(Ik)identitet
“Sot është melankolia në erë dhe trishtimi në bar” (Charles Kuralt).
Nga Fatmir Terziu
Bishtkorr* i ngulur në rrasë varri. Kali
trokthin ia ka qepur lotit në flakë
bota me të cilën ringjallej
ankthi dhe riti i përkujdesjes
vetë imazhi i mjeshtrit tejkallet
hi në karnavazin e vetë ikjes
në garë kuajsh identiteti i dhimbjes.
Vazhdon katalogu me kuaj
të faqoset konspiracioneve
ja kapakët dhe fletët
lavdi e vegjetacioneve gjuhore
speciet që lindën nga gjeneratorët
florë imazhesh dhe perceptimesh
si një pëlhurë majisen ditënetët
mbetur mbi kolona shkrimesh.
Pazar dhe udhëkryq betejash
si një kohë e ngarkuar mbi kuaj
lëviz melankolia
e ftohtë, drobitëse e huaj
mbi barin e varreve që rivdesin
erë e trishtë e identiteteve
fryn dhe vetëm fjollat mbesin…
Ja shkurrëzat dhe barishtet
përthyer pa damarë
përshkojnë rrymat heshtake
si një kodër e tërhequr zvarrë
vetë kjo dritë vertikale
firmos një peticion mbi varr
që ikja identitare të ndalet.
*Bisht kali: i cili ka qenë i ankoruar si një shenjë e pikëllimit për vdekjen e zotërisë së tij.
Kalimthi
Edhe statujat kanë mish të ftohtë…
Nga Fatmir Terziu
Nocione estetike të përvuajtjes. Statuja
me mish të terrur betejave
me liçensa kulturore në barin jeshil
habi turistike një jazz frymor
shëtit në ishullin e memorjes
buzësjellin zogjtë në korr
çastet e bronxta të vetëdijes.
E ngurta e shijes një udhëzjarr
çka marim kalimthi njëkohësisht
hyjnore në sytë tanë një gërmadhë
jemi lindur denjësisht
të bëjmë përrallë
me dheun bëjnë paq këmbët tanë
të mos hapin më plagë.
Edhe statujat me mish të terrur
universin tkurrin me ne
fjalosen mes vetes në heshtje
lutje që shkrihen në re…
Mendoj për duart e tyre të gurta
dëshpërimisht jemi qafuar përherë
lagur me lotë nga nënëurtat
që mbetën krahëhapur në derë.
Pavdekësi statike të kohërave. Rreze
almanake të krenarive në defter
erdhët si djepe balade
mëngjeseve me vesë e freskisë në mbrëmje
vetmisë nomade
për të na hapur sytë e trishtuar
duke mos riskuar fate.
Pluskim vargor
Poetit Osip Mandelshtain*
Nga Fatmir Terziu
Voronezh korb thikë. Çasti
kur trupi mblidhet në frymëmarrje
rreshqet kah baqthit të faqes
të një pene ngitmare
ka kufijtë gjeometrikë
shkund derte, fsheh halle
voronezh i zi
germat mbetën në valle.
Kjo ngitje është para vargëzimit
një grimë në terr
e dita e nesërme e gjen
përqasje netore e nderë në tel
ku korba dhe rroba u varrën të flejnë.
Më në fund kam mësuar të lexoj ikjen e gjumit
në sheshin e zi të Kremlinit
kam ndjerë të dekodojë edhe ato miza
që i thurri poezia jote me shtiza…
… dhe hyra në vallen tënde të vargut
për të shuar zezërimën e qoftëlargut…
*Poet Hebre, lindur në Varshavë (1891-1938). Një vjershë satirë ndaj Stalinit shkruar në vitin 1933, pas një kallëzimi të fshehtë, i kushtoi arrestimin e distaë në vitin 1937-të.
Antidodë
“Nga i thati digjet edhe i njomi” (Populli)
Nga Fatmir Terziu
Radhë, sa pak, del Dielli në Londër. Retë
rrjeta peshkatarësh brofin kahduan
mbi fasadën gri të peshkojnë
nën strehë kërcu i largët i kërrusur
kërcet, është i gatshëm të ndizet
duke ikur viteve të tij i krrisur
stivës afër errësirës
në parkun ku mediton
për të ndezur poezinë e ditës.
Gjeste të krisura në ajër
njëri merr në thua tjetrin
gotave të pista përthahen. Ujdi
pallavese e kohës që ngritën
me qepallat e zhytura në mish
edhe retë ikin tutje çahen
një kërcu gungë çdo gjë prish.
Nëse gjithçka digjet nën re
shkëndijat thyejnë rekordet
merr zjarr edhe filizi me nge
ndoten nga truthati edhe motet…
Lakuriqësi
Nga Fatmir Terziu
Sa pak privatizoj në kaltërsinë e Qiellit. Dritëzat
si një trup hardhi të fshehura
i japin hapit synor një afsh
dixhital. Duke i grimuar
instrumentin që çukit dromca
në pistën e gjerë e të gjatë
ku gllabërojnë mendimet ajërzbritëse.
Një qytet-shtet vdekëshkruar
në luhajën e skalpit nënshkruhet
palafitur nga blloku që nxiton të çukisë germat
përgjatë brendisë së lugët
ngjashëm si rrufeja
e zeza fikse
shenjë e një mërgate
që vazhdon të shpojë
sipër cipës zanore të ninullave
hartën e Lotit.
Po e marr prej jush këtë kupë
të latuar nga ikja mes reve
një topth futbolli në fushën e frymtë
mëngjeseve kur ju avullon në zyra
me gjerdanët e ndritshëm të mëkatit
e në rëntë duke përthyer edhe retë
mos u trembi mes epshit
s’ka as rebesh as shi t’u laj ato fytyra.
Përgjatë pistave që brehen nga e zeza
përplot fjolla dufesh
kalojnë zemra me kallume të shprishura
të kithëta bulëzat e syve
peisazh zanor pse druhesh
lakuriqësia…
… nuk është objekt i vetëm i syve.
Thash (po) s’them
Thëngjilli i mbuluar djeg më shumë… (Populli).
Nga Fatmir Terziu
Sa i përfjetur ky mal. Retë
behin si qentë në sofrën e shtruar
kjo majë është një orë e madhe
një kurdisje e lehtë në kohë
mat me Diellin e lartësive.
Është një orë që zgjon,
hithrat nën shkëmb të djegin
orë memece e trysnive
që ngasin gojëra opake
të ngrira dimrave
të shkrira stinëve të tjera
nga përrenj të mbarsur
përposhtë shiu i vakët
në rrymë trazon akrepat
si seksi i një gruaje
përgjatë deltës së zakonshme të shpirtit.
Është në rrymë
si një trung i ngordhur,
përgjatë të dielave
ngecur në mendime
si një planet i sapo zbuluar
sapo ka nisur depilimet.
Sinonim i erërave
posaçërisht në të gdhirë
kur ngjizet qielli në kafkë
hedhje në letër
e almanakëve truporë
e çfarë tjetër
mund të bëj një përfjetës?
Në këtë djerrinë fjale
tashmë edhe retë
kinse të shfaqura pas shtrëngate
kanë zërrin e tyre prerë
pa e trazuar kallkun e horizontit
gropa në çdo mal është humnerë…
Sprovë
Nga Fatmir Terziu
Në tymin e cigares që le pas. Stridhja
e lirë fluturoi dihamave
shtrirë mes flagrave
gëlqerore të baladës ambush
e butë, në dhomën e bollshme
ku pikturohen vitet
me mushtin e valës prush.
Koha ecën duke thithur cigaren
në panoramën me djaj lëvizëz
një xhufkë kollaret
shfrynajë dinake nën furrë
copëzim i mëngjesit nën dihatje
më rrit kjo ndjenjë
që s’lahet me ujë.
Në dhomën e vargjeve. Zigzagu
i penës mëqik fjalët në art
avlëmend të keqen
e pikave sprovë të qepjes natën
nëse mbulesa është një rrobë e tymosur
ajrose ëmbëlsisht qashtër
mos e lërë të zbrazë tërë substancën.
Kisha mendore
Nga Fatmir Terziu
Kisha mendore
Edhe kokërrza majëngritur e qershizës. Tekanjozet
kur buzkat e saj lëmohen nga gjitoni
harron zogjtë e trishtimit
që lanë kufomën gjysëmbërthamë të çukitur
pema e shenjtë që shpie dashuri musht
varet në cepin e një pjate të sheshtë
pa degën e saj filiz kokrash lëmashe grushtë.
Buzëqeshja e hirshme përlag tërë Gjolin
braktisur nga shkallët e kishës mendore
gjendja e paqtë me qershizën e solli
të rishkruhen vargjet përkore.
Kujtimet bien si gjethe qershie
mbi fletën me panjë të Eseninit
pena thurr art me kokërrzat tespie
qershizë kokërngritur mbete poshtë Blinit…
Në trotuarin e pakuptimtë të sorrollatjes
ëndërrat e së nesërmes udhëtojmë diet
hapen dritaret prej trullosjes përshfaqet
asnjë melhem nuk vjen vet
në tasin e mbushur me qershiza
perceptim i frikshëm tulatet
ku ngushten të qasen veç dy miza.
Kujtimet përfjeten tutje mbi Gjol
… më kot turrem ti zgjoj…
Pluhuradhë …
… ose pluhur (në) radhë
Nga Fatmir Terziu
Kur ajri ndriçohet duket e varur. Hija
grimore e pluhurit në astarin e zinxhirtë
flotë ajrore e ikjes së mundur
pluhuriza është vetë hija e dritës
imazhi i saj një objekt
terr i ngordhur tështitës
grimi netor i shkëlqimit që vret.
Hija e saj zbriti në pjatën e supës
si një paralajmërim ndaj lugës.
Belbëtar mbeti tasi im i vjetër
mbi buzët e Dantes, Petrarkës
në dhomën ku flejnë tufa letrash
montazh
pa penë, pluhuradhë…, asgjë
artificial
mbi një ushtri kokrrizash. Gdhë
me pikla të brushta melase
natyra e pluhurit
esenca e tij fluturuese, zbritja
mbi supën e tjetrit… Plase!
Hija e saj më zbriti në pjatën e supës
si një paralajmërim ndaj lugës.
Diçka nga tërë kjo pluhuradhë
hartën e fjalës e ndot
vargjeve urdhërohet, por jo e tëra qaset,
tashmë kur pluhujt janë në garë
me mijëra numërohen rastet
po s’ia dolën mbarë vetë pluhujt,
hijet e tyre me siguri janë në ballë!
Peisazh
Nga Fatmir Terziu
Mos më thuaj që nuk i ndjen pikat e ujit
mbi xhamin e grithurrur të dushit
kur trupi thërrmohet shkumë. Shkrimi
është vetëm një përkundje
në djepin e memorjes që përkund
hijen e gjysëmhënës që ngutet
të kaltrën hapësirë të qafojë.
Kjo ngrehinë prej shiu është angari
një meteorologji e pastacionuar
shndërron në ujë dhembjen
bulëzimin e shiut e kthen në Diell
pra është lot që të përhumb
në hungërrimën e pafajsisë
tejdukshëm pas xhamave të padukshëm.
Pena nuk është veç për të dhuruar
të bardhat germa. Hutuar
fletëpalosja e gjumit verës së dehur
i bashkon mes vetes figurat
më në fund për të mësuar
leksionin e jetës pa auditore
në leximin e galaktikave të lagura…
