në boshllëkun e tyre”. Personalisht un’e vlerësoj si, deri në një farë mase, pohim shumë të egër. Mirëpo kur i referohemi një mjeshtri të paskrupullt të diplomacisë, por mjeshtër amá, diplomatit tamam djallëzor Talleyrand, ku njëra nga aforizmat e tija, e cila vlerësohet si më e goditura rreth dipomacisë, pohon : “Ka qenë më keq se sa një krim, ka qenë një gabim “. Pra, kur diplomacía e quan GABIM, ne publiku i painformuar, ç’duhet të nënkuptojmë, Krimin ?
Në vazhdim të replikës, sa i takon problemit të bashkimit të Shqipërisë me Kosovën, lexojmë : “Qëndrimi zyrtar është dhe ka qenë ky : “Bashkimi do të arrihet në B.E. kur të gjithë popujt e Ballkanit të jenë anëtarë në Bashkimin Europian … Të njejtin qëndrim ka pasur kurdoherë politika shqiptare e majtë apo e djathtë kur ka qeverisur. Një qëndrim ky jashtëzakonisht i vlerësuar nga ndërkombëtarët për rolin paqësor të Shqipërise në rajon. Çfarë qëndrimi do të donin kokat e nxehta nacionaliste të Shqiperise … Një shpallje lufte ? … Këtë asnjë nga pseudopatriotët shqiptarë nuk do ta dëshironte.”
Sa u takon vlerësimeve të ndërkombëtarëve unë personalisht, i mbështetur në leksionin që na jepet nga autorja kompetente e replikës ku në radhën e pestë dhe të gjashtë shprehet : “ Te gjitha shtetet luftojne te japin 1 e te marrin 10 ne kembim, thjeshte vazhdojne te bejne “lufte”, por ne menyren me te sjelleshme te mundeshme”, nuk kam se si t’a marr si vlerësim absolut sepse bije diametralisht ndesh me sa ka thën’e pohuar në krye. Pra një kundrathënje flagrante në mes leksionit teorik si edhe zbatimit në praktikë të tij. Pra moskoherencë arsyetimi. Nejse, vazhdojmë.
Siç shquhet dukshëm, replika e ka një herë me “kokat e nxehta nacionaliste” dhe në vazhdim edhe me ata që i quan “pseudopatriotë”. Dakord, i analizojmë të dyja këto kategorí cilësore. Që të dyja këto kategorí, përgjatë periudhës diktaturës komuniste, kanë qenë objekt i asaj së mallkuare LUFTË KLLASASH, apo e kemi gabim? Jo, aspak, sepse kjo pikëpamje ka qen’edhe vazhdon ndaj asaj kategorie popullate që asokohe akuzohej si nacionaliste ose pjestarë familjesh nacionaliste e të dekllasuara ! Po ata që i a japin këtë të drejtë vetes sot t’i kategorizojnë ata si të tillë, në ç’ujëra kanë pasë notuar asokohe dhe tashti, ku plluckojnë ? Këta n’atë kohë ose kanë qenë në vetë të parë zbatues të politikës së partisë ose janë, bazuar në moshën e tyre në vazhdim, pinjojt’e tyre ! Edhe kjo pak por e sigurtë. Asokohe, kur kokat e sotme të nxehta nacionaliste quheshin të dekllasuar, ata ishin të mëkuar nga familjet e tyre me dashurinë nacionaliste për Kosovën, Plavën, Gucinë si edhe Çamërinë, që i konsideronin pjes’e pandáshme e Atdheut të tyre! Kurse kategoría e cila sot jep direktivat, asokohe ose ishin zbatues të direktivave si edhe mësimeve të partisë lidhur me internacionalizmin proletar, ose i mëkonin pinjojt’e tyre me ato ndjenja. Kurse sot, si pa gjë të keqe shprehen pikërisht që në krye të “replikës” : “… Jo të gjithë mund t’a kuptojnë se çfarë bluhet në kanalet diplomatike dhe si janë të detyruar të sillen … Të mëson puna dhe bëhesh më patriot se patriotët ! Pra kategoria e ish internacionalistëve proletarë, nga të tillë dhe me një gjykim rreth vetes, na u bëkan nacionalistë sot, pra të barabartë me ata që partia e tyre i pushkatoi si … NACIONALISTË të mot’e jetës !(?) Pra sipas kësaj logjike, me një të rënë sfungjeri mbi dërrasën e zezë, e gjithë veprimtaría patriotike luftarake për themelimin e Shtetit Shqiptar, së bashku me punën këmbëngulëse në organizimin e mbledhjes e cila ngriti flamurin e pavarësisë si edhe sanksjonoi ligjërisht shpalljen e pavarësisë, hidhen poshtë, quhet i mirëqenë dënimi i tyre nga gjyqet e diktaturës, përbaltet emri nacionalist duke e barazuar me tradhëtar dhe … papritmas, pikërisht dënuesit e asaj kategorie, me që na u merrkan me diplomací, u bëkan tashti NACIONALISTË TË MIRËFILLTË, në kundërshtim me tradhëtarët e dënuar përparandej ! (???) Logjikë quhet kjo ? Jo, të më falë lexuesi, po e mësova nga replika : kjo na qenka GJUHA DIPLOMATIKE ! Tashti e kuptova !
Në vazhdim, përgjatë replikës, bëhet dhe një pohim i cili nuk më lejon t’i shmangem marrjes me të. Po e riprodhoj integralisht pohimin në thonjëza, (nënvizimet janë të mijtë) : “Së fundi shpërtheu në “media” një deklaratë e ministrit tonë të Jashtëm e cila në dijeninë time u keq’interpretua. Duke qënë se i kam studjuar prej kohësh marrëdhënjet tona me Greqinë, do të doja t’a ndaja këtë çështje me të gjithë ata që nuk kanë informacion dhe qëllimisht e fryjnë problemin. Bëhet fjalë për çështjen e toponimeve greke të cilat Greqia kërkon të shkruhen siç njihen ato sot në Greqi. Çështja ësht’e tillë : Në disa pasaporta shqiptare shkruhet p.sh. vënd-lindja Filat, Çamëri dhe jo Filat, Greqi (siç kërkon Greqia) …”. Jo, e nderuara, ose të nderuarit replikues. Ndërthurja e çështjes toponimike greke me problemin se si shkruhen “pasaportat”, është jo vetëm një anashkalim i problemit por edhe një mjegullim i qëllimshëm i vetë çështjes. E për t’a mjegulluar edhe më tej problemin, trajtohet me stërhollime edhe se si na e paskan sheshuar Greqia me Turqinë çështjen e listës toponimike shtoji këtu edhe pohimin autentik të replikueses që shton se : “Ky ishte thelbi i çështjes në fjalë që u fry qëllimisht nga nacionalistët, populistët dhe ata që kanë mungesë informacioni”. Jo, i nderuar lexues i këtyre radhëve. Problemi me të cilin ballafaqohemi është pikërisht pohimi se si qenka keq’interpretuar deklarata e ministrit të Jashtëm z.Edmond Haxhinasto. Për t’a rifreskuar kujtesën e sjellim edhe një herë parasysh pjesën e deklaratës ministrit e cila nuk është keq’interpretuar, përkundrazi. Ministri i Punëve të Jashtme z.Edmond Haxhinasto ka deklaruar shprehimisht :
“ Kjo listë themi që tashmë ka marrë edhe fuqí ligjore, pasi ka mbi dhjetë vite që është paraqitur në Kombet e Bashkuara dhe fjala Çamërí nuk ekziston … ky është një detyrim që ne ta trajtojmë këtë çështje dhe do ta trajtojmë në rrugë dypalëshe me palën greke, sigurisht duke treguar fleksibilitetin përkatës.”
Problemet që ngremë janë jo vetëm nxjerrë nga pohimet e k/diplomatit shqiptar, por nga ana tjetër kanë të bëjnë me dy çështje parimore :
1-Lista toponimike greke, sipas kryediplomatit të Shqipërisë : “ … tashmë ka marrë edhe fuqi ligjore … “.
2-Kurse lidhur me trajtimin e çështjes, edhe kjo sipas tij : “ … do ta trajtojmë në rrugë dypalëshe me palën greke, sigurisht duke treguar fleksibilitetin përkatës.”
Kurse vrejtja e jonë e themeltë shprehet :
Me që lista toponimike greke për t’u miratuar, jo vetëm që i është paraqitur O.K.B.-së nga ana e Greqisë dhe aspak Shqipërisë por, nga ana tjetër gjithënjë sipas ministrit tonë të Jashtëm, ka marrë edhe fuqí ligjore, duke pohuar edhe se fjala ÇAMËRI nuk ekzistoka, pse jemi druajtur ne dhe vazhdojmë të druhemi, t’ia paraqisim kërkesën tonë gjithashtu O.K.B.-së ?!
Lidhur me cilësorët nacionalistë e pseudopatriotë folëm më lart. Një përndritje tashti rreth cakut gjuhësor populist të cilin z-ja/z-sha S.Golemi e lëshon dukshëm jo me dashamirësí ndaj atyre q’u mungon informacioni dhe që sipas saj e frynë çështjen e deklaratës ministrit Haxhinasto, (ndërmjet të cilëve edhe unë vetë). Sa për dijeni, Fjalori i Gjuhës së Sotme Shqipe, nuk e trajton këtë cak gjuhësor. Në fjalorët e ndryshëm doracakë vendoset shënja e barazimit mes “populist = demokrat”. Kurse në diksionerët e ndryshëm trajtohet për herë të parë më 1891-shin si anëtar i partisë që paraqiste të drejtat agrare e në vazhdimsi si kategori që beson në të drejtat ose në virtytet e popullit dhe kryesisht në demokracinë, e kundërta e autokracisë. Por për të qenë më specifikë, me aq sa në mënyrë modeste mund të shprehemi ne që kemi mangësí informacioni, e duke e ngushtuar rrethin e kundrimit tek populizmi europian në kushtet e Bashkimit Europian në konditat aktuale shumë të … diskutueshme, (për të mos thënë të paqëndrueshme pa lé në kufijt’e dizintegrimit), bëjmë një përgjithësim duke shtruar pyetjen :
“Përse populizmi i djathtë, dhe jo i majti, ësht’i pranishëm në thuajse të gjithë shtetet europianë, (mbase në Francë, në vazhdim, populizmi i majtë do të jetë dominuesi),? Cilat pikat q’i bashkojnë ?” Po të lexohen këndvështrime nga më të ndryshmet dhe të bëhet një mesatarizim i dhjetra e dhjetra përfundimesh shkencore ku puqen shkencëtarët-analistë të këtij problemi, në vijim përgjithësimet e tyre si përgjigje pyetjes :
1. Figura karizmatike e udhëheqësit.
2. Kundrathënjet mes popullit dhe ELITËS.
3. Përfitimet e nxjerra nga Elita nga proceset komplekse.
4. Parimisht flasin për demokrací por e instrumentalizojnë.
5. Liveli i debateve shum’i ulët sepse politikanët nuk janë të interesuar as në debate konstruktive e gjithashtu as edhe në një demokraci të mirëfillt’edhe mbështetur në ligjëshmërí të themeltë. E pyesim me respektin e nevojshëm z-jën/z-shën Sara Golemi, kë shikon ajo mes saj dhe palës sonë më pranë cilësorit populistët ?
Prandaj na lind e drejta e ligjëshme edhe e mbështetur në logjikë racionale, të pyesim : Ku qëndron keq’interpretimi ynë ndaj deklaratës k/diplomatit tonë z.Edmond Haxhinasto ?! Kjo mënyrë të vepruari na bën që, duke e patur mirë parasysh maksimën e cituar më lart: Studjojeni të kaluarën po deshët t’a parashikoni të ardhmen, të kthehemi jo shumë por vetëm pesëdhjet’e një vite mbrapa me syt’e mëndjes, (e theksojmë dhe e përsërisim … me syt’e mëndjes, logjike si edhe racionale), dhe i referohemi gjëndjes në mes Bashkimit të atëhershëm Sovjetik si edhe Perëndimit kur në N.Y. Herald Tribune e datës 22 Shtator të vitit 1961, qé publikuar pohimi madhor i Charles De Gaulle-it : “Në marrëdhënje me sovjetikët ju filloni duke u dhënë kapelen tuaj, pastaj xhaketën, në vazhdim këmishën, pas saj lëkurën dhe së fundi edhe shpirtin!” Pa dashur të bëjmë asnjë përqasje sa i takon dorës së fortë, (gjë e cila as që mund të na shkojë ndërmënd neve, të vegjëlve), por që duhet patur mirë parasysh se politika e lëshimeve, kundruar përgjatë rrjedhave të historisë, gjithmonë ka patur pasoja negative. Kjo nuk duhet harruar dhe duhet patur mirë parasysh e sidomos për kategorinë tonë si shtete si komb.
Për t’a mbyllur edhe me këtë pjesë të shkrimit tonë, nuk rrijmë dot pa vënë në dukje edhe një kalim të replikës ku sillet si shëmbull dhe theksohet vlerësimi i bërë nga ana e një diplomati gjerman sa u takon sukseseve të administratës shqiptare. Pavarësisht faktit se informacioni ynë është shum’i mangët, (sipas replikuesve), por i a vlen t’ia bëjmë të ditur lexuesit të nderuar pohimin me të cilin mbyllet replika lidhur me deklaratën e z.E.Haxhinasto:
“ Shqipëria është në rrugë të mbarë për sa i përket politikës së jashtëme, jo më kot pak kohë më parë politikani gjerman Kiesewetter u shpreh se politika e jashtme shqiptare balancon mes Beogradit dhe Ankarasë. Shqipëria nuk duhet të zhbëje me qëndrime nacionaliste, atë që mezi ka arritur deri më sot : qënjen faktor stabiliteti në gjithë rajonin.”
Nuk po bëjmë gjë tjetër por po e sjellim, (falë informacionit që … na thuhet se nuk disponojmë), kalimin e zotit Roderich Kiesewetter ashtu si e ka shprehur ai vetë përgjatë intervistës, (e jo vetëm atë cungim lidhur me balancimin mes Beogradit dhe Athinës që zenë në gojë gjuhët diplomatike). Sikur të ishte i mirëfillt’edhe i gjithi ky vlerësim, nuk kishte se si jo vetëm të mos kënaqeshim por edhe të mburreshim me të edhe ne ! Mirëpo kur hetojm’edhe gjejmë se si është shprehur në mënyrë të plotë politikani i Partisë Christian Demokrate Gjermane lidhur me Shqipërinë, pësojmë jo vetëm një zhgënjim por edhe na mërzit fakti se si paraqitet nga ana e diplomacisë shqiptare një e vërtetë e shfytyruar. E që të kuptohet nga ana e lexuesit se as që duam të jemi agresivë nga që u hartua replika ndaj nesh, (as që po e zemë në gojë si është shprehur ky diplomat lidhur me pararendësin e z.E.Haxhinasto në post). Por ama nga ana tjetër nuk rrijmë dot pa e sjellë të plotë një gjykim rreth gjëndjes së krijuar në vënd nga administrata në fuqí ku politikani gjerman thotë se populli shqiptar e njeh situatën dhe … ( ja si vijon integralisht intervista) :
“ … Pra të luftohet korrupsioni në shoqërinë shqiptare, të luftohet krimi i organizuar dhe të sundojë shteti juridik si në gjyqësi ashtu edhe në shëndetësi. Që të mos shkojë dikush të blejë me para një shërbim të mirë shëndetësor duke i anashkaluar të tjerët dhe që proceset gjyqësore të mos influencohen nga asgjë tjetër, veç normave juridike … Njerëz që e njohin situatën juridike në Shqipëri thonë se është krijuar përshtypja se ka një drejtësi për disa politikanë të përzgjedhur dhe një tjetër për shqiptarët e thjeshtë. Para ligjit dhe drejtësisë të gjithë duhet të jenë njësoj.” E në fund ky politikan gjerman shton edhe pohimin kulmor sa i takon Bashkimit Europian, (i cili sinqerisht që na dëshpron tej mase), kur thotë : “… Shqipëria nuk ka arritur aq sa për t’u bërë kandidate.”
Sa janë shkruar në thonjëza janë fjalët e diplomatit gjerman. Pyetja e ime drejtuar replikueses, eventualisht z-ës/z-shës Sara Golemit është : Kam unë mangësí informacioni si dhe nuk e kuptoj gjuhën diplomatike, apo ju, që aktualisht flisni si kompetente e fushës … citoni vetëm pjesë fjalishë, flisni diplomatikisht dhe mbase shikoni gjëra që unë nuk jam në gjëndje t’i kuptoj edhe t’i ndjek ?
Pavarësisht nga e vërteta, por i prirur që problemi i territorit ÇAMËRI të trajtohet drejtësisht dhe vetëm ashtu si i takon, do t’a nis pjesën në vazhdim, sipas këndvëshrimit Confuc-it edhe me dy aforizma njerëzish të famshëm të cilat e plotësojnë njeratjetrën më së miri dhe mirë është të theksohen jo në gjuhë diplomatike :
Nobelisti indian Rabindranad Tagora ka pohuar : “Ai komb i cili nuk i ndreq gabimet e kaluara duke e ndërtuar të tashmen, nuk ka se si të ketë të ardhëshme. Ai ësht’i destinuar të zhduket”.
Kurse shtetári i madh, Sir Winston Churchilli, e ka thelluar akoma më tej aforizmën e parë duke pohuar se “ Sa më thellë arrihet të shikohet në të kaluarën, aq më larg shikohet në të ardhmen.”
ZANAFILLA E PROBLEMIT GENOCIDI GREK NDAJ POPULLATËS ÇAME
I a fillova pikërisht me këta dy pohime madhore sepse e ndjej të nevojëshme, ndërmjet disa paralelizmave, të vij duke e ngushtuar rrethin e të hedh dritë mbi fakte si edhe të vërteta historike të cilat kombin tonë e kanë goditur herë pas here e madjé edhe rëndë !
Genocidi grek ndaj popullatës Çame, i ushtruar në mënyrë të skajëshme përgjatë periudhës kohore mes viteve 1913 deri më 1944, merr një rëndësi të madhe i shqyrtuar si pjes’e pandar’e masave të marra nga qeveritë greke ndaj popullatës autoktone shqiptare, muslimane apo orthodokse qoftë, banuese e territorit gjeografik të quajtur ÇAMËRI. Nuk do të hyjmë e të rikujtojmë fakte e dëshmira të pafundme trashëguar nga bashkëkohësit e atyre viteve gjakatare, të shpëtuar gjallë e që me dëshmit’e tyre emrore si për fshatra të djegur e gjithashtu me lista emrore viktimash të pafundme, e bëjnë sa të trishtë historin’e popullatës çame banuese e atyre trojeve etnike shqiptare, por edhe janë dokumente të pashlyeshme për t’a gjykuar shkencërisht atë periudhë historike të kombit tonë. Të gjitha këto, të mbledhura e të dokumentuara, përbëjnë arkivin që eventualisht do të duhej t’u paraqitet si O.K.B.- së e gjithashtu edhe vetë drejtuesve të Greqisë. Mirëpo pikërisht këtu fillon e keqja e madhe: Shteti Grek, nëpërmjet drejtuesve të tij nuk pranon asnjë ballafaqim historik shkencor lidhur me problemin çam. Këtu tashti edhe ajo Nyje Gordiane e problemit çam që duhet analizuar dhe ku do të hedhim sado fluturimthi dritë rreth gjëndjes, shanseve, interesave të ndërsjella si edhe gabimeve të vërtetuara e që po vazhdojn’e vërtetohen akoma sot nga ata që u ka rënë për pjesë t’a trajtojnë problemin ÇAMËRI ! E pikërisht që këta gabime të mos përsëriten më … vazhdojmë me këtë analizë.
Ka edhe një varg studjuesish grekë, si p.sh. zonja Elefteria Manda ose zoti Jorgos Margaritis, që krimet e pashëmbullta si edhe çpopullimin e territoreve çame i kanë krahasuar me genocidin nazist ndaj hebrenjëve! Kjo pak por e saktë. Ata janë mbështetur në pohimet e tyre duke e marrë zanafillën tek masakra e pabesë e 72 krerëve të Çamërisë nga famëkeqi kapiten Deli Janaqi tek përroi i Selanit në Paramithí, e duke vazhduar me ligjin famëkeq të Reformës Agrare q’e ligjëroi plaçkitjen e trojeve çame nga ana e grekëve ! Si u realizua ai plan djallëzor dhe ato troje shqiptare u bënë pré e tyre ? Plumbi, hanxhari si edhe zjarri qenë faktorët fillestarë si edhe parakushtet vendimtarë q’e sheshuan rrugën për shpërnguljet masive të popullatës çame nga territori i quajtur ÇAMËRI për në tokat e shkreta të ANADOLLIT! Vazhdimi nuk qé gjë tjetër veçse zbatimi i t’ashtuquajturës reformë agrare e emërtuar “apallotriosis”, që në shqip do të thotë “TJETËRSIM” ! Këtu duhet kërkuar dhe “kyçi” i problemit. Nacionalistët e mirëfilltë, të brumosur me mësimet e kësaj kategoríe shoqërore, ndërmjet tjerave nuk konformohen dot as me apallotriosis-in, këtë xhvatje pasurije që qeveritë greke ushtrojnë ndaj arvanitasve autoktonë në ÇAMËRI ! E pikërisht këndvështrimi ndaj kësaj dukuríje marrëdhënjesh shoqërore në fushën ekonomike i shquan dukshëm kategorinë e cila sot në Shqipëri emërtohet koka të nxehta nacionaliste si edhe pseudopatriotë, nga ata që përgjatë diktaturës ishin partizanët e internacionalizmit proletar kurse sot mendojnë se e drejtojnë politikën e jashtme shqiptare me diplomací të mirëfilltë duke na ftuar të kemi durim derisá të pranohemi në Bashkimin Europian ! (E kaq pa i a hyr’e trajtuar pastaj problemet me të cilat ballafaqohen drejtuesit e shteteve anëtare të B.E-së).
Po nga ana statistikore vallë, si qëndron çështja ? U theksua që në hyrje se nuk do të hyjmë në hollësira por veç do të trajtohen parimet si edhe përvoja që duhet nxjerrë, duke patur në themel idénë rreth gjakderdhjes shoqëruar me shpërngulje masive të dhunëshme. Mbështetur në dokumenta historike autorësije greke të P. Aravantinos-it të shekullit XIX-të, raporti i popullsisë ÇAMËRISË paraqitej si vijon: 97.3% popullatë shqiptare dhe 2.7% popullatë greke. A nuk mjafton vetëm kjo shifër e thatë statistikore të hedhë dritë të mjaftueshme dhe të bëjë që logjika e ftohtë të kuptojë pse autoritetet greke si qeveritare, e pastaj mbas tyre edhe shkencëtarët historianë konformistë , kategorikisht u shmangen ballafaqimeve ?!
EGOIZMI I FUQIVE TË MËDHA DHE RRJEDHOJAT QË KONKRETISHT PASUAN
Ndalemi tashti dhe e shikojmë me mbrapavështrim situatën nisur nga si u krijuan kushtet historike që grekët ndoqën këtë rrugë krimi djallëzore që gjëndja arriti këtu ku është ! Së pari dhe mirëfilli, duhet t’a kemi të qartë se sa herë që të drejtat tona kanë pas qenë nëpërkëmbur, ose edhe kur kemi pas qenë ndihmuar nga Fuqit’e Mëdha, asnjera syresh nuk na e ka pasë blatuar këtë “për hatër tonin”, as edhe mohuar për “inat ndaj nesh”. Gjithmonë ka qenë në mes interesi i secilës fuqi vënë në plan të parë ! Po sjell një shëmbull tipik interesash të tilla i cili nuk ka nevojë për asnjë koment. Simbas studjuesit me famë botërore Franz Bop, gjeneralit francez Xhentili, Napoleon Buonaparti i dërgoi një letër ku theksonte : “… Është në interesin e Republikës që Ali Pasha Tepelena t’i mundë të gjithë rivalët e tij që të bëhet i aftë t’i shërbejë Republikës …” I mbështetur në gjithë faktet si edhe dokumentat e studjuara të asaj kohe, historiani Edwin Jacques pastaj nxjerr përfundimin : “… Lojën e dinakërisë Ali Pashai e dinte fort mirë. Në marrëdhënjet e tij me Francën ai nuk synonte t’i bënte shërbime Republikës Franceze, por që kjo e fundit t’i shërbente atij !”
Me këtë i a vlen të sillet në plan të parë pohimi madhor i humanistit mëndjendritur Baba Rexheb-it i cili pohonte se “Kur egoizmi madhor i kalon kufinjtë personalë dhe shtrihet në atë shtetëror, ballafaqohemi me të këqija të pamenduara nga mëndja e njeriut”!
I analizojmë tashti nga ky këndvështrim interesat e ndryshëme shtetërore të asaj kohe që e çuan njerëzimin drejtë Luftës së I-rë Botërore.
Konferenca e Londrës e 1912-1913-tës vetëm se ballafaqoi e kundërvuri projektet kolonialiste sllavo-greke ndaj projektit etnik shqiptar. Cili ishte qëndrimi i fuqive të mëdha ? Interesat e fqinjëve tanë territorialë, interesa këto kryekëput grabitqare dhe kriminale të tyre, u mbështetën nga Franca si edhe Rusia. Lind natyrshëm pyetja përse Franca e mbështeste politikën ruse? Sepse Franca e donte nga ana e saj përkrahjen e Rusisë nga që e kishte si kundërvënje Gjermanisë, (me të cilën ndante pjesë të madhe kufiri territorial të sajin), dhe Austro-Hungarisë. Po kjo e fundit ç’qëndrim mbante? Ishte e vetmja që na doli zot sepse interesat kundra-ruse të saja bënë që ajo t’i mbështeste interesat shqiptare. Kurse Rusia, jo vetëm për interesat e saja pansllaviste që kishte, por për vetë objektivin e saj të kishte mbështetje për të dalë në Mesdhé, automatikisht ishte kundra formimit të një shteti të pavarur shqiptar ! Nuk kam tashti se si mos t’a përqëndroj vëmëndjen tek Anglia të cilën, falë politikës së saj, atdhetari i shquar, (më falni, ajo kok’e nxehtë pseudopatrioti), Patër Gjergj Fishta e kishte quajtur, KURVA E MOTIT, duke e sjellë këtu pohimin e ministrit të Punëve të Jashtme të Anglisë Sir Edward Grey, i cili integralisht pohonte: “… Objektivi kryesor i konferencës, (së Londrës – M.K.), ruajtja e marrëveshjes dhe mirëkuptimit mes Fuqive të Mëdha, u arrit …” ! Kurse simbas opinionit tonë modest, pikërisht ajo barazpeshë nuk u arrit ! Ajo konferencë famëkeqe qé zanafilla e atij genocidi barbar grek kundra popullatës etnike Çame si edhe atij sllav kundra etnísë Shqiptare veriore, ku fuqit’e mëdha bënin sehir duarkryq shitjen e interesave shqiptare, ndërlidhur këto me krime e masakra të paimagjinueshme, për t’ashtuquajturën barazpeshë ndërkombëtare në viset ballkanike !
Duke vazhduar tashti të përqëndruar në temën që sot trajtojmë, qëndrimin grek ndaj popullatës Çame, kërkojmë mbështetje edhe tek humanisti si edhe letrari e kritiku i shquar shqiptar, Faik Konica, i cili i qé drejtuar asokohe kryeministrit të Britanisë së Madhe duke i thënë qart’edhe shkoqur se “… Ne, shqiptarët, kemi frikë vetëm nga grekët, me qenë se ata kanë një armë të hatashme, shumë të fortë, DINAKËRINË !”
Po historia çfarë provoi? Mospërfillja si edhe nëpërkëmbja e interesave shqiptare në Ballkan, jo që nuk solli barazpeshë ndërkombëtare në këto krahina si edhe më gjerë, por vetëm se solli ngatërresa, ndërlikime ndërkombëtare e asgjë më shumë.
Cili ish themeli i Luftës së Parë Ballkanike ? Sërbia e Mali i Zi nga Veriu si edhe Greqia nga Jugu, kishin si objektiv ndarjen mes tyre të territoreve etnike banuar historikisht nga shqiptarë ! Ja, kjo e gjitha me pak fjalë ! Edhe vetë shpërthimi në vazhdim i Luftës së I-rë Botërore, si pasoj’e vrasjes Franc Ferdinandit në Sarajevë, e fakton tensionin e krijuar në Ballkan !
NJË VËSHTRIM RRETH MJEGULLNAJËS VITEVE 1941-1944 SI EDHE NË VAZHDIM
Nacionalistët shqiptarë “en block”, kishin të njajtat pikëpamje si edhe qëndrime ndaj politikës greke lidhur me popullatën çame. Edhe kjo pak por e vërtetë si drita e diellit. Bilé në rezolucionin e Mbledhjes së Mukjes të datës 1 Gusht 1943, pika “2” e vendimeve të marra formulohet si pason:
2: Luftë për një Shqipëri të pavarur, për zbatimin e parimit të njohur universalisht e të garantuar nga Karta e Atlantikut të vendosjes së popujve, për një Shqipëri etnike.
U hedhim tashti një sy zhvillimeve në dy anët e kufirit shtetëror Shqiptaro-Grek. Shteti Shqiptar u garantonte të gjithë banorëve “grekofonë” jo vetëm lejimin e përdorimit të gjuhës së tyre por edhe shkollimin në po gjuhën e tyre greke. Këto doemos mbështetur në konventat ndërkombëtare. Bilé gjatë regjistrimeve të popullatës ata njiheshin si banorë shqiptarë por me kombësí greke. Kurse nga ana tjetër e kufirit, jo që nuk u lejohej çamëve ORTHODOKSË të flisnin shqip, pa lé të kishin shkollat e tyre në gjuhën shqipe. Por kulmi është se ata edhe sot as nuk i kanë të drejtat e tjera qytetare si vendasit grekë !(???) Përgjatë kësaj hullíje nuk kanë se si të mos përmënden dhe qëndrimet e P.K.Sh. gjatë luftës dhe pas saj: Fillimisht përplasja fytyrës Enver Hoxhës nga ana e Miladin Popoviçit i rezolucionit të Konferencës Mukjes dhe mosnjohja në vazhdim, me urdhër të po Enver Hoxhës, të atij rezolucioni. Vlerësimi fillimisht si heroik i luftës së Batalionit Çamëria në L.N.Çl. i komanduar ky nga komandanti Rexho Plaku, e në vazhdim fillë pas çlirimit, dy burgosjet e Rexho Plakut si edhe internimet e tija familjarisht për 27 vite me radhë ! Pa lé servilizmi ndaj shtetit grek ku jo vetëm që nga njera anë sajohet e fryhet komploti absolutisht i paqenë i gjoja grupit çam të Teme Sejkos, e nga ana tjetër përfaqësuesja e minoritetit grek Vitori Çuri emërohet zv/kryetare e Kuvendit Popullor. Kaq, sado fluturimthi, rreth së kaluarës.
Hedhim tashti dritë rreth zhvillimeve të sotme në Greqi sa i takon asaj pakice çame orthodokse krejtësisht e “paqenë dhe e asimiluar”. As ndihet se ësht’e gjallë, kurse tek ne në Shqipëri jo vetëm që kemi Krye-Peshkopin puro grek, por ai po hamendëson ndërtime kishash greke orthodokse edhe në Peqin ose Kukës ku historikisht nuk ka patur asnjë herë këmbë orthodoksi ! Pse ? Fare e thjeshtë. Të lihen pas vetes ato që emërtohen gjurmë arkeologjike ! Kjo që në të ardhmen, (ç’janë disa dhjetravjeçarë para historisë shekullore), Greqija të ketë “dokumenta arkeologjike” lidhur me etnicitetin e trojeve greke aty ku shqiptarët pretendojnë autoktoní ! Nga ana tjetër refugjatëve shqiptarë në Greqi u bëjnë trysní gjithëdrejtimëshe dhe vetëm marrja nga ana e tyre e nënshtetësisë greke i bën pastaj të rregullojnë një farë standardi jetese në Greqi. Palé që brënda Shqipërisë, elementë aktivë grekë, u propozonin qytetarëve shqiptarë si pa të keq që, mjaft të nënshkruanin, dhe të merrnin pensjon pleqërie grek, (pa pasë punuar një ditë për person, pa le për institucion, grek !(?)
Po nga ana e jonë e barrikadës çfarë po ngjet? Një papërgjegjësí e skajëshme sa u takon qëndrimeve me Greqinë si edhe më gjerë. Jo vetëm që pranohet të hapen shkolla e universitete greke në Shqipëri, por edhe kur Presidenti i Greqisë pati deklaruar publikisht se nuk ekziston problem çam, si Presidenti Mojsiu edhe Kryeministri Nano: Heshtën në tribunë në syt’e tij si edhe të popullit që dëgjonte !(?) Nuk mjaftoi kjo por në vijim të kësaj hullíje, ministrja e Jashtëme e Greqisë, zonja Dora Bakojannis bëri të pamundurën t’a ndalonte vizitën e Presidentit Karolos Papulias të vinte në Shqipëri me rastin e inaugurimit të Kolegjit ARSAKEJO ! Përse? Sepse u trembej demonstratave eventuale çame!
Po qeveria jonë ? Në vënd t’u qëndrojë pranë refugjatëve tanë në Greqi, t’i ftojë të votojnë në Atdhe, etj., me mosinteresimin e saj praktikisht i shtyn të marrin kartën e homogjenitetit greke e cila u krijon lehtësira si qytetarë grekë. (Jo se del nga tema, por nuk po zgjatemi rreth diplomacisë trajtimit çeshtjes Kanalit Korfuzit).
Pa lé që qeveria shqiptare nuk duhet të heshtë për asnjë çast lidhur me dy probleme madhorë të cilët vetëm në rrugë institucionale mund të gjejnë zgjidhje :
1-Problemi i kthimit të pronave çamëve të cilat me zbatimin e apallotrosios-it (tjetërsimit të pronës) i u rrëmbyen pronarëve legjitimë çamë dhe u përvetësuan nga grekët.
2-Kthimi i çamëve në pronat e tyre në zbatim të të drejtave legjitime të tyre të sanksionuara nga O.K.B.-ja.
Së fundi, përgjatë këtij vrojtimi dhe radhitje faktesh historike, nuk heshtim dot pa e theksuar se sipërfaqja e atij territorit gjeografik të quajtur ÇAMËRI kap një sipërfaqe prej 10.000 km2 e pra baraz me 35.7 % të së gjithë Shqipërisë !
Si pasojë pra, nuk kishin se si të mos na dëshpronin skajshëm deklaratat zyrtare të ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë Zotit Edmond Haxhinasto, si për Kosovën edhe Çamërinë !
E keqja është se përgjatë diktaturës i u ra fyellit për dyzet’e shtatë vite me radhë lidhur me internacionalizmin proletar e ajo periudhë kohore gjysëmshekullore e shojti krenarínë tonë kombëtare ! Prandaj nuk i shmangemi dot pohimit se si orientimi më i dobishëm i shtetarëve tanë duhet të jetë t’i nuhasin e pastaj edhe t’i shfrytëzojnë sa më në interes të kombit rrethanat, kur interesat tona kombëtare përputhen me ato të më të mëdhenjëve ! Shëmbull i cili nuk duhet harruar në asnjë mënyrë qé goditja që i bënë forcat e NATO-s Sërbisë si agresore ndaj Kosovës në muajin Mars të vitit 1999 ! Kurrë të mos e harrojmë se si “… Lojën e dinakërisë Ali Pashai e dinte fort mirë. Në marrëdhënjet e tij me Francën ai nuk synonte t’i bënte shërbime Republikës Franceze, por që kjo e fundit t’i shërbente atij !”
Për këtë qëndrim kanë nevojë sot Shqipëria, Kosova si edhe problemi çam, përbërës të problemit të përgjithshëm kombëtar !
Posted in Blogroll | No Comments »
ME SYTE E SHPIRTIT, NË TRADITAT TONA ATDHETARE…
09/05/2012 by admin.
publikimi-dribrahim-gashi-me-syte-e-shpirtit-ne-traditat-atdhetare.pdf
( Nderim për Dr. Ibrahim Gashin, i cili u nda nga jeta)
Nga: Prof. Murat Gecaj
Publicist e studiues-Tiranë
Nga e majta: I.Gashi e M.Gecaj (Tiranë, 2011)
1.
Vite më parë, kur isha redaktor në Gazetën “Mësuesi” e kërkoja të dhëna për jetën dhe veprimtarinë e mësuesve atdhetarë nga Kosova, që më duheshin për punimin tim të disertacionit, u njoha dhe me mësuesin kosovar Ibrahim Gashi, biri i mësuesit atdhetar e veteran, Rrahim Gashi. Megjithëse ishte me punë në Fushë-Krujë, pra pak larg nga kryeqyteti, vëreja te ai hulumtuesin dhe studiuesin e zellshëm e të pasionuar, sidomos në fushën e astronomisë. Por, i mbujtur që në vegjëli e në rini me traditat atdhetare e liridashëse të familjes e më gjerë, ai ishte i prirur dhe për kërkime e studime për këto tradita.
Kaluan vite të tjerë dhe ne përsëri i mbajtëm të pashkëputura lidhjet tona, sidomos pas publikimit në Tiranë të revistës shkencore e kulturore “Univers”, ku të dy dhamë ndihmesën tonë. Po kështu, jemi takuar shpesh edhe në përurime librash dhe në veprimtari, që kemi organizuar e zhvilluar me Shoqatën e Arsimtarëve të Shqipërisë. Bile, për këtë të fundit, ai ka kryer dhe detyrën shoqërore të “kordinatorit”, për lidhjet me kolegët tanë në Kosovë. Gjatë kësaj periudhe, si rrjedhojë e punës së tij këmbëngulëse e të frytshme, kërkimore, studimore e shkencore, arriti të botonte edhe disa libra, me temë matematikën e astronominë, por dhe në fushën e traditave atdhetare, nga të cilët më ka dhënë disa me shënimin e tij.
2.
Po cili është Dr. Ibrahim Gashi? Lindi më 23 gusht 1935, në rrethin e Krujës, ku më parë kishin ardhur prindërit e tij, nga Skënderajt e Kosovës, të përrnjekur nga rregjimi serb. Ndërsa më tej, atij iu krijua mundësia që t’i ndiqte studimet e larta në ish-Jugosllavi. Para diplomimit për matematikë-astronomi, në Beograd, e arrestuan dhe më pas i dëbuan familjarisht për në Shqipëri. Kështu, studimet e larta i përfundoi në Universitetin e Tiranës. Vite me radhë, ishte mësimdhënës në shkollat e mesme të Krujës dhe më 1984-1990 dha leksione, si pedagog i jashtëm, në Fakultetin e Shkencave të Natyrës.
Gjatë punës së tij 31-vjeçare në arsim, përveç se në mësimdhënie, u dallua në veprimtarinë shkencore e pedagogjike me arsimtarët. Për disa vjet radhazi kreu detyrën e kryetarit të komisionit të lëndës së matematikës, për shkollat e mesme në rrethin e Krujës. Mori pjesë në diskutimet për hartimin e teksteve të reja, për matematikën e astronominë dhe, madje, për këtë të fundit përgatiti dhe botoi përmbledhjet “Probleme të zgjidhura astrononomike” e “Vrojtimet astronomike” (për maturantët e shkollave të mesme). Për punë të vazhdueshme e të thelluar studimore-shkencore, më 1979 mori gradën “Kandidat i Shkencave” (më pas, “Doktor i Shkencave”). Në vitet 1980-1982, duke qenë zevendësdrejtor i shkollës së mesme në Fushë-Krujë, ngriti dhomën-muze kushtuar “Heroinës së Popullit” Shote Galica, emrin e të cilës e mbante ajo, si dhe organizoi një sesion shkencor për jetën dhe veprimtarinë e saj atdhetare e luftarake. Ndjenjat e larta të atdhedashurisë, ai do të shfaqte më pas, posaçërisht, edhe në dy libra të tij.
Dr. I.Gashi, nga janari 1993 dhe deri në shtator 1996, ka kryer detyrën e diplomatit (sekretar II) në Ambasadën e Republikës së Shqipërisë, në Slloveni. Aje ndoqi çështjet e marrëdhënjeve dypalëshe në fushat e politikës, arsimit, kulturës e mbrojtjes, si dhe çështjet konsullore. Detyrë të veçantë ka pasur për Diasporën Shqiptare, në Slloveni. Doli në pension në vitin 1996, por përsëri e vijoi punën kërkimore e studimore dhe botuese. Përveç shumë artikujve shkencorë e metodikë për lëndët metematikë e astronomi dhe me temë sociale, deri tani ka botuar 11 libra dhe ka në dorëshkrim disa të tjerë, dy prej të cilëve lidhen me kronologjinë shqiptare.
Ndonëse i moshuar, deri n ë fundin e jetës së tij, Ibrahimi vazhdoi të merrej me kërkime dhe shkrime, si në fushën e shkencës, ashtu edhe në atë atdhetare e shoqërore. Vitet e fundit udhëheqi me sukses Komisionin Qednror të Institutit të Integrimit të Kulturës Shqiptare, lidhur me studimin e mundësive të përafrimit, deri në njësim, të programeve e teksteve mësimore, në të gjitha trojet shqiptare dhe në diasporë.
3.
I pari, nga librat e Dr. I.Gashit, ishte ai me titullin “Probleme të zgjidhura astronomike”, përgatitur posaçërisht për maturantët e gjimnazeve dhe i përshtatur për zonën gjeografike shqiptare. Por ky botim vlen të shfrytëzohet dhe nga studentët e viteve të para, që e kanë në program këtë lëndë. Në vazhdimësi, ky autor publikoi librin “Nga qielli ynë” dhe është ndër botimet e para të këtij lloji në Shqipëri. Ai përmban mjaft të dhëna për dukuritë natyrore, sidomos lidhur me Diellin e Hënën. Po kështu, pasqyrohet në të lëvizja e planeteve të sistemit tonë diellor. Veçori e tij është se të gjitha dukuritë natyrore, që janë përshkruar aty, lidhen me qytete të ndryshme të trojeve shqiptare.
Tashmë, me një përvojë në fushën e botimeve astronomike, në vitin 2000 publikoi librin tjetër, “Kalendari dhe krono-logjia, në botë dhe te shqiptarët”. Aty trajtoi njohuritë teorike dhe praktike për bazimin matematik-astronomik të kalendarëve diellorë, hënorë dhe hënorë-diellorë. I lidhur ngusht me kalendarët, është trajtuar edhe çështja e kronologjisë, në veçanti asaj historike Një kujdes i posaçëm i është kushtuar edhe trashëgimisë kulturore origjinale, lidhur me njohuritë kalendarike në trojet shqiptare. Në librin tjetër, “Ditënata dhe disa kuptime, që lidhen me të”, sqaron kuptimet bazë të ditënatës, ditës, natës, muzgjeve dhe disa dukurive të tjera astronomike, që kanë të bëjnë me rrotullimin e Tokës, rreth boshtit të vet dhe rreth Diellit. Libri është i nevojshëm, si literaturë ndihmëse, për nxënësit e shkollave të mesme, në lëndët gjeografi fizike dhe astronomi, si dhe për studentet, po për këto lëndë.
Libri “Kalendari Hixhiri Hënor dhe lidhja e tij me kalendarët Julianë e Gregorianë dhe me ditët Juliane” flet për këtë lloj kalendari, i cili u pëdor edhe në Perandorinë Osmane, që përshinte tojet shqiptare e ballkanike. Sot ai i shërben komunitetit mysliman, për qëllime fetare. I këtij karakteri ishte dhe libri tjetër “Kalendari Mali-Rumi dhe lidhja me kalendarët Hixhiri Hënor, Julianë e Gregorianë dhe me ditët Juliane”. Ndërsa në librin “Bazime astronomike për ritet dhe festat fetare islame” bëri përcaktimin e riteve të festave fetare të këtij besimi, por dhe të atij të krishterë.
Gjatë kohës së shërbimit dipolmatik në Slloveni, Dr. Ibrahim Gashi mblodhi të dhëna të shumta e publikoi librin voluminoz “Shqiptarët, Sllovenia dhe Ballkani i trazuar, sipas në diplomati” (Tiranë, 2007). Përveç çështjeve shqiptare të trojeve etnike dhe të diasporës, aty paraqet edhe bukuritë e Sllovenisë, marrëdhëniet mjaft të mira të saj me Shqipërinë. Po kështu, flet për gjendjen në Ballkanin e trazuar, ku barbaritë serbe ndaj popujve joserbë kishin arritur kulmin. Përplasjet luftarake Serbi-Kroaci ose Serbi-Bosnje, zënë vend të dukshëm në këtë libër. Në kapituj të veçantë paraqitet edhe gjendja politike-ekonomike e Shqipërisë në ato vite, sipas pasqyrimeve të shtypit slloven, me komente e plotësime nga autori. Po kështu, jepen edhe marrëdhëniet me shtetet e tjera fqinje. Ndërsa pjesa më e madhe e librit i kushtohet diasporës shqiptare në Slloveni, që përbëhej nga shqiptarë të Kosovës dhe trojeve të tjera etnike shqiptare, të emigruar në këtë pjesë veriore të ish-Jugosllavisë, tanimë të shpërbërë, si dhe shqiptarëve të tjerë në trojet e tyre etnike, jashtë kufirit zyrtar të shtetit amë, Shqipërisë.
4.
Po të shihen me vëmendje librat, për të cilët shkruam pak radhë më lart, lehtë vërehet se kudo Ibrahim Gashi e ka lidhur ngusht tematikën e tyre me trojet tona etnike dhe me jetën e shqiptarëve. Pra, megjithëse në dukje tematika e ndonjërit prej tyre është disi fetare, ato i përshkon ndjenja e atdhedashurisë dhe e lirisë.
Por ky autor iu drejtua edhe direkt temës së traditave tona atdhetare, duke shkruar për dy personalitete të njohura për kohën, në të cilën jetuan e vepruan. Libri i parë, me këtë tematikë, është “ Xhemal Pazari, atdhetar i shquar tiranas” (Tiranë, 2009). Është monografi, me afër 300 faqe, që i kushtohet Xh.Pazarit (1864-1955), njeriut, që mbajti fjalën e rastit më 26 nëntor 1912, kur për herë të parë u ngrit në Tiranë, Flamuri Kombëtar Shqiptar. Në monografi paraqiten shumë fakte e dokumente për veprimtarinë e tij, si në mbrojtjen e çështjeve kombëtare, ku si rrjedhojë e tyre Xhemal Pazari, bashkë me atdhetarë të tjerë tiranas, burgoset e torturohet nga qeveria osmane, më vonë nga rebelët etj. Gjithashtu, në monografi jepen të dhëna të trajtimit çnjerëzor të Xh.Pazarit dhe familjes së tij, nga qeveria moniste, në Shqipëri. Një vend të veçantë, në këtë monografi, kanë zënë edhe dëshmitë për aftësitë intelektuale e filozofike të tij.
Libri më i ri i Dr. I.Gashit (bashkautor me Fazli Hajrizin) është, “Mësuesi Rrahim Gashi me brezat, në trojet arbërore” (Tiranë, 2010). Përveç figurës së tij dhe familjes së gjerë Gashi, që trajtohet këtu, në monografi flitet edhe për mjaft të tjerë, atdhetarë e luftëtarë të pushkës e të penës, ndër ta dhe për luftëtarë të UÇK-së, që iu përkushtuan me të gjitha aftësitë mendore e fizike çështjes kombëtare shqiptare. Në këtë libër ravijëzohen qartë përpjekjet e mëdha, që janë bërë në trevën e Drenicës e më gjerë, për gjuhën amtare dhe shkollën shqipe, në luftë të ashpër me trysninë e pushtuesve e sunduesve të egër serbë, ku mësuesi Rrahim Gashi pati një rol të rëndësishëm. Po kështu, pasqyrohen dukshëm edhe ngjarjet kulmore të historisë sonë kombëtare, siç janë Pavarësia, koha e pushtimit fashist italo-gjerman, i ashtuquajturi “çlirim” i vitit 1944 dhe barbaritë serbe mbi popullin shqiptar, në trojet e stërlashta shqiptare. Siç del edhe në këtë libër, Rrahim Gashi, me brezat pasardhës, dha ndihmesën e tij si mësimdhënës edhe në Shqipëri, ku u ballafaqua me sundimin monist shumëvjeçar. Pjesë e këtij libri është edhe jeta e djalit të tij, Lahit, i cila shërbeu pa u kursyer në fushën e arsimit, si në Kosovë e ashtu në Shqipëri.
5.
Dr.Ibrahim Gashi, jetoi e veproi, familjarisht, në Tiranë. Por kurrësesi nuk e hoqi mendjen as zemrën nga vendlindja e dashur e të jatit, Rrahim Gashi, nga Kotorri i Skënderajt të Drenicës, në Kosovë, ku ky la gjurmë të pashlyera dhe ishte ndër mësimdhënësit e parë të gjuhës amtare e shkollës shqipe. Jo shumë kohë më parë, me rastin e 100-vjetorit të lindjes, ai ishte dhe në përurimin e librit, për të cilin folëm më lart. Ndërsa në maj-qershor 2011, me një grup prej 11 vetash, ishim bashkë në Shkup, Preshevë, Prishtinë e Ulqin, me misionin e tij të lartë atdhetar, si kryetar i Komisionit Qendror të IIKSH, në fushën e arsimit dhe të kulturës kombëtare shqiptare. Gjithashtu, ai iu përkushtua edhe organizmit e zhvillimit me sukses të plotë, Konferencës së Parë Mbarëkombëtare të IIKSH, në Tiranë, në shtatorin e vitit të kaluar. Mbeti dorëshkrim edhe botimi i një libri nga punimet e asaj Konference, që ai pothuajse e kishte përfunduar. Pra, si gjithnjë, atë e thërriste ndjenja e fortë kombëtare shqiptare; dëshiroi, shpresoi e punoi që një ditë të njësohen programet e tekstet e shkollave, në të gjitha trojet shqiptare e në diasporë. Me sytë e shpirtit, ai është gjithnjë në traditat tona atdhetare.
Në këtë ditë hidhërimi, të ndarjes përgjithnjë nga jeta të Dr. Ibrahim Gashit, atdhetarit të mirë, arsimtarit të aftë, diplomatit, studiuesit dhe veprimtarit të palodhur për çështjen kombëtare shqiptare, u shprehim ngushëllimet më të thella bashkëshortes, fëmijëve e të afërmve dhe gjithë familjarëve. I paharruar qoftë kujtimi i tij!
Tiranë, 9 maj 2012
Posted in Blogroll | No Comments »
MBRESA E SKICA, NGA SUEDIA
07/05/2012 by admin.
MBRESA E SKICA, NGA SUEDIA ( II )
Nga: Murat Gecaj
publicist e studiues-Tiranë
7.Në portin e Goteborgut, m’u kujtuan “zboret” tona…
Vizita nëpër Goteborg, por dhe në Portin e tij të stërmadh, na solli mjaft kënaqësi. Këtë e përjetuam së bashku edhe me anën e fotografive të shumta, që bëmë. Bile, nuk dinim se ku t’i shkrepnim më parë aparatet tona fotografike.
Sakaq, para na doli një kryqëzor gjigand, sigurisht në ujë. Mbi bordin e tij ngriheshin drejt qiellit topa të kalibrave të ndryshëm dhe raketa e pajisje tjera luftarake. Duke biseduar me kolegët, kuptuam se ato nuk ishin “prej vërteti”, siç shprehen fëmijët. Pra, ato mjete luftarake ishin një “muze” i hapur për të gjithë. Se populli suedez jeton në paqe e miqësi me fqinjtë e tij dhe më gjerë, tash qindra vjet dhe nuk ka përjetuar luftëra, për mbrojtje as për të sulmuar vendet e tjerë.
Siç ndodh rëndom, në raste të tillë, mendja të shkon në vendin tënd dhe përpiqesh të bësh krahasime. Kështu, m’u kujtua një stërvitje ushtarake ose “zbor”, siç i thonim ne, në atë kohë. Ishin vitet ’70-të të shekullit të kaluar. Në njërën nga ato dy javë stërvitjeje në malet e Pukës, mbushur me borë, ra borija e alarmit. Të gjithë u rreshtuam pas topave tanë kundërajrorë. Komandanti ose komisari i baterisë, nuk më kujtohet mirë, e lëxuan me zë të lartë “urdhërin luftarak”. Në të thuhej se forcat e bashkuara të NATO-s e Traktatit të Varshavës, në mengjesin e asaj dite, kishin gërshtuar një “agresion të hapur” kundër Republikës Populloee Socialiste të Shqipërisë!?
lexo te plote ketu ne lidhjet e meposhtme:
ii-mbresa-e-skica-nga-suedia.pdf
i-mbresa-e-skica-nga-suedia.pdf
Posted in Blogroll | No Comments »